Dako: Zonë të lirë ekonomike në Spitallë, mijëra vende pune për qytetarët e Durrësit

452
Kreu i bashkisë së Durrësit, njëkohësisht edhe kandidat i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Vangjush Dako, në takimin e zhvilluar me banorët e Spitallës, ka konfirmuar krijimin e zonës së lirë ekonomike-tregtare-Industriale. Ky projekt, thekson Dako, është iniciativë e qeverisë shqiptare, në bashkëpunim më Bashkinë e Durrësit, duke përzgjedhur zonën e Spitallës, e favorizuar nga pozicioni gjeografik i përshtatshëm (pranë portit). Me lehtësi fiskale për biznesin dhe për investitorët e rinj, jemi të bindur, ka deklaruar Dako, që investitorët do të vërshojnë nga brenda dhe jashtë vendit që të jenë prezent me bizneset e tyre në Durrës. 
Dako, ka sqaruar përpara banorëve se ky projekt nuk ka asnjë lloj impakti negativ për mjedisin apo zonën përreth, përveç zhvillimit të mëtejshëm të zonës, për më shumë biznese, investime dhe punësim: “Krijimi i zonës së lirë ekonomike do të përfshijë një sipërfaqe prej rreth 483 hektarë tokë, dhe do të jetë një mundësi e madhe punësimi pasi në këtë zonë ekonomike do të punësohen mijëra e mijëra qytetarë të Durrësit dhe më gjerë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qytetit. Spitalla do të kthehet në një zonë të preferuar për investitorët”, është shprehur Dako gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone. Kjo zonë shtoi Dako është e avantazhuar për shkak të aksesit të shpejtë për në tregun ndërkombëtar dhe avantazhi gjeografik. 
Më tej, kandidati i ASHE-së, për bashkinë e Durrësit, është ndalur dhe në investimet që janë kryer në këtë zonë dhe që e kanë transformuar atë si dhe në investimin për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, duke e konsideruar atë si një aset të përbashkët, që ndikon në mbajtjen pastër të zonës. Projekti i shpalljes së zonës së lirë ekonomike synon të tërheqë investimet e huaja dhe vendase, të cilat ndikojnë në arritjen e stadeve të reja të zhvillimit ekonomik të këtij rajoni. Qëllimi i i tij është ndërtimi i një parku logjistik multimodal, i cili do të merret me shërbimet hyrëse, përpunimi dhe magazinimi të produkteve, aktiviteteve tregtare, import-eksport, ripaketim i lëndëve të para të aktivitete prodhuese përpunuese, agroushqimore, shërbimeve të ndryshme. Investimi prej dhjetëra milionë eurosh, parashikon ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, rrugë të standardeve europiane, në funksion të veprimtarisë portuale dhe prodhuese që do të kryhet në zonë.
Sigal