Dako: Projekte konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin rom

462
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, është takuar me përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian të Partisë për Evropianizim dhe Integrim në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Gjatë bashkëbisedimit, Dako ka rikonfirmuar sërish gatishmërinë për mbështjetjen e njerëzve në nevojë në mandatin e ri, me projekte konkrete që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe integrimin e këtij komuniteti në jetën sociale, ekonomike e kulturore të qytetit bregdetar.
Kandidati socialist ritheksoi sërish zotimin e tij se mandati i ardhshëm në krye të bashkisë do të jetë mandati i njerëzve në nevojë. “Kemi punësuar shumë njerëz nga komuniteti juaj në ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit, dhe ndermarrje të tjera, që çdokush nga ju të ketë mundësi që me punë të ndershme të mbani familjet tuaja. Unë ju garantoj që ky mandat do të jetë mandati i mbrojtjes së njerëzve në nevojë. Do bëjmë të pamundurën, do trefishojmë fondin për familjet në nevojë, do të trefishojmë shërbimet për familjet në nevojë në qytetin e Durrësit”, ka pohuar Dako.
Më tej, z. Dako është zotuar se investimet e realizuara deri më tani në Durrës do të luajnë një rol të rëndësishëm edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit rom e egjiptian që jeton në qytetin bregdetar dhe në mandatin e ardhshëm, ekipi që ai drejton ka projekte konkrete në drejtim të rritjes së aksesit te shërbimet sociale. “Në Qendrën Komunitare të ndërtuar në NISH-Tulla, do të shtojmë personel që të jemi në shërbim të komunitetit që jeton në atë zone”, – tha Dako, duke theksuar se “do të vazhdojmë punën tonë me projekte konkrete, me ndërtimin e banesave sociale, një plagë aq të mprehtë për komunitetin tuaj, si dhe shumë projekte të tjera të parashikuara për t’u zbatuar përgjatë mandatit të ardhshëm“, u shpreh Dako. 
Sigal