Damian Gjiknuri të japë dorëheqjen, gënjeu, kur tha se gazi i çliruar nuk është helmues

458
Ditën që ndodhi katastrofa ekologjike në Marinzë, nga shpërthimi i gazrave, ujit dhe argjilit në puset e zonës naftëshfrytëzuese në Marinzë, Ministri i Energjitikës, Gjiknuri deklaroi që gazrat shpërthyese nuk janë helmues, duke mashtruar me të vërtetën. Edhe pse nuk është specialist, z. Gjiknuri është jurist dhe e njeh shumë mirë situatën, ligjin, por edhe ka bindjen e plotë, që gazrat që shpërthejnë në një pus nafte, gjithsesi, nëse nuk janë helmues, janë tepër të dëmshëm, për shëndetin e njeriut, pasi fenoli, që çlirohet nga këto gazra, jo vetëm që thithet me frymëmarje, por edhe thithet nga lëkura, kur bie në kontakt me atë dhe pastaj në organizmin e njeriut shkakton sëmundje kanceroze. Ministri Gjiknuri e fshehu kërë realitet, duke spekuluar për gazrat, me fjalën “helmues” me “tepër i dëmshëm”, për të mashtruar njerëzit, që të tmerruar, protestonin, por edhe për të pafajësuar kompaninë përgjegjëse, mbase kjo sjellje e Ministrit Gjiknuri, nuk është as paaftësi, as mungesë njohuri, por ndoshta ka lidhje me çështje të tjera, përgjegjësia e të cilave duhet të sjellë dorëheqjen e tij për abuzim dhe shpërdorim detyre, për shkak se manipuloi të vërtetën për gazrat e çliruara nga katastrofa. Ministrin Gjiknuri e përgënjeshtruan edhe 32 banorë që u shtruan në spitale, për shkak se shëndeti i tyre u rrezikua, pikërisht nga gazrat që u çliruan nga shpërthimi i puseve të naftës në Marinzë. Ministri Gjiknuri, tani, pas kësaj katastrofe, është mirë që të flasë për milionat e naftës, (që nuk derdhen në buxhetin e shtetit), ndryshe, të mos fshihet pas xhaketës të kryeministrit. 
Karakteristikat dhe burimet e fenolit
Shumë specialistë dhe shkencëtarë janë prononcuar për gazetën “Telegraf”, për cilësinë kimike të gazrave të çliruar nga shpërthimet e në zonën naftëshfrytëzuese në Marinzë, dhe në vijimësi, ne do të botojmë këto shkrime. Për sot, botojmë se çfarë është fenoli, i sipas analizës të specialistëve. “Fenoli i pastër është një substancë e ngurtë kristaline, pa ngjyrë, ndërsa produkti komercial i fenolit përmban një sasi uji dhe është i lëngëshëm. Fenoli ka një erë karakteristike irrituese, shumë të ndjeshme; era e tij mund të ndjehet në ajër deri në raportin 40 pjesë fenol me një miliard pjesë ajër, ndërsa ndjeshmëria në ujë është deri 1-8 pjesë fenol në një milion pjesë ujë. Këto nivele janë të ulëta krahasuar me nivelin toksik të fenolit në ajër ose në ujin e pijshëm. Fenoli avullon më ngadalë se uji dhe sasira të moderuara të tij mund të treten në ujë. Fenoli mund të prodhohet me rrugë kimike ose natyrale. Fenoli gjëndet në natyrë në sasi toksike në naftë, në produket dhe ujrat shoqëruese të saj,në shtresat nëntokësore ose në puset e naftës, në tymrat e djegies së lëndëve djegëse (drurit, karburanteve), në tymin e duhanit, në minierat me dekompozime organike, në ujrat nëntokësore ose mbeturinat mbitokësore, në landfilet, në mbeturinat industriale dhe ushqimore, në një sërë bimësh veçanërisht rigoni, nënproduktesh bimore e shtazore, në jashtëqitjet humane dhe shtazore, etj.
Ekspozimet e rrezikshme dhe efektet toksike të fenolit në organizmin e njeriut
Burimet kryesore të ekspozimit ndaj fenolit janë padyshim ndaj njerëzve që jetojnë pranë pellgjeve naftëmbajtëse, veçanërisht të daljes në sipërfaqe tokësore të naftës dhe të ujrave shoqëruese të saj, të fontanave të naftës, gazeve dhe ujrave nëntokësore të pellgjeve naftëmbajtëse, të industrisë përpunuese të naftës dhe mbeturinave të ndryshme industriale, veçanërisht kur neglizhohen masat mbrojtëse të mjedisit dhe kontrolli sistematik i tij. Gjithashtu, ndaj njerëzve që banojnë pranë landfileve ose atyre që përdorin produkte ushqimore me origjinë bimore ose shtazore me përmbajtje toksike fenoli. Kështu ”mjekë popullorë” injorantë, pa diplomime universitare dhe pasuniversitare në Mjekësinë Alternative, të paliçensuar dhe jashtë kontrollit shëndetësor shtetëror, intoksikojnë me “ çajrat” e tyre “çudibërëse” toksike, me dhjetra e qindra qytetarë, gjithashtu injorantë, që hipnotizohen prej tyre dhe vetintoksikohen gradualisht dhe me efekt akumulativ deri sa e pësojnë pas një periudhe kohore, gjë që pastaj nuk arrijnë ta kuptojnë se nga ju erdhi. Në rastin konkret, lidhur me fenolin, çajrat e rigonit dhe të disa bimëve të tjera janë mjaft toksike për shëndetin e njeriut, pa përmëndur me dhjetra të tjera që përmbajnë substanca me toksicitet edhe më të lartë dhe që ju rekomandohen të rriturve dhe fëmijve për t’i përdorur si çajra duke i pirë me sapllake 2-3 herë në ditë?!
