Dade sfidon Ramën: Nëse je europianist, siç prezantohesh, duhet të kishe ikur prej kohësh nga PS

215

Ish-ministrja e Jashtme dhe ish deputetja socialiste, Arta Dade, e ftuar në emisionin “Tempora”, është shprehur ndër të tjera se, kryeministri Edi Rama duhet të ishte larguar prej kohësh nga Partia Socialiste.

Sipas Dades, ‘nëse vërtetë do të mendonte si një europianist ashtu siç vetëprezantohet, duhet të kishte ikur prej kohësh në mënyrë që t’i hapte rrugë proceseve të tjera brenda Partisë Socialiste’.

“Përgjegjësite më te mëdha bien mbi mazhorancën. Dhe përgjegjësia më e madhe bie mbi drejtuesin e saj për të cilën prej një viti kam shprehur rezervat e mia. Nëse vërtetë do të mendonte si një europianist ashtu siç vetëprezantohet, duhet të kishte ikur prej kohësh në mënyrë që t’i hapte rrugë proceseve të tjera brenda Partisë Socialiste. Në mënyrë që qeveria të drejtohej nga njerëz me vizion që realisht të qartë për Bashkimin Europian dhe së pari me njerëz që kanë substancë në atë që bëjnë duke i çuar gjërat deri në fund. Për fat të keq një numër reformash që duhet të ishin bërë në mandatin e parë, unë gjykoj që nuk janë çuar deri në fund. Një shëmbull është reforma territoriale e cila nuk ka dhënë produktet që ishin konceptuar në fillim”, është shprehur Arta Dade.

Kjo nuk është hera e parë që Senatorja e së majtës kundërshton mënyrën se si Rama po qeveris vendin dhe po drejton PS-në.