Crowford: Bizneset e ndershme po ndëshkohen më shumë nga tatimet

386
Sigal

Gjobat arbitrare dhe taksat po largojnë biznesin drejt rajonit, të luftohet informaliteti

Tiranë- Dje u bë i ditur shqetësimi, që biznesi amerikan ka për mënyrën se si Drejtoria e Tatimeve po vepron ndaj kompanive të huaja dhe shqiptare. Sipas Presidentit të Dhomës Amerikane Marc Crowford në shumë raste Drejtoria e Tatimeve ka vendosur gjoba arbitrare, duke bërë që shumë biznese të largohen nga Shqipëria drejt rajonit. Duhet të kuptojmë kur ka një rritje tatimesh mbi fitimin apo pagesën, ka incitiv që nëse janë kompani që punojnë në rajon të shkojnë në Kosovë, në Maqedoni apo në Mal të Zi. Një firmë që është shqiptare ka punë këtu, por dhe në Kosovë, ka mundësi të bëjë një inversion, kur një kompani regjistrohet në një vend që është afër.” Shprehet i shqetësuar për këtë fakt Marc Crowford. Gjithashtu presidenti i Dhomës Amerikane Crowford, shpjegon se duhet të luftohet informaliteti pasi bizneset e ndershme po ndëshkohen më shumë nga tatimet kjo nuk është dhe drejtë. “Ne kemi parë që tregu formal mban gjithë peshën e tatimeve ndërsa tregu jo formal është i madh për Shqipërinë. Anëtarët tanë që janë regjistruar dhe në sektorin formal janë pak të shqetësuar se të gjithë këto tatime bien në sup të tyre. Ne duam të shikojmë që rritja e të ardhurave të ministrisë së Financës nuk vjen vetëm vertikale, d.m.th nga ato subjekte që janë tani, por të kapin dhe bizneset që kanë qenë jo formale. Të lehtësohen rregullat ose ligji për të përfshirë ata”,- thotë ai. Prej disa kohësh përfaqësues të biznesit të huaj, por edhe ata shqiptar janë ankuar në lidhje me vendosjen e gjobave në mënyrë arbitrare nga Drejtoria e Tatimeve, një problem ky që ende vijon të prek shumë biznese të rregullta në pagimin e taksave.