Toksiciteti biologjik i fenolit 
Intoksikimi i fenolit është pasojë e depërtimit të tij në organizmin e njeriut nga ekspozimet e sipër përmendura, nëpërmjet ajrit, ujit, ushqimit dhe kontaktit të lëkurës së trupit me ajrin ose ujrat e ndotura.
Efektet toksike të fenolit mund të përmblidhen në sa vijon:
1. Ekspozimi respirator ndaj fenolit në doza relativisht të vogëla gjatë një kohe të shkurtër do të shkaktonte: irritime respiratore, dhëmbje koke, djegie të syve, trazime gastrointestinale, deri të vjella.
2. Ekspozimi respirator ndaj fenolit në doza relativisht më të larta dhe për kohë të shkurtër, shkakton efekte kronike dobësim, dhimbje muskulare, anoreksi, humbje në peshë, lodhje, sëmundje kardiake, tumore në aparatin respirator, dëmtim të sistemit imun, shkatërrim të rruazave të kuqe të gjakut, diarre etj.
3. Ekspozimi ndaj fenolit në rrugë respiratore, ose ushqimore për doza relativisht të larta, por sistematike për disa javë shkakton dëmtime të mëlçisë, mushkrive, veshkave, zëmrës, paralizë dhe deri në vdekjen e tij.
4. Ekspozimi ndaj fenolit në lëkurën e trupit shkakton përveç sëmundje të lëkurës, djegie dermatite, por edhe intoksikime metabolike të organizmit në tërësi me pasojat e sipër përmëndura.
5. Fëmijët janë më të rrezikuar ndaj intoksikacioneve të fenolit për arësye se tek ata efektet e dëmshme të sipër përmëndura mund të shkaktohen për doza më të vogëla se tek të rriturit. Ndërsa efektet toksike tek gratë shtatzëna mund të shkaktojnë edhe pasoja të pa korigjueshme lidhur me difekte patologjike tek të porsalindurit”.
Banorët e Marinzës përballen të irrituar me Ministrin Beqja
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja është përballur me protesta nga banorët e zonës së Patoz – Marinzës, paraditen e së martës, 7 prill 2015, teksa ka shkuar për të parë situatën e pas 1 prillit. Të irrituar banorët, shumë prej të cilëve kanë punuar mbi 30 vjet në sektorin e naftës, i kanë thënë z. Beqja, i cili vizitoi ambulancë, se nuk po kujdesen për ta. Ministri Beqja u tregua arrogant me banorët, madje u bërtiti atyre, që të mos thërrisnin. Në një moment, kur zemërimi i banorëve arriti kulmin, më shumë të indinjuar nga sjellja e Ministrit Beqja, ndërhyri edhe policia, e cila, ishte roje e tij për ta mbrojtur nga zemërimi i banorëve. Pyetja është: Përse policia mbron një ministër, nga zemërimi i popullit, për shkak të politikavë antipopullore që ndiqen në vazhdimësi? Ja dialogët e irritimit të banorëve të Marinzës me ministrin arrogant Ilir Beqja. 
Banori: Kam 35 vjet, po më rripet trupi mua. Maskarenjtë,… 35 vjet naftëtar unë,… jam shumë i revoltuar se je i vetmi burrë që ka ardhur mes popullit këtu”.
Beqja: Mos bërtit se jemi në ambulancë dhe ka të sëmurë.
Banori tjetër: Kryetari i Komunës nxorri pistoletën, se ne nuk na lanë për t’u vizituar”. Prej 1 prillit kur ndodhi shpërthimi i dy puseve me naftë, të shumtë janë banorët që janë paraqitur në spitalin rajonal të Fierit, por dhe në ambulancën e Marinzës për të marrë mjekimin për shkak të helmimit nga gazi.
Banorja: Dy pleqtë i kam lënë keq në shtëpi. Vit për vit marrim ilaçe.
Banori tjetër: Dje erdha këtu dhe mora serum, por sot të bëj prapë serumë. Radhë ka shumë, fëmijë, gra . Kam marrje mendsh nga gazi.
Ministri i Shëndetësisë ka rastisur me një vajzë të re që po merrte mjekim, teksa ka vizituar qendrën shëndetësore të Marinzës.
Vajza e shtruar: Kam 4 ditë e shtruar, kam marrje mendsh tharje fyti. Edhe mami im e vëllai janë kështu. 
Ministri Beqja, edhe pse i ka ditur këto probleme të dëmtimit të shëndetit të banorëve, që shkakton nafta dhe çlirimi i gazrave, deri tani nuk ka bërë asgjë, ndaj nuk kishte asnjë përgjigje, asnjë zgjidhje për problemet që i thanë banorët e irrituar të Marinzës, që ndodhen përballë rreziqeve të mëdha të shëndetit dhe jetës së tyre nga katastrofa ekologjike e shpërthimit të gazrave në puset e naftës. Deri më tani, 12 banorë janë shtruar në spitalin e Fierit. 36 banorë të zonës së Marinzës në Fier që kanë shfaqur simptoma të intoksikacionit nga lëndë helmuese. Pesë prej tyre janë paraqitur në spitalin e qytetit, ndërsa 31 të tjerë në qendrën shëndetësore të fshatit. E ndërsa numri i banorëve që shfaqin simptoma të helmimit shtohet, asnjë prej institucioneve nuk jep një raport të saktë mbi gjendjen që është aktualisht në Marinzë.
Sigal