Çojini në burg politikanët e gjyqtarqët e korruptuar, ndryshe harroni Europën

470
Anxhela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, në vizitën e saj të parë në Tiranë, e bëri të qartë se rruga e Shqipërisë në integrimin e saj në Bashkimin Europian, kushtëzohet detyrimisht me zbatimin e një reforme në drejtësi, në atë kuptim, që të luftohet korrupsioni, duke ndarë qëndrimin e saj ndaj kryeministrit Rama, i cili pohoi se deri në vjeshtë, do të miratohet (si ligj) reforma në drejtësi. E thënë, më hapur, përtej asaj gjuhe diplomatike, këmbëngulja edhe e kancelares Merkel për zbatimin e reformës në Drejtësi ( jo thjesht miratimi i një ligji të ri), ata, udhëheqësit e BE kërkojnë nga politika shqiptare, qoftë maxhorancë dhe opozitë, që të zbatojnë reformë në drejtësi, do të thotë, që të çojnë në burg ata politikanë dhe gjyqtarë që janë të korruptuar. 
Burgu, për politikanë e gjyqtarë të korruptuar, kushti kryesor
Politikanët tanë, maxhorancë dhe opozitë, e kanë të qartë gjuhën dhe politikën e Merkel që shpalosi edhe në Tiranë, për rrugën që duhet të ndjekë tashmë Shqipëria për integrimin e saj në BE. Burgu duhet të jetë për politikanët e gjyqtarët e korruptuar, si kushti parësor për çdo negociatë anëtarësimi. Kohë më parë, edhe Rumania, edhe Kroacia, edhe Bullgaria, plotësuan këtë kusht kryesor, që u pranuan në BE. Gjykimi dhe burgimi i ishkryeministrave kroatë e rumunë është shembulli më i qartë se çfarë duhet të bëjë edhe politika shqiptare, kur kancelarja Merkel bën apelin edhe në Tiranë, që Shqipëria të zbatojë reformat në Drejtësi. “Shqipëria ka bërë progres për anëtarësim në BE, por jeni ju që duhet plotësoni kushtet. Reforma e drejtësisë në vend është e rëndëshme, dhe mendoj se Shqipëria mund të shfrytëzojë përvojën më të mirë evropiane, sidmos në luftën kundër korrupsionit”, – tha kancelarja Merkel në vizitën e pardjeshme në Tiranë. 
Donald Lu: Poshtërim për popullin shqiptar kandidimi i personave të inkriminuar
Pavarësisht, se zgjedhjet e 21 qershorit, mund të certifikohen si më të mira të zhvilluara deri tani, prapëseprapë fakti që partitë politike kandiduan për kryebashkiakë edhe persona me rekorde kriminale, duke përfituar edhe nga vetë sistemi zgjedhor, që u jep kryetarëve të partive ekskluzivitetin e listës së kandidatëve dhe boshllëkun në Kodin Zgjedhor për të penguar personat me rekorde kriminale, ndërkombëtarët nuk mund të pranojnë partneritet me të zgjedhur, që kanë në biografinë e tyre rekorde kriminale. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, publikisht dëri me dije se ambasada amerikane ka listë të zezë ndalim hyrjeje në SHBA për politikanë dhe të zgjedhur shqiptarë në pushtet. Çka do të thotë, që nëse Shqipëria kërkon vërtet partneritet reciprok në marrëdhëniet me SHBA, por edhe me BE, duhet që reformat në drejtësi t’i zbatojë, duke dënuar me gjithë fuqinë e ligjit politikanët e gjyqtarët e korruptuar, me rekorde kriminale, pavarësisht se çfarë pozite të pushtetit zotërojnë, apo që kanë ushtruar. 
Vllahutin: Korrupsioni në gjyqësor i barazvleshëm me talljen e qytetarëve
Edhe dje, ambasadorja e BE në Tiranë, nuk i ka kursyer