Dako përuron rrugën “e Shqipeve”, prezanton dhe dy projekte madhore për zonën

440
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar rrugën Shqipeve në lagjen nr. 13 në zonën e plazhit, e cila është rikonstruktuar totalisht me fondet e Bashkisë me të gjithë aksesorët dhe tashmë banorët e kësaj zone kanë një rrugë krejt të re që i ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen kalimtarëve dhe mjeteve. Kryebashkiaku Dako me këtë rast takoi edhe banorët e zonës të cilët i kanë shprehur falenderimet e tyre për këtë investim që e ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e krejt zonës. Kryebashkiaku Dako në këtë përurim deklaroi se kjo rrugë do të lehtësojë jetesën e një komuniteti të tërë që banon në këtë zonë dhe që kishin si problem kryesor pikërisht këtë rrugë. Gjatë këtij takimi kryebashkiaku Dako pasi u ka shprehur mirënjohjen banorëve për mbështejen e dhënë, ka deklaruar se është kjo mbështetje e cila e motivon më shumë për të vazhduar punën me projektet madhore që po përmirësojnë jetesën e qytetarëve të Durrësit kudo ku ata banojnë: “Ju ishit dëshmitarë vetë se si ishte kjo rrugë para katër vitesh. Jeni dëshmitarë se si është transformuar e gjithë kjo zonë sepse nuk është vetëm kjo rrugë, por janë të gjitha rrugët lidhëse të zonës së plazhit të cilat tashmë janë bërë më funksionale, janë bërë më të hijshme, është lehtësuar qarkullimi, por njëkohësisht i shërben edhe turizmit familjar. Unë jam shumë optimist që ditë më të mira po vijnë për të gjithë zonën e plazhit. Kemi nisur rrugën tek posta që lidhet me autostradën. Është një rrugë lidhëse përfundimtare që do të themi kemi përfunduar të gjithë rrugët që lidhen në zonën e plazhit me zonën e Shkozetit, me rrugën kryesore, por njëkohësist edhe me autostradën. Ky qarkullim bën të mundur që trafiku në rrugën kryesore të plazhit, të reduktohet dhe ajo zonë, ajo rrugë të kthehen në një zonë pedonale, në një zonë urbane ku qytetarët dhe turistët të shëtisin. Kemi shumë punë për të bërë gjatë këtyre katër viteve që do të vijnë, jo vetëm për plazhin por për të gjithë Durrësin. Ajo që është më e rëndësishme, dua të theksoj, se turizmi është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin ekonomik të rajonit të Durrësit dhe ne do të punojmë shumë për rritjen e numrit të turistëve sepse mendojmë që te ardhurat tona, mirëqënia e cdo familje durrsake duhet të vijë nëpërmjet turizmit. Është një burim fitimi, një burim mirëqënije i jashtezakonshëm sidomos duke shfrytëzuar ambjentet kreative, transformimet e mëdha që i kanë ndodhur Durrësit dhe njëkohësisht plazhin që e kemi të mrekullueshëm dhe duhet ta mbajmë atë sa më pastër, të investojmë sa më shumë që të shtojmë numrin e turistëve.” Më tej kryebashkiaku Dako është ndalur edhe tek investimet etjera që do të përfitojë zona e plazhit: “Në sajë të fondeve të akorduara nga qeveria shqiptare do të investojmë një million dollarë për mbylljen e kanalit nga ura e dajlanit deri në Iliria dhe përveç krijimit të kanalizimit të mbyllur aty do të krijohet një rrugë e re. Përvec 1 million dollarëve të mbylljes së kanalit dhe krijimin e kësaj rruge të re, qeveria shiptare ka akorduar një fond prej 3.5 milion dollarësh vetëm për rrugën e plazhit. Pra rruga kryesore që e mbollëm me palma dhe ndricim e korsi biçikletash, tashmë do të marrim dhe një investim prej 3,5 milion dollarësh për sistemimin e të gjithë rrugëve hyrëse në det. Ato do të jenë të sistemuara, do të jenë të hapura të gjitha hapësirat për të kaluar pastër, lirshëm për në bregdet. Njëkohësisht kemi nxjerrë një ligj së bashku me Ministrinë e Turizmit për sistemimin e të gjithë hapësirave publike të shezllonave në zonën e plazhit dhe do të ketë detyrim ligjor cilido operator turistik që do të ketë një plazh privat, te ngrejë dushe dhe banjot të cilat do të jenë falas në shërbim të qytetarëve të thjeshtë.” Rikonstruksioni i rrugës “Shqipeve” ëshët realizuar me fondet e Bashkisë së Durrësit në vlerën 15.711.618 lekë dhe është shtruar me asfalt një sipërfaqe prej 2100 m2, është realizuar rrjeti i kanalizimeve në 1100 metër linear si dhe janë vendosur 16 shtylla ndriçimi.
Sigal