Dako inspekton punën për plugimin dhe dezinfektimin e plazhit të Durrësit

480
Bashkia e Durrësit vazhdon punën për të mundësuar një sezon turistik sa më të mirë në mënyrë që të thithë sa më shumë turistë të huaj dhe vendas. Ndërmarrja Komunale e Plazhit pranë Bashkisë së Durrësit ka nisur punën për plugimin dhe dezinfektimin e rërës që është një proces gjatë të cilit pastrohet tërësisht i gjithë plazhi i Durrësit duke e bërë atë në kushte optimale pastërtie. I pranishëm në këtë proces ishte dhe kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ka inspektuar punën e bërë. Kryebashkiaku Dako deklaroi se po punohet intesivisht në plazhin e Durrësit me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mirë. Dako, deklaroi se po punohet për ti paraprirë të gjithë problemeve të mundshme, ku prioritet i është dhënë krijimit të kushteve sa më të mira për të gjithë pushuesit: “Turizmi është një nga prioritetet kryesore të Bashkisë sonë. Po punojmë me intensitet për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë këtij sezoni turistik. I kemi marrë masat e nevojshme për pastrimin e plazhit dhe tashmë jemi në fazën e fundit që ka të bëjë me procesin e plugimit dhe dezinfektimit i cili përfundon në pak ditë. Ne po krijojmë kushte pritjeje dhe akomodimi optimale për të gjithë pushuesit. Ne si bashki jemi angazhuar që të kemi një sezon turistik të suksesshëm, sa më pranë kërkesave të turistëve të shumtë që pritet të vizitojnë qytetin tonë këtë verë.” Plazhi i Durrësit, mbetet një nga më të frekuentuarit në vend nga pushues të shumtë ku edhe për këtë vit pritet të shënojë një numër rekord pushuesish. Aktualisht po punohet për plugimin dhe dezinfektimin e plazhit në 17 hektarë. Në fillim është kryer pastrimi tërësor i bregdetit nga leshterikët ndërkohë që plugimi dhe dezinfektimi krijon një bregdet tërësisht të pastër dhe nga ana higjenike për pushuesit që pritet të popullojnë plazhin këtë sezon. Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përveç turizmit të banjove diellore Durrësi ofron, turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Në tërësi qyteti i Durresit përbën një ansambël shumë të rëndësishëm historik dhe kulturor të Shqipërisë ndaj edhe Bashkia e Durrësit që e ka prioritet zhvillimin e turizmit po krijon të gjitha kushtet për akomodimin e mijëra turistëve që pritet të vizitojnë qytetin këtë sezon.
Sigal