Dako me banorët e Plazhit: “Zonë e destinuar për turizmin”

471
Sigal

Ndalesa e radhës e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, ka qenë lagjja 13 në Plazh. Zona e Plazhit ka qenë dhe do të mbetet potenciali më i madh i bashkisë së Durrësit, -i’u është drejtuar Dako mijëra banorëve, dhe dhjetëra të rinjve të LRI-së dhe FRESSH-it të pranishëm në takim. Ai ka shtjelluar gjithashtu përmendur projektet më të rëndësishme që kanë filluar të zbatohen në këtë zonë dhe ato që pritet të fillojnë në muajin shtator.
“Në zonën e Plazhit kemi rikualifikuar hapësirat në dy mbikalimet e Plepave dhe Urës së Dajlanit, ku të gjithë e mbajmë mend se si ishte gjendja në këto mbikalime dhe si është bërë sot. Në muajt e ardhshëm nis projekti prej 3.5 milion dollarë për rikualifikimin e të gjitha daljeve drejt detit si dhe ndërtimin e shëtitoreve të reja, parqeve dhe këndeve të lojrave për fëmijë. Një projekt tjetër prej 1 milion dollarë për mbylljen e kanalit të hapur ka filluar dhe sipër kanalit ne ndërtojmë një rrugë të re për zonën tuaj”, -u tha Dako banorëve.

Kreu i bashkisë së Durrësit ka përmendur si investimin më të rëndësishëm për Plazhin atë të ujit të pijshëm. “Projekti më i ri për ujin e pijshëm me fonde të Bankës Botërore nis shumë shpejt, që në muajin shtator të këtij viti. Një vit pas nisjes së këtij investimi Durrësi dhe zona e Plazhit do të kenë tre herë më shumë ujë të pijshëm dhe kjo do të thotë që jo vetëm banorët do të kenë furnizim më të mirë, por edhe lokalet dhe mjediset në shërbim të turizmit gjithashtu. Nga ana tjetër në të njëjtën periudhë nis edhe investimi për kanalizimet e ujërave të zeza me vlerë 4 milion euro për zonën e banuar, janë kanalet sekondare dhe terciale që do të lidhen me kolektorin kryesor për të shkuar në impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shënavlash’, -tha më tej kreu i bashkisë së qytetit bregdetar.
Vangjush Dako ka deklaruar se të gjitha këto projekte që po vihen tani në zbatim, duhet të kishin nisur vite më parë, por ato u mbajtën peng nga qeverisja e kaluar. Kandidati socialist ka shpjeguar se vetëm pasi ndërmarrja e ujësjellës kanalizime kaloi në varësi të bashkisë në shtatorin e vitit 2013, Banka Botërore nënshkroi marrëveshjen me qeverinë dhe bashkinë e Durrësit për financimin me 85 milion dollarë për ujin e pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Dako ka përmendur edhe rrugën paralel me murin e portit, e cila u hap për qarkullimin e mjeteve vetëm dy ditë më parë. “Edhe këtë rrugë, e cila është një mundësi më e mirë për banorët e plazhit për të ardhur më shpejt në Durrës, qeveria e kaluar e mbajti peng për 6 vjet me radhë. Vetëm për 200 metër tokë që nuk pranonte ta jepte drejtoria e përgjithshme e hekurudhës, kjo rrugë mbeti e bllokuar, por tani kemi një realitet tjetër, falë vizionit tonë për lehtësimin e trafikut dhe krijimin e rrugëve të reja hyrëse drejt Durrësit”.
Dako e mbylli fjalimin e tij duke thënë se ne tani për Durrësin japim imazhin e një qyteti turistik në zhvillim duke hedhur themelet për zhvillimin ekonomik të gjtihë bashkisë së re të Durrësit. Turizimi është një nga mundësitë tona më të mëdha dhe gjithçka në këtë zonë duhet të rrotullohet rreth turizmit, pasi kjo është e ardhmja juaj, tha Dako.