Dako: Personat me aftësi të kufizuar, në fokusin e bashkisë

519
Kryebashkiaku Vangjush Dako mori pjesë në aktivitetin për krijimin e rrjetit të institucioneve që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuar. “Personat më aftësi të kufizuar dhe, sidomos fëmijët me aftësi të veçanta, kanë qenë dhe do të jenë në vazhdimësi në fokus të punës tonë. Buxheti i bashkisë tonë ka ardhur vazhdimisht në rritje nga viti në vit dhe ne besojmë se një bashkëpunim më i mirë mes të gjithë aktorëve do të ketë rezultat më të madh”, është shprehur kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e rrjetit të përbashkët midis OJF-ve dhe institucioneve rajonale dhe lokale që kanë në fokus të punës së tyre personat dhe fëmijët me aftësi të kufizuar. Kreu i bashkisë Dako shtoi se, “me këtë rast dua të falënderoj organizatën “Save the children” dhe donatorë të tjerë që kanë punuar me bashkinë tonë”. “Unë do t’i bëja thirrje të gjitha organizatave të tjera që janë të interesuara për të punuar me këtë kategori të shoqërisë që ta shohin bashkinë si një partner serioz, pasi ne do të jemi vazhdimisht përkrah tyre. Bashkia i ka pasur dhe i ka prioritet personat me aftësi të kufizuar, pasi kjo është pjesë e programit social dhe paktit të firmosur midis nesh dhe ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.”

Qendra e shërbimeve komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara funksionon prej 8 muajsh në lagjen 17 të qytetit të Durrësit. Në fillim të vitit të ardhshëm ajo do të kalojë në varësi të bashkisë. Ajo frekuentohet nga shumë fëmijë me aftësi të kufizuara ku specialistë të shëndetit, logopedë, fizioterapistë dhe psikologë punojnë në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Sigal