Dako inspekton investimet në Durrës

37
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, inspektoi një rrugë të re, paralel me rrugën Pavarësia. Një tjetër rrugë moderne, me të gjithë parametrat e nevojshme, trotuare dhe ndriçim, i shtohet qytetit të Durrësit. Në sajë të një investimi të përbashkët mes Bashkisë Durrës dhe qeverisë u bë e mundur rikonstruksioni i plotë i rrugës, me një gjatësi prej 1.8 km. Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako inspektoi punimet, të cilat janë drejt fundit, teksa u shpreh se ky investim i ka dhënë lagjes një pamje krejt tjetër ndërkohë që do të lehtësojë ndjeshëm trafikun në rrugën “Pavarësia”. “Ka qenë një kanal i hapur me ujëra të zeza, ujëra të bardha. E kemi mbyllur, e kemi kthyer në një rrugë me trotuare. Është afro 1.8 kilometra rrugë, investim i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit. Është një rrugë paralele me rrugën “Pavarësia”. Bërja e kësaj rruge do të bëjë të mundur që aksesi kryesor i rrugës “Pavarësia” të zhvendoset në këtë rrugë. Kjo është një rrugë e cila i jep zhvillim jo vetëm zonës por gjithë plazhit të Durrësit dhe lehtëson trafikun në rrugën ‘Pavarësia’”, u shpreh Dako. Më tej, kryebashkiaku bëri të ditur se rruga në fjalë “lidh Plazhin (Zonën) me Durrësin”. “Nga ana tjetër lidh Shkozetin me Plazhin dhe kemi dhënë mundësi dhe akses që nëpërmjet kësaj rruge banorët e Plazhit të kalojnë edhe në autostradë”, tha Dako. Rruga ka një gjatësi prej afro 1.8 km, gjerësi 6 metra dhe trotuare nga të dyja anët,janë kryer të gjitha punimet nëntokësore si dhe do të ketë ndriçim. Rruga, e cila shtrihet nga baza e ish-Hekurudhës deri tek stacioni “Iliria” dhe do t’ju shërbejë afro 25 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.