Dako përuron disa rrugë të reja: Dikur problematike, sot lagje model e qytetit

492
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar disa rrugë dhe hapësira publike të reja në lagjen 18 të Durrësit. Kjo lagje ka qenë një nga lagjet më problematike të Durrësit ndërsa sot është kthyer në një nga lagjet më të mira me hapësira publike dhe gjelbërim si dhe rrugë të asfaltuara, kanalizime e trotuare duke u kthyer në një lagje model në qytet. Kryebashkiaku Dako ka përurar rrugët “Jeta e Re” dhe “Bashkim Taga” si dhe kuartallet përreth. Kryebashkiaku Dako gjatë këtij përurimi ka bërë me dije edhe një projekt të ri prej 750 mijë dollarësh për sistem monitorimi me kamera në qytet për rritjen e sigurisë dhe për ruajtjen e pronës publike si dhe projektin e ri për veshjen me kapotë të pallateve parafabrikate me qëllim kursimin e energjisë. 
“Kemi ardhur në lagjen tuaj me premtime të mbajtura pasi të gjithë ju e mbani mend si ka qenë lagja 18 para disa vitesh, me infrastrukturë të rënduar dhe probleme të shumta ndërkohë që sot pas investimeve dhe punës që ka bërë bashkia e Durrësit lagja 18 është kthyer në një lagje model me hapëira publike të gjelbëruara dhe rrugë të asfaltuara. Në sajë të punës sonë kjo lagje është transformuar tërësisht duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj zone. Kështu do të vazhdojmë edhe mandatin tjetër dhe jo vetëm në këtë zonë por në të gjithë Durrësin dhe premtojmë se modeli i urbanizimit të kësaj lagjeje do të jetë modeli ynë edhe për zonat e Ishmit, Manzës, Sukthit, Rrashbullit dhe Katundit të ri. 
Po kështu do të vazhdojmë punën në këtë lagje pasi kemi aplikuar edhe për një projekt tjetër me fonde të BE ku projekti ynë është veshja me polisterol apo siç quhet ndryshe me kapotë e të gjitha pallateve të parafabrikateve me qëllim kursimin në mënyrë të ndjeshme të energjisë elektrike. Ne do ta ndryshojmë infrastrukturën e rënduar në të gjithë territorin e ri të bashkisë së Durrësit, ne do ti japim Durrësit atë që meriton si mushkëria e dytë e Shqipërisë”, u shpreh Dako.
Sigal