Dako në 1 Qershor: Infrastrukturë të re për fëmijët me aftësi të kufizuar

5
Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka festuar së bashku me fëmijët në festën e 1 Qershorit. Fillimisht në sheshin para pallatit të kulturës Kryebashkiaku Dako ka uruar fëmijët për festën duke premtuar se bashkia do të mbështesë fëmijët duke ndërtuar sa më shumë kopshte e çerdhe. Fëmijët kanë ndjekur edhe aktivitete e shumta festive që janë zhvilluar me këtë rast në sheshin para pallatit të kulturës.
Më pas, kryebashkiaku Dako, së bashku me ministrin e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, kanë festuar me fëmijët me aftësi të kufizuara në një nga qendrat tregtare të qytetit.
Dako tha para këtyre fëmijëve se bashkia do të krijojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme rrugore për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve të kësaj kategorie, ndërsa premtoi ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ku në të gjithë trotuaret do të ndërtohen ramba lehtësuese për lëvizjen e karrocave për fëmijët dhe të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar.
Ndërkohë, ministri Klosi u shpreh se ndihet mirë që në ditën e parë të punës si ministër ta kalojë me një grup fëmijësh që kanë nevojë për mbështetjen e shtetit.
Klosi duke uruar fëmijët për festën e tyre tha se më vjen mirë që qendra kulturore e fëmijëve në Durrës e ka menduar që këtë festë ta ndajë bashkë me fëmijët me aftësi të kufizuar dhe Ministria e Mirëqënies Sociale do të jetë gjithmonë në krah të tyre. 
Një falënderim edhe për ata që i’u kanë qëndruar gjithmonë në krah atyre, sidomos ata nga fusha e biznesit, duke premtuar se ne do ta shtojmë këtë bashkëpunim. Aktivitetet tona në ndihmë të grupeve të tilla do të jenë të pamundura nëse nuk kemi një bashkëpunim të tillë me biznesin. Ju jemi shumë mirënjohës dhe vlerësojmë kontributin tuaj dhe besojmë se Zoti do jua ua shpërblejë në një mënyrë a tjetër.