Dako në Durrës: Një familje e shëndoshë është baza për një shoqëri të shëndoshë

53
Dita Ndërkombëtare e Familjes është një ditë e rëndësishme për të ngritur mesazhe të fuqishme shprese për rëndësinë e familjes, në të gjithë Shqipërinë. “Lumturia fillon në familje” është mesazhi kryesor i kësaj fushate që ka si qëllim të forcojë më shumë lidhjet mes pjesëtarëve të familjes, promovuar vlerat e saj dhe për ta fuqizuar më shumë atë si intitucion. Në këtë aktivitet u festua për vlerat e familjes. Në simbol të kësaj, u zhvillua një koncert, në të cilin u dhanë mesazhe qytetare për të gjithë pjesëmarrësit. Në sheshin “Liria” ishin të vendosura gjithashtu “Shtëpizat e Lumturisë”, në të cilat familje të ndryshme kryen promovime për të dhënë shembullin e tyre se si arrijnë ta mbajnë familjen e tyre të lumtur. Gjithashtu kjo ditë shërbeu për të rritur informimin rreth proceseve sociale, ekonomike dhe demografike që prekin familjen. 
Aktiviteti ndërgjegjësues “Lumturia Fillon në familje” u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Durrës, në partneritet me Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, World Vision, Qendrën për Zhvillim Komunitar Sot për të Ardhmen, Ëorld Hope, Shpresë e Gjallë, Qendrën Kristiane të Durrësit, Qendrën e Zhvillimit të Shoqërisë Civile dhe Shoqatën e Grave me Probleme Sociale. Në këtë aktivitet të zhvilluar në sheshin Liria ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku Vangjush Dako i cili theksoi se Bashkia e Durrësit ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në ndihmë të njerëzve në nevojë duke dhënë kontribut edhe për zbutjen e problematikave në familjet e këtyre njerëzve në nevojë. 
Më tej Kryebashkiaku Dako theksoi se një familje e shëndoshë është baza për një shoqëri të shëndoshë. Zhvillimi i politikave i shoqëruar me zbatimin dhe monitorimin e programeve të orientuara nga fuqizimi i familjes janë thelbësore për një jëtë sa më të mirë në familje dhe ofrimi i tyre për këdo. Ky aktivitet erdhi si përmbyllje të një fushate informimi dhe ndërgjegjësimi disaditore që është zhvilluar në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit ku partnerët kanë promovuar vlerat e familjes. Ndërkohë puna për fuqizimin e familjeve ka nisur që dy vite më parë me nismën e suksesshme “Viti i Familjes”, ku punohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për të promovuar familjen e shëndetshme si një institucion ku njerëzit e duan njëri-tjetrin, komunikojnë, i rrisin fëmijët me disiplinim pozitiv qëndrojnë së bashku përballë sfidave e vërshtirësive.