Dako me banorët e Perlatit: Punë e investime sa 20 vjet të marra së bashku

435
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, gjatë një takimi me banorët të fshatit Perlat në bashkinë e Sukthit ka deklaruar se “Meritoni të gjitha shërbimet ashtu si qytetarët e tjerë të Durrësit, meritoni rrugë e trotuare të shtruara, rrugë me ndriçim e gjelbërim. Në çdo fshat është e njëjta situatë, ku mungojnë shërbimet dhe infrastruktura, prandaj që në fillim të këtij mandati do të bëjmë aq sa nuk është bërë sa 20 vjet të marra së bashku në zonën tuaj”.
Dako ka shtuar se gjatë 8 viteve të punës së tij në krye të bashkisë nuk i ka parë punët dhe investimet vetëm për zona preferenciale apo që ato të jenë në shërbim vetëm të një grupi të caktuar banorësh, por si punë e shërbime për gjithë banorët, kudo ku jetojnë dhe pavarësisht se janë të majtë apo të djathtë. Dako ka theksuar se zhvillimi ekonomik i zonës do të mbështetet në dy shtylla kryesore, siç janë toka bujqësore dhe deti. “Jemi të vendosur për të zhvilluar bujqësinë, të vendosur të ndihmojmë fermerët dhe t’i orientojmë ata drejt kultivimit të vreshtave dhe ullirit. Nga ana tjetër, aty ku toka është e përshtatshme për sera do t’i orientojmë fermerët që të kultivojnë produkte bio, sepse vetëm kështu konkurohet me tregun rajonal”, tha më tej Dako.
Kandidati socialist ka deklaruar se puna e feremerit është vetëm cilësia dhe rritja e prodhimit, pasi për shitjen duhet të mendojë shteti. “Ne do të jemi pas jush në çdo sipërmarrje dhe aktivitet, do të hapim pika grumbullimi për produktet tuaja dhe me anë të tyre do të garantojmë shitjen”, shtoi më tej Dako. Zhvillimi i bujqësisë nuk mund të vijë pa ide dhe projekte konkrete, -ka thënë Dako para banorëve të Perlatit, -ne do të vëmë në punë të gjithë rezervuarët e zonës për vaditjen e tokave si dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse. Kryebashkiaku Dako ka deklaruar se së shpejti në zonën e Sukthit nis investimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me vlerë 6 milion euro. Ky investim pritet të rrisë ndjeshëm cilësinë e furnizimit të banesave me energji elektrike, duke nxjerrë jashtë funksionit linjat e vjetra.
Sigal