Damian Gjiknuri: Shqipëria ofron potenciale për investitorët italianë

759
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri-Itali, ku ishin të pranishëm rreth 200 sipërmarrës italianë. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, ministri Gjiknuri u shpreh se infrastruktura është një sfidë e madhe që ka Shqipëria. “Kuptohet, ne jemi duke vazhduar me financime edhe nga Buxheti i Shtetit në ndërtimin e rrjetit infrastrukturor rrugor. Janë një sërë projekte rrugësh, të cilat disa janë në proces tenderimi, disa të tjera do të hapen këtë vit dhe natyrshëm kompanitë italiane gjithmonë kanë qenë prezentë në sektorin e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri”, tha Gjiknuri. Duke u ndalur tek partneriteti publik privat, Gjiknuri theksoi se qeveria shqiptare ka filluar një projekt ambicioz për të thithur kapital privat në ndërtimin e veprave infrastrukturore. “Shteti do të marrë përsipër riskun e një financimi me atë që quhet pagesë e vlefshme për një periudhë afatgjatë. Ose varianti i dytë, në ato rrugë në të cilat ne jemi duke bërë studimet e fizibilitetit, që janë me pagesë. Edhe këtu parashikojmë të përfshijmë kapitalin privat dhe është e natyrshme që kompanitë italiane kanë një eksperiencë të mirë në vendet e tyre. Është normale që të bëhen pjesë e këtyre procedurave në Shqipëri”, vazhdoi Gjiknuri. Gjiknuri përmendi si shembull disa nga rrugët me sistemin e pagesës. “Është krijimi i një aksi të ri rrugor nga Kashari në Rrogozhinë, për të shmangur një pjesë të trafikut në Durrës. Kjo do të jetë një rrugë me pagesë, e financuar e gjitha me kapital privat ku shteti do të marrë në një minimum garancie të trafikut, kuptohet me një vlerë që nuk na rëndon shumë. Njëkohësisht, i jep për momentet e para siguri investimit privat, por riskun kryesisht duhet të marrë edhe investitori privat”, nënvizoi ai. Ministri shpjegoi se është duke u ndjekur një politikë agresive edhe për sa i përket infrastrukturës së transportit ajror. “Shqipëria ka një rritje të vazhdueshme të trafikut në transportin ajror. Aeroporti i Rinasit ka kapur limitet e tij për sa i përket kapaciteteve të përpunimit dhe ne jemi duke punuar për ndërtimin e një aeroporti të ri në jug të vendit në Vlorë, ku jemi në një fazë deri diku të avancuar, me një konsorcium turk. Nga ana tjetër jemi duke përfunduar studimin e fizibilitetit dhe për një aeroport turistik në Sarandë. Është një kompani italiane e cila po na ndihmon me studimin e fizibilitetit”, theksoi Gjiknuri. Ministri u shpreh se strategjia jonë ka qenë që të investojmë në vendet që do krijojnë një zinxhir dhe vlerë ekonomike të shtuar. “Po të shikoni investimet në infrastrukturë, qoftë në rrjetin rrugor, duke kompletuar korridoret veri-jug dhe lindje –perëndim të Shqipërisë e lidhim me vendet fqinje për të krijuar një sinergji ekonomike në dy aspekte zhvillimi turizmit, por edhe rritja e ekonomisë tonë detare. Pra, vënia në funksion të porteve të Shqipërisë, sidomos porti i Durrësit. Investimet në infrastrukturë u përqendruan në rrugë, energji elektrike, kanalizime, ujë i pijshëm. Ne jemi duke punuar me partnerët ndryshëm të financimit në këtë detyrë, kryesisht me KFV-në për sa i përket ujit të pijshëm. Me rrugët siç e thashë nisur nga partneriteti publik-privat, kryesisht me riskun e buxhetit të shtetit”, deklaroi Gjiknuri. Një investim i pritshëm, tha Ministri, është në portin e Durrësit, thellimi i portit të Durrësit, ku kompanitë italiane edhe aty do të kenë interes. Sipas tij, është një vlerë afërsisht 10 mln euro për thellimin e portit në mënyrë që porti të rrisë kapacitetet e tij përpunuese. Ministri u shpreh se po bashkëpunohet edhe me disa kompani shtetërore italiane, ku përmendi kompaninë SNAM, ndër kompanitë më të mëdha të gazit në Evropë. “Kemi një partneritet të avancuar për sa i përket gazifikimit të vendit në të ardhmen. Dhe këtu jemi duke përfunduar një proces për krijimin e një kompanie të përbashkët që do të ofrojë shërbime për TAP-in, por më vonë do të shpërbejë edhe si një ngrehinë ku mund të bazohemi për zhvillimin e sektorit të gazit,’- u shpreh Gjiknuri. Më tej, ministri Gjiknuri tha se edhe në sektorin e infrastrukturës energjetike, sidomos në linjat e transmetimit, shumë shpejt do të nisë një projekt madhor, i cili do të tenderohet këtë vit, lidhja e Shqipërisë me Maqedoninë. “Kjo do të thotë se të gjitha ato investime edhe në fushën e burimeve të energjisë së rinovueshme por edhe tendencën që ne kemi për të krijuar një platformë të trajtimit të energjisë, me interkonjeksionet rajonale bëhet e mundur dhe lehtësohet eksporti apo importi I energjisë në të gjitha rrethanat. – u shpreh Ministri Gjiknuri. Ministri u shpreh se interesi ekonomik në të ardhmen do të sjellë nevojën e një ndërlidhjeje direkt mes Shqipërisë dhe Italisë, por theksoi se fakti që Shqipëria ka një ndërlidhje të rajonit të Evropës Juglindore, nëpërmjet Malit të Zi e ndihmon shumë lidhjen e këtyre tregjeve. Duke u ndalur në investimet e pritshme në sektorin hekurudhor, Ministri Gjiknuri theksoi se brenda këtij viti do të fillojnë procedurat për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, si edhe ndërtimin e linjës së re që lidh aeroportin e Tiranës me qendrën e Tiranës, ndërsa theksoi se po merren financime nga disa institucione të BE për të përfunduar studimet përkatëse për lidhjen me rrjet hekurudhor, kryesisht për mallrat, të Shqipërisë edhe me Greqinë edhe me Maqedoninë. “Qeveria shqiptare nuk është e ngurtë në këtë drejtim, pavarësisht se Partneriteti Publik Privat, gjithmonë ngjall sensibilitet politik, por për ne nuk ka rrugë tjetër sepse shteti i ka mundësitë të kufizuara dhe se Shqipëria ende nuk është anëtare e BE, që të mund të përfitonte në mënyrë masive nga fondet e integruara të BE, dhe PPP dhe interesi i kompanive private shihet si zgjidhja e vetme.”
Sigal