Damian Gjiknuri: 600 milionë eurot për CEZ, janë çështje e harruar, të mos i kujtojmë më

494
Edhe pse dosja “CEZ” është hapur dhe është domosdoshmëri hetimi penal i saj, pasi në dritë kanë dalë fakte që bëjnë fjalë për korrupsion të madh shumëvjeçar të qeveritarëve në marrëdhëniet me CEZ, duke e favorizuar atë, në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar, që kur u lidh kontrata, në 4 vjetët që CEZ ushtroi veprimtarinë në Shqipëri, e deri në nënshkrimin e marrëveshjes Shqipëri-CEZ në 23 qershor 2014, nga ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, prapëseprapë, ministri përgjegjës, që nënshkroi kontratën e turpshme në emër të Shqipërisë me CEZ, kërkon në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, që korrupsionin me CEZ, ta …harrojmë, sepse i përket të kaluarës. Edhe pse marrëveshja që ai vetë, si ministër, në emër të qeverisë shqiptare i fali CEZ 600 milionë euro, por edhe duke pranuar kushtet absurde, që palët (d.m.th. shteti shqiptar) heq dorë nga çdo pretendim, por edhe që shteti shqiptar merr përsipër të paguajë të gjitha borxhet që CEZ u ka palëve të treta, (d.m.th. KESH, OST, bankave të nivelit të dytë, etj).

Ministri Gjiknuri: CEZ, çështje e konsumuar, nuk kemi pse i rikthehemi
Çështja e CEZ u diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dje, ku ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri prezantoi një projektligj për eficencën energjitike. Deputetët e opozitës në këtë komision parlamentar i kërkuan ministrit Gjiknuri përse nuk hetohet çështja CEZ dhe dëmi ekonomik prej më shumë se 600 milionë euro, që iu falën CEZ nga marrëveshja Shqipëri-CEZ. Mirëpo ministri Gjiknuri, i cili e ndjen veten sikur të jetë zot, jo vetëm i karriges së ministrit, por edhe zot i gjithë pronave të Shqipërisë, me shpërfillje dhe arrogancë, që ia jep pushteti i karriges ministrore, deklaron në Komisionin Parlamentar, se “ Çështja CEZ është e konsumuar, nuk kemi pse i kthehemi. Opozita, kërkon ta politizojë”. 

600 milionë euro që paguan taksapaguesi CEZ, a janë të …konsumuara?
Ministri Damian Gjiknuri, duke u ndjerë tërësisht i papërgjegjshëm për dëmin kolosal që u bëri shqiptarëve, të cilët deri në 2018, do t’i paguajnë CEZ, edhe 100 milionë euro, si dëmshpërblim, për ndërprerjen e koncesionit, plus dëmet, borxhet dhe detyrimet financiare që CEZ ka në Shqipëri ndaj palëve të treta, që arrijnë deri në 600 milionë euro e quan korrupsionin “CEZ” të konsumuar. Domethënë, sipas ministrit Gjiknuri, prokuroria nuk duhet të hetojë më korrupsionin qeveritar në çështjen “CEZ”, derisa qeveria nënshkroi marrëveshjen me CEZ. Gjiknuri edhe pse është jurist, si mund ta cilësojë korrupsionin, “ të konsumuar”? Ku e gjen ministri Gjiknuri të drejtën që të pohojë, se korrupsionit “CEZ”, nuk ka arsye që t’i rikthehemi? Si mundet ministri Gjiknuri, ta cilësojë korrupsionin “CEZ”, çështje politike, kur ky korrupsion është vepër penale dhe si e tillë, hetohet në çdo kohë? Ku e gjen të drejtën juridike ministri Gjiknuri, që të kërkojë politikisht pushimin e hetimit penal të korrupsionit “CEZ”, kur juridikisht, vetëm vendimet e Gjyqësorit, kanë të drejtën të japin vendimin e formës së prerë? Dhe së fundi, një pyetje për Prokurorinë: Kush e mbron përgjegjësinë penale të ministrit Gjinkuri, derisa nënshkroi marrëveshjen Shqipëri- CEZ, me dëm ekonomik për taksapaguesit shqiptarë, më shumë se 600 milionë euro? Kjo përgjigje nga Gjyqësori, do të jetë edhe reflektimi i drejtësisë në besueshmërinë që duhet t’u tregojë shqiptarëve, se të gjithë, edhe ministrat, janë të barabartë para ligjit, kur me veprimet dhe mosveprimet e tyre (sikurse Gjiknuri me korrupsionin”CEZ” kryejnë vepra penale me dëme katastrofike për taksapaguesit shqiptarë. 
Sigal