Damian Gjiknuri: “Berisha, i dëmshëm dhe në ikje!”

479
Sigal

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të qeverisë dhe të Kryeministrit Berisha, duke i kujtuar se kjo qeveri nuk ka më legjitimitet, që të marrë vendime, të këtilla që mund të krijojnë pasoja për maxhorancën e re.  Kështu, Damian Gjiknuri thotë: Sali Berisha vazhdon të qeverisë sikur të mos ketë ndodhur asgjë!! Sot  (dje) kalon një vendim qeverie për çështje delikate të shtetësisë që karakterizohet nga populizmi i tij, populizëm që populli e ndëshkoi me votë.  Të njëjtën gjë kërkon të bëjë me pensionet dhe rrogat, apo me afera të tjera financiare, sikur të mos kish ndodhur asgjë, duke thelluar gropën financiare që ka krijuar ndër vite. Ky zotëri nuk ka më legjitimitet për të qeverisur, pavarësisht se është akoma në detyrë, si një qeveri në ikje. Ai nuk mund të marrë vendime që krijojnë pasoja për maxhorancën e re, pasi populli e flaku nga pushteti, pikërisht për dëmet që i shkaktoi kësaj shoqërie. Të njëjtin nxitim dhe papërgjegjshmëri po stimulon edhe tek pushtetet e tjera “të pavarura”, duke emëruar njerëz besnik për t’u mbrojtur nesër, apo për të sistemuar militantët e tij në ikje nga zyrat që kishin okupuar. Kjo po ndodh në Drejtësi, ILDKP, Prokurori dhe kudo, ku ai ka akoma influencë pushteti. Maxhoranca e re ka marrë një mandat gati kushtetues, për t’i adresuar këto probleme, duke lëshuar sinjale të qarta për frenimin e shkatërrimit të mëtejshëm të institucioneve nga Kryeministri në ikje. Shumica e re mund të ketë vështirësi në adresimin e problemeve ekonomike, që trashëgon, por ka detyrimin parësor për të bërë drejtësi dhe shtet ligjor. Populli mund të durojë varfërinë, por s’mund të tolerojë pafundësisht padrejtësinë dhe arrogancën qeverisëse, prandaj e ndëshkoi atë me votë plebishitare në 23 qershor.