Dajak dhe telashe po shave qeveritarë dhe deputetë

27
Qytetarët e Elbasanit po kalojnë muajt e fundit një shok psikologjik, që lidhet me atmosferën me të cilën ata po përballojnë hallet, problemet dhe vështirësitë e jetës. Sikur të mos mjaftonte papunësia e cila ka pllakosur në mbi 45 për qind të qytetit, sikur të mos mjaftonte mungesa e ndihmës ekonomike dhe financiare, ndihma nga shteti për të siguruar mbijetesën, apo edhe problematika të ditës, qytetarëve u duhet të përballen edhe me pasojat e spiunlliqeve që nuk rreshtin orë e çast. Duket sikur të gjithë spiunojnë të gjithë. Dhjetra qytetarë të Elbasanit i deklaruan “Telegraf” se “nuk guxojmë të flasim në dyqane, kafene, hyrje pallatesh, apo mes komshinjsh, pasi ka kudo spiunë, që çojnë fjalët tona të deformuara tek inspektori i zonës, shefi i repartit, drejtori apo tek uniformat ngjyra-ngjyra të shtetit dhe të gjen belaja”. Lidhur me pretendimet e tyre ata thanë se “vetëm dy ditë më parë në një kafene ka ndodhur një ngjarje e pakëndshme, kur papritur kanë hyrë dy badigardë të një drejtuesi institucioni dhe kanë keqtrajtuar një person që sapo kishte sharë shefin e tyre, pasi e kishte flakur nga puna pa të drejtë dhe kishte punësuar pas 24 orëve një tjetër të paaftë kundrejt parave”. Kjo bisedë ishte dëgjuar nga spiuni që ne edhe sot nuk e dimë se kush ishte dhe iu raportua gjithçka atij me celular. Kudo një klimë terrori psikologjik, njerëzit kanë frikën të flasin edhe me celular në bulevard, tek lokalet e lira dhe të shtrenjta, tek mjediset publike dhe familjare, pasi u duket sikur përgjohen. Elbasani është vendi kampion ku spiuni merr dhe jep informacione pa para, vetëm e vetëm për të krijuar skena apo për t’i bërë keq kujdo. Qindra telefonata me zë, me shkrim, (sms) apo edhe me fotot e video, mbërrijnë në Komisariatin Dixhital çdo ditë vetëm nga Elbasan, aq sa nuk mbërrijnë në një muaj nga Tirana. Telefonata që raportojnë mbi “mjete të parkuara keq, mjete që janë të vjedhura, apo që kanë armë ose drogë” dhe në të gjitha rastet asgjë nuk ka rezultuar e vërtetë veç spiunimit falas. Po ashtu spiunët janë të kudogjendur si tek parku, lulishtet e qytetit, bar-restorantet, një shërbim i papaguar, por i kryer me zell dhe më e veçanta nga të papunë, apo parazitë dhe persona të akuzuar dhe të penalizuar. Një burrë rreth të 60-tave i tha “Telegraf” se “na u ngjall edhe njëherë koha e para 1990, nuk flasim dot një fjalë, nuk ngulim dot një gozhdë në shtëpi se spiunohemi dhe na gjen belaja, nuk shajmë apo përgojojmë dot një drejtor, deputet apo ministër jetojmë sikur të ishim në shtetrrethim”. Para disa ditësh tek Zyra e Punësimit dy të rinj kanë trokitur dhe kanë pyetur lidhur me ndonjë vend pune që mund të gjenin, por pas përgjigjes nga punonjësja e sportelit se “nuk kemi për zanatin tuaj”, ata kanë shfryrë duke sharë për qeverinë. Kaq ka mjaftuar që punonjësja, pavarësisht se në distancë, t’u jepte ultimatumin se “për ju nuk do të ketë punë, edhe sikur të vijnë kërkesa, shkoni hani fara luledielli”. Belanë kanë gjetur nga e “llapura” edhe tregtarët dhe ata që shesin rrugëve, ambulantët. Edhe ata kur kanë marrë njoftimin për “taksat e rritura apo pajisjen me kasën fiskale”, pavarsisht se janë drejt falimentit, kanë nisur të shfryjnë, shajnë dhe akuzojnë, por qysh të nesërmen janë përballur me “shtetin”. Kanë ardhur uniformat e shtetit dhe u kanë nxjerrë “ujin e zi”, nga kontrolli dokumentacionit, tek xhirua ditore dhe vjetore, e deri tek mungesa e kasës fiskale, dhe pastaj kanë mbushur fletën e gjobës, e cila ka qenë sa xhiroja e 6 muajve duke e detyruar ta mbyllë përgjithmonë aktivitetin. Por sikur të mos mjaftonin spiunët e terrenit, ata janë shtuar ndjeshëm edhe në zyrat e shtetit, shkolla, kopështet, çerdhet, dhe mes uniformave të çdo ngjyre. Këta të fundit janë për të ruajtur “kush shan qeverinë, ministrin, kryeministrin, dhe deri partinë”. Kudo dhe kurdo përgjatë 24 orëshit, njerëzit jetojnë me psikozën e frikës për vendin e punës, për banesën, të afërmit, aktivitetin dhe biznesin e tyre, për gjithçka jetike. Risi apo kthim mbrapa, këtë le ta thonë me zërin e tyre qytetarët, paçka se me frikë. 
110 pseudonimet e spiunëve të ish -Sigurimit të Shtetit
Medicina, Penicilina, Qukapiku, Inxhinieri, Çiftelia, Çorapja, Qepa, Kodrina, Dizenjatorja, Financieri, Drita, Stilografi, I Vogli, Alfons Ballshi, Raketa, Profesori, Shkrimtari, Dragoi, Cigarja, Livadhi, Dëbora e re, Furtuna, Luftëtari, Snajperi, Proletari, Intelektuali, Sqepi, Doku, Bozhuri, Plepi, Parafabrikati, Kitara, Ushtari, Gjeli, Grepi, Shishja e qumështit, Serbi, Çiklisti, Fryma, Vesa, Greku, Malësori, Tigri, Vinçi, Sapuni, Diplomati, Poeti, Urithi, Pëllumbi, Stuhia, Kastor, Ekspertja, Oxhaku, Bredhi, Iriqi, Komshiu, Osumi, Komandanti, Vigjilenti, Trimi, Kalaja, Fshatari, Rruga, Magazinieri, Nata, Dallga, Kominoshja, Dallga, Piktori, Xhuxhi, Trëndafili, Masoviku, Shkrepësja, Llulla, Fyelli, Arkitekti, Aktori, Torno, Kaçavida, Shkodrani, Kosovari, Kapteri, Agronomi, Zootekniku, Memeci, Koromania, Doktori, Qershia, Daja, Fryti, Demoni, Berthama, Kali Shalës, Poli Veriut, Bjeshka, Sandalja, Lisi, Fonogrami, Kronometri, Valltarja, Dirigjenti, Pashtriku, Vesa, Snajperi, Sykuqi, Përparësja, Pela e Egër, Bjeshka dhe Giza

Ilir DURMISHI