Dako në Porto Romano: Urbanizim i plotë për të gjitha zonat informale

571
Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale dhe që në fillim të vitit të ardhshëm ky projekt do të konkretizohet me urbanizimin e plotë të Porto Romanos ka deklaruar kryebashkiaku Vangjush Dako në takimin që Ministria e Zhvillimit Urban realizoi me banorë të Porto Romanos për përfshirjen e kësaj zone në projektin pilot për zhvillimin dhe urbanizimin e zonave informale. Dëgjesat publike në kuadër të projektit që MZHU dhe REC në bashkëpunim me NJQV dhe ALUIZNI, që janë ndërmarrë për disa zona informale të shtrira në të gjithë vendin me temë: “Urbanizimi dhe integrimi social-mjedisor i zonave informale në drejtim të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit” kanë vazhduar në zonën informale “Lagjja 15” Porto Romano, Durrës. 
Kryebashkiaku Dako duke përshëndetur takimin tha se jam i bindur se ky projekt do të fillojë të bëhet realitet që në fillimin e vitit të ardhshëm, ndërsa ne si bashki kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e administratës tonë në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës për këta banorë. Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale. Ai shtoi se ashtu siç kemi bërë në zonën që tashmë me të drejtë i themi Durrësi i ri, ku kemi realizuar ndërtimin e 10 rrugëve të reja me të gjithë parametrat bashkëkohorë, si kanalizime, ndriçim dhe gjelbërim, ashtu do të bëjmë edhe për zonat e tjera. Dako shtoi se modeli ynë që po aplikojmë sapo ka nisur dhe ne nuk do të mjaftohemi vetëm me rrugët, por edhe infrastrukturën për kopshte, çerdhe dhe shkolla. Dako përmendi edhe krijimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë, të cilën e cilësoi si investimin më të madh në 25 vitet e fundit. 
“Jo shumë larg nga këtu, afro 1 km, ne do të kemi zonën e lirë ekonomike, e cili do të jetë investimi më i madh në 25 vjet që është bërë në vendin tonë. 483 ha është sipërfaqja e kësaj zone që do të shfrytëzohet për industrinë e lehtë, platforma panairesh, prodhime manifakturash, etj duke qenë kështu një platformë për biznesin e perëndimit në vendin tonë”. Dako deklaroi para banorëve të Porto Romanos se zona e lirë ekonomike që u miratua me vendim qeverie në afërsi të kampusit të universitetit në Spitallë do të hapë mijëra vende pune, në të cilën pritet të punësohen mijëra banorë të Spitallës, Porto Romanos dhe të të gjithë Durrësit. 
Kryebashkiaku Dako e mbylli fjalën e tij duke deklaruar se me punën që është bërë dhe po bëhet Durrësi do të jetë model i zhvillimit për gjithë vendin, ndërsa shumë shpejt ne do krijojmë modelin për turizmin, bujqësinë dhe industrinë duke e përçuar këtë model edhe më gjerë. Kjo dhe dëgjesat e tjera që do të zhvillohen në zona të ndryshme të vendit, do të shërbejnë për hartimin e programeve dhe projekteve të posaçme, për urbanizimin dhe integrimin e zonave informale, parë në këndvështrimin e mbrojtjes, ruajtjes dhe përmirësimit të mjedisit nëpërmjet instrumenteve të ndryshme dhe pjesëmarrjes së komunitetit në partneritetin publik-privat.
Sigal