Dako: Qeveria “Rama”, mbështetëse e madhe e Bashkisë Durrës

497
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun dhe kandidatët për deputetë, Spahiu e Dhamo, takim me banorët e lagjes numër 1
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me kandidatet për deputete, Klodjana Spahiu dhe Ana Dhamo zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 1. Në fjalën e tij, Dako tha se vota për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste është e vetmja rrugë për të vijuar transformimin e madh të Shqipërisë dhe të Durrësit. Kryebashkiaku u shpreh para banorëve të lagjes 1 se mbështetja që qeveria “Rama” i ka dhënë Bashkisë Durrës në këto katër vite ka qenë një mbështetje shumë e madhe, që është përkthyer në projekte të shumta, të cilët tashmë janë një realitet i prekshëm nga çdo qytetar në Durrës. “E kërkojmë votën për Edi Ramën, sepse ne besojmë tek Edi Rama, besojmë tek Partia Socialiste si e vetmja rrugë që mund të vazhdojë transformimin e madh të Shqipërisë dhe të Durrësit. Unë jam i sigurt që do të votojmë Partinë Socialiste, jo vetëm për gjërat e mëdha që ajo ka bërë, por edhe për Bashkinë e Durrësit ka qenë një mbështetje shumë e madhe. Mbështetjen që ne kemi marrë për këto katër vite nuk i kemi marrë në gjashtë vite kur kemi punuar me qeverinë e kaluar”, theksoi Dako.

Nga ana e saj, kandidatja Spahiu kërkoi bashkimin e të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake, për një votë sa më të konsoliduar në datën 25 Qershor. “Ne të bëhemi bashkë në datën 25 Qershor, të përpiqemi jo vetëm ne që kemi këtu, por secili nga ne me motrat, vëllezërit, shokët, shoqet, kudo nëpër Shqipëri, kudo në qarkun Durrësit, të bëhemi bashkë, edhe ai që ka pasur bindje të djathta, edhe ai që është i lëkundur, të bashkohemi për të pasur një konsolidim të votës tonë”, u shpreh kandidatja Spahiu.

Gjithashtu, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidaten për deputete, Klodjana Spahiu, zhvilluan një takim entuziast me banorët e lagjes 15. Në fjalën e tij, Dako kërkoi mbështetjen e banorëve të lagjes 15, për një mandat të dytë të kryeministrit Edi Rama për të bërë shumë më tepër se çfarë u bë në këto 44 muaj. “Vijmë këtu për të kërkuar votën për një mandat të dytë, për të bërë shumë e shumë më tepër sesa bëmë në këto 44 muaj. Një votë për Edi Ramën do të thotë votë për mirëqenie, do të thotë votë për punësim, do të thotë votë për të bërë shtet, do të thotë votë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e brezave të ardhshëm”, theksoi Dako. Kryebashkiaku u shpreh i bindur se kryeministri Rama është i vetmi që mund ti shërbejë më mirë, jo vetëm qytetarëve të Durrësit, por të gjithë Shqipërisë. Z. Dako siguroi se, në sajë të bashkëpunimit mes qeverisë qendrore të drejtuar nga Edi Rama dhe Bashkisë së Durrësit, investimet në qytet do të jenë akoma dhe më të mëdha. “Edi Rama është ai që do ti shërbejë më mirë me punën e tij të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe të Durrësit. Dhe unë jam i sigurt që në këto katër vite, që do të punojmë me Edi Ramën, ne do të bëjmë punë sa nuk janë bërë për 25 vite”, u shpreh Dako.
Sigal