Dako: Bujqësia, në qendër të vëmendjes në mandatin e dytë

537
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, Eglantina Gjermeni, Roland Xhelili, Klodiana Spahiu dhe Agim Karaj zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët e zonës së Sukthit. Gjatë bashkëbisedimit, Dako u shpreh se bujqësia është një nga pesë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit duke theksuar se ky sektor është edhe një prej sektorëve me mundësitë më të mëdha të punësimit. Duke e cilësuar zonën e Sukthit si një prej zonave me kapacitetet më të mëdha për zhvillimin e bujqësisë, kryebashkiaku bëri të ditur disa prej investimeve që Bashkia ka bërë në këtë zonë por edhe ato projekte që do të nisin së shpejti të zbatohen.

“Kemi filluar këtu me pastrimin e kanaleve. Do të vazhdojmë me rrugët, do të vazhdojmë me investime të tjera të shkollave. Do të vazhdojmë për të përmirësuar çdo ditë cilësinë e jetës së banorëve. Është projekti i madh i furnizimit me ujë të gjithë zonës. Nga ana tjetër, do të bëjmë rrugën e Rrushkullit, brenda këtij viti në muajt shtator-tetor do të fillojë rruga nga Perlati drejt Rrushkullit, pasi hapëm urën e cila lidhej me zonën e Sukthit, vazhduam me rrugën nga Hidrovori deri në Perlat”, tha Dako. Ai shtoi se do të vazhdohet përsëri me një aks të ri rruge që do të lidhë autostradën me Hamallaj. “Do bëhet një autostradë e re, e cila kushton afro 50 milionë dollarë, është pjesë e projektit që qeveria shqiptare ka për investimet 1 miliard dollarë në të gjithë Shqipërinë, një nga këto rrugët kryesore është rruga turistike, e cila do të lidhë autostradën me zonën e Hamallajt ku do të japë një përparësi turizmit të asaj zone, po nga ana tjetër do t’i japë mundësi edhe të gjithë fermerëve tanë të zhvillojnë tokat e tyre në krah të kësaj autostrade, pra do të ketë një mundësi zhvillimi më shumë për këtë zonë”, theksoi Dako.

Ndërsa kandidati Xhelili e cilësoi programin e Partisë Socialiste për bujqësinë si të shkëlqyer, duke theksuar se në mandatin e dytë mbështetja për fermerët do të jetë edhe më e madhe.
Sigal