Dako në ish-Kënetë: Gjelbërim brenda 3 vjetësh, do realizoj projektin e jetës

49
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, është takuar sërish me banorët e zonës së njohur me emërtimin ish-Këneta, apo Durrësi i Ri sikurse e quan kryebashkiaku Dako. Përveç sfidës së urbanizimit të kësaj zone, kandidati socialist ka edhe një projekt për gjelbërimin intensiv të saj. Në çdo banesë, bashkia do të mbjellë 2 rrënjë pemë, të cilat brenda 3 vitesh lëshojnë shtat dhe bëhen 15 m të larta. Projekti, i cili do të nisë në janarin e vitit të ardhshëm quhet “Projekti Paulounia” dhe është “Projekti i Jetës i Vangjush Dakos”, siç u shpreh për banorët kryebashkiaku i qytetit bregdetar.
Ndërkohë që do të vazhdojë puna në mënyrë që në këtë zonë të mos ketë asnjë kanal të hapur dhe asnjë rrugë të pashtruar, është shprehur Dako, teksa renditi projektet e realizuara këto 4 vjet nga Bashkia e Durrësit në zonën e ish-Kënetës. “Takohemi përsëri këtu pas 4 vjetësh dhe ju jeni dëshmitarë të transformimit të madh që ka ndodhur në këtë zonë. Ato rrugë të cilat i premtuam se do t’i asfaltonim, janë bërë tashmë realitet. Janë ndërtuar trotuare, është përmirësuar furnizimi me ujë, janë mbyllur kanale dhe janë bërë investime për urbanizimin e kësaj zone, për ta transformuar e sistemuar këtë zonë që e kemi quajtur Durrësi i Ri. Kjo sepse për ne qytetarët janë të gjithë njëlloj dhe meritojnë shërbime të njëjta,” tha Dako.
Më pas, Dako shtjelloi për të pranishmit projektin e tij që synon gjelbërimin e kësaj zone me intensitet të lartë ndërtimi. Ai tha se, “përpara dy vitesh, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut hapi një konkurs për të gjithë kryetarët e bashkive të botës, për t’ju dhënë një ide se si do mund të zhvillonin qytetet e tyre. Unë i shkrova dhe i dhashë një ide për zhvillimin e të gjithë zonës informale të cilën kur e shikon nga lart vëren vetëm godina, vetëm objekte. Mendova që të gjithë këtë zonë ta mbjell me pemë, dhe kur ta vështrosh nga sipër të shikosh vetëm ngjyrën e gjelbër. Po kërkoja ta zhvilloja këtë projekt, por ai kishte një kosto shumë të lartë dhe kërkonte shumë kohë. Megjithse nuk e fitova këtë projekt, që nga ajo kohë mendja ime ka punuar vetëm për realizimin e tij”, tha Dako.
Dhe një ditë të bukur takova këtë zonjën italiane, e cila më tha se ne kemi një bimë, një pemë, e cila rritet për 3 vjet dhe arrin 15 m lartësi. I thashë se kam gjetur zgjidhjen e duhur, se unë këtë e kam projektin e jetës sime, duke synuar që të mbjell territorin e zonës informale me këtë pemë. Këtë projekt do ta bëjmë realitet që në fillim të vitit të ardhshëm. Në janar, me një investim prej rreth 100 mijë dollarë, ne do të realizojmë të mbjellim në çdo shtëpi nga 2 pemë.