Çuçi: Kuvendi ka shkelur afatin!

433
Sigal

Reforma zgjedhore u miratua në parlament,por kreu i KQZ-së  nuk është zëvendësuar

Eksperti i PS-së, në cilësinë e bashkëhartuesit të Kodit të ri Zgjedhor ka dhënë alarmin për shkeljen e afatit nga Kuvendi i Shqipërisë, për shpalljen e vendit vakant të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke iu referuar përcaktimit të nenit 181 të Kodit, Bledar Çuçi thotë se, ky hap duhet të ishte bërë menjëherë pas dekretimit të Kodit Elektoral nga Presidenti Bujar Nishani.”Ligji është i qartë, menjëherë pas dekretimit të Presidentit, Kuvendi duhet të shpallte vendin vakant, fakti që nuk e ka bërë nuk është një shenjë e mirë. Kjo duhet të shpallet menjëherë në mënyrë që personat e interesuar dhe që plotësojnë kushtet të mund të garojnë, duke bërë të mundur kështu një proces të shpejtë në mënyrë që brenda tre javëshit të parë të shtatorit, KQZ-ja të ketë anëtarët dhe kreun e ri të saj”,tha ai. Për “Ora News”, Çuçi konfirmon se PS-ja ka gati listën me emra për kandidat të mundshëm si anëtarë të KQZ-së, ku ende nuk është përcaktuar nëse do jenë edhe anëtarët aktual të këtij institucioni.  “Në PS ka filluar procesi i selektimit, ne kemi grumbulluar disa emra që mendojmë se janë të denjë dhe të gatshëm për të kontribuar si anëtarë të këtij institucioni dhe në momentin e parë që do të na kërkohet do të bëhet dhe publikimi i tyre”, u shpreh Çuçi. Ai i ka bërë apel qeverisë të nxitojë me nisjen e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, pasi koha shtrëngon dhe përdorimi i teknologjisë në zgjedhje është një element që kërkon marrjen sa më parë të masave.