Dako, kryebashkiaku i vetëm që do të përballojë fushatën e PS për Durrësin

84

 

Kryesia e Partisë Socialiste cakton të deleguarit në
qarqe

 

Kryesia e
Partisë Socialiste u mblodh këtë të hënë për të vendosur drejtuesit e grupeve
të punës në 12 qarqet e vendit, të cilët edhe do të udhëheqin degët lokale të
partisë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të ardhshëm. Bie në sy mungesa
e Koço Kokëdhimës, që mbante postin e koordinatorit për Vlorën e Gjirokastrën.
Ai është zëvendësuar nga ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, që caktohet
në Vlorë dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi, që do të
drejtojë grupin e Gjirokastrës. Për Tiranën, grupi i punës do të drejtohet nga
ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa në Durrës, ky grup do të drejtohet
nga kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako. Damian Gjiknuri, që në
2013 u angazhua në Elbasan, emërohet në krye të grupit të punës të socialistëve
në Qarkun e Vlorës, ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në atë të
Shkodrës. Gramoz Ruçi do të drejtojë grupin e punës në Qarkun e Fierit, aty ku
edhe ka marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet e 2013-s, ndërsa ministri i Mirëqenies
Sociale, Blendi Klosi drejton Qarkun e Beratit. Taulant Balla do të drejtojë
grupin e punës në Elbasan, ndërsa Ilir Beqja emërohet në krye të grupit të
Kukësit. Në Dibër, ku socialistët dhe koalicioni qeverisës rifituan Bashkinë me
një diferencë të thellë votash, grupi i punës do të drejtohet nga ministrja e
Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Të deleguarit
sipas qarqeve:

Saimir Tahiri –
Tiranë

Gramoz Ruçi-
Fier

Taulant Balla –
Elbasan

Vangjush Dako –
Durrës

Damian Gjiknuri
– Vlorë

Niko Peleshi –
Korçë

Ditmir Bushati –
Shkodër

Blendi Klosi –
Berat

Lindita Nikolla
– Lezhë

Mimi Kodheli –
Dibër

Bledi Çuçi –
Gjirokastër

Ilir Beqja –
Kukës