Dako me banorët e lagjes 18: Durrësi qytet evropian, i denjë si portë hyrëse e Evropës

492
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, është takuar me banorët e lagjes nr. 18, një lagje mjaft problematike para pak vitesh përsa i përket infrastrukturës. Duke folur për këtë çështje, kandidati socialist u ka kërkuar banorëve të pranishëm në takim të risjellin në kujtesë problemet e shumta që lidheshin me rrugët me gropa, bllokimin e pusetave, përmbytjet dhe mungesën e ujit të pijshëm. “Sot kemi një situatë krejt tjetër, hapësira midis pallateve janë sistemuar tërësisht, kemi mbjellë pemë të llojeve të ndryshme, zgjidhëm problemin e rrugëve dhe të ujit të pijshëm. Kjo lagje ka ndryshuar rrënjësisht dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë”, tha Dako.
Kryebashkiaku i qytetit bregdetar ka deklaruar gjithashtu se kemi projekte konkrete për këtë zonë, një prej të cilëve është izolimi me sistemin kapot për të gjithë pallatet parafabrikat. Dako ka shpjeguar se të gjithë pallatet para fabrikat në lagjes nr. 18 do të suvatohen nga jashtë dhe do të izolohen me polisterol, gjë që do të kursejë ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike për familjet që banojnë në këto pallate. Projekti në fjalë është një projekt ekologjik që rrit cilësinë e jetës për banorët, sidomos gjatë dimrit, pasi pallatet e ndërtuar sipas modelit parafabrikat për shkak të materialeve të ndërtimit që janë përdorur, janë të ftohtë.
Dako ka theksuar se puna e bashkisë nuk është përqendruar vetëm në lagjen nr. 18, pasi e njëjta gjë është bërë edhe në lagjet e tjera, ku falë punës dhe investimeve të realizuara, tashmë kemi një infrastrukturë krej tjetër me shërbime të përmirësuara ndjeshëm. Duke folur për qytetin në tërësi Dako ka deklaruar se tashmë qyteti ynë është një qytet që nuk ka asnjë dallim nga qytetet evropiane dhe falë zhvillimit dhe modelit të këtij qyteti, në të njëjtën mënyrë do të zhvillohet i gjithë vendi. “Ne e meritojmë të jemi jo vetëm vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por të jemi një vend anëtar me të drejta të plota, si të gjithë vendet e tjera të Evropës”, – është shprehur Dako.
Sigal