Dalipi rikonfirmohet në krye të Këshillit Bashkiak, Basha: Dhamë shembullin më të mirë

416
Sigal

Ngërçi i krijuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës duket se u zgjidh dje, pasi këshilltarët e majtë dhe të djathtë u mblodhën dhe konfirmuan zgjedhjen e Aldrin Dalipit në krye të Këshillit Bashkiak. Zoti Dalipi u rikonfirmua në postin e kryetarit me 32 vota pro. Këshilltarët e majtë dhanë konsensusin që mbledhja të drejtohej nga nënkryetari Zamir Ndroqi. Pas diskutimeve që zgjatën disa minuta, Këshilltarët e majtë dhe të djathtë ranë dakord që në mbledhjen e djeshme të miratohej një rend dite i shkurtuar, që kishte të bënte me konfirmimin e mandatit të zotit Dibra si këshilltar i Bashkisë së Tiranës dhe konfirmimin e Dalipit në postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak.

 Dalipi: Mbledhja, shans për dialog

Mbledhja është thirrur në orën 18:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, si nga zv/kryetari i Këshillit, Zamir Ndroqi, edhe nga kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, në cilësinë e kreut të Këshillit.  Në një mesazh në “Tvvitter”, kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi fton këshilltarët e djathtë të marrin pjesë në mbledhje, dhe ta kthejnë atë në një shans për dialog, për vendosjen e institucionit në pozicionin kushtetues e qytetar. Drejtimi i Këshillit pritet të jetë edhe pika më e nxehtë e debatit në mbledhjen e sotme, nëse forcat politike nuk do të arrijnë në konsensus, pasi në njoftimin për rendin e ditës, që nënkryetari i Këshillit u ka dërguar këshilltarëve, është përfshirë edhe zgjedhja e kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak. Kryetari i ri i Këshillit Bashkiak të Tiranë, Aldrin Dalipi u kërkoi ndjesë qytetarëve të Tiranës për bllokimin e punës së këtij këshilli. Ai i garantoi anëtarët e Këshillit dhe qytetarët e Tiranës se primare në funksionimin e këtij këshilli do të jetë zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. “U kërkoj ndjesë qytetarëve të Tiranës, në emër të kujtdo që e mbajti peng këtë këshill. Kemi humbur shumë kohë”,- u shpreh Dalipi.

Basha: Dhamë shembullin më të mirë të konsensusit!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e cilësoi gjetjen e konsensusit në Këshillin Bashkiak si shembullin më të mirë të të zgjedhurve vendorë. Duke uruar kryetarin e ri të Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku Basha ftoi këshilltarët të bashkojnë zërin për çështje që preokupojnë qytetarët e Tiranës.
“Secili prej jush është këtu si rezultat i paraqitjes së listave nga subjektet politike, por besoj se, me kalimin e ngërçit, gjetjen e konsensusit, jo për ti shërbyer një pale apo një pale tjetër dhe as duke sakrifikuar parimet e shtetit ligjor, kemi dhënë shembullin më të mirë sot. Jemi të gatshëm të fillojmë punën për t’i shërbyer një axhende. Të bashkojmë zërin për çështje që preokupojnë qytetarët e Tiranës, për çështje që kërkojnë zgjidhje. Qoftë ky një shembull i mirë për të gjithë të zgjedhurit dhe shërbëtorët e shtetasve shqiptarë. Uroj që rifillimi i punës të udhëhiqet dhe nga zbatimi strikt i ligjeve dhe vendimeve të këtij këshilli. Uroj që sa më shpejt bashkë me kënaqësinë e justifikuar për gjetjen e konsensusit të triumfojë edhe sensi i shërbimit dhe të nisë puna për vendimet që e presin”,- u shpreh Basha.