Dako përuron terrenet e reja sportive: Vizioni ynë edhe në 4 vitet e ardhshme

481
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka zgjedhur shkollën e muzikës Jan Kukuzeli ku është takuar me nxënës dhe mësues të kësaj shkolle për të përuruar përfundimin e punimeve për krijimin e fushave të sportit dhe rikonstruksionin e ambienteve të jashtme në të gjitha këto shkolla të qytetit. Gjatë fjalës së tij Dako veçoi se terrenet sportive do të jenë në shërbim jo vetëm për nxënësit, por edhe të të rinjve që mund ti shfrytëzojnë gjatë kohës së lirë. Kryeashkiaku, i cili është zgjedhur sërish nga mazhoranca si kandidat edhe në këto zgjedhje lokale, u shpreh se ky do të jetë vizioni i bashkisë edhe gjatë 4 viteve të ardhshme. 
“Çdo vit Bashkia e Durrësit investon në krijimin dhe përmirësimin e terreneve sportive nëpër shkolla. Këtë vit investuam në katër shkolla të qytetit dhe në këto investime kemi patur vizionin që terrenet sportive të mos përdoren vetëm nga nxënësit e shkollave por edhe nga rinia e zonës pas orarit mësimor. Pra këto terrene sportive në oraret e pasdites janë të hapura për rininë dhe të gjithë qytetarët për të kaluar kohën e lirë në mënyrë të shëndetshme në terrene sportive cilësore. Me këtë vizion do të vazhdojmë edhe në katër vitet e tjera për të tjera shkolla në Durrës por edhe në shkollat e Ishmit, Manzës, Rrashbullit, Katundit të Ri dhe Sukthit. Në të gjitha këto shkolla ne do të krijojmë terrene sportive moderne që do tu vlejnë nxënësve gjatë orarit mësimor por edhe të gjithë qytetarëve pas orarit të mësimit. Mirëmbajtja e shkollave dhe krijimi i terreneve sportive do të jetë në fokusin tonë katër vitet e ardhshme” , tha Dako.
Me një investim prej rreth 19 milionë lekë janë krijuar fusha sportive në katër shkolla të Durrësit “Jan Kukuzeli”, “Marie Kaçulini”, “14 Nëntori” dhe “Jusuf Puka” si dhe janë rikualifikuar të gjitha hapësirat e tjera rreth këtyre shkollave duke krijuar ambiente të jashtme sipas standarteve moderne për këta nxënës. 
Sigal