Dako: Qendra Komunitare e Nishtullës tregues për mbështetjen e njerëzve në nevojë

67
Jemi gjithmonë në mbështetje të fuqishme për të gjithë njerëzit në nevojë, prandaj, ashtu si në qytetin e Durrësit, do të hapim qendra sociale edhe në Ishëm, Katund të Ri, Manëz, Rrashbull dhe Sukth. Ky ka qenë zotimi i kryebashkiakut Vangjush Dako gjatë takimit të zhvilluar me banorët e zonës së Nishtullës në qendrën komunitare që ka çelur Bashkia e Durrësit në këtë zonë. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka mbështetur këtë qendër multifunksionale komunitare për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të zonës e sidomos atij rom e egjyptian. 
Komunitetin rom e kemi patur gjithnjë përparësi, – vazhdoi Dako, – madje, 15 familje të këtij komuiniteti i kemi strehuar në banesat sociale që kanë përfunduar. Ndërkohë 15 familje të tjera do të strehoen në banesat e tjera sociale që janë në process ndërtimi, pra, janë 30 familje që strehohen në banesat sociale të Bashkisë. Dako shtoi se ”me anë të kësaj qendre komunitare në zonën e Nishtullës, kemi synuar të mbështesim komunitetin e zonës dhe sidomos atë rom, si dhe fëmijët e këtij komuniteti, me qëllim që t’i heqim ata nga rruga dhe t’i orientojmë drejt shkollës”. 
Po kështu kryebashkiaku Dako ka bërë me dije se në këtë qendër do të fillojë së shpejti një projekt për çeljen e kurseve për vegla muzikore për fëmijët e zonës në mënyrë që ata të shfaqin talentin e tyre. E ndërtuar me vizionin për të qënë një model i sigurimit të shërbimeve të domosdoshme për komunitetin, kjo qendër ka si qëllim të përmirësojë aksesin e komunitetit rom dhe egjiptian në shërbimet sociale nëpërmjet regjistrimit civil, policimit në komunitet, përfshirjes në kurse profesionale si dhe vendosjes dhe forcimit të rrjeteve të mediatorëve romë në fushën e shëndetit, arsimit, mbrojtjes së fëmijëve, shërbimin psikosocial (fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar). 
Shërbime të tjera për komunitetin që ofron kjo qendër, janë ato me bazë zhvillimin dhe integrimin e komunitetit të marxhinalizuar perfshirë, informim, ndërmjetësim dhe advokasi për formime të ndryshme profesionale; fuqizimi i të rinjve dhe pjesëmarja e tyre në proceset politike dhe vendimarrëse, ofrimi i mundësive per aktivitete argetuese; ndërmarja e fushatave sensibilizuese dhe ndergjegjësuese të ndryshme mbi të drejtat e njeriut dhe mobilizimin e komunitetit; advokaci, lobim dhe ndërmjetësim për probleme të ndryshme të komunitetit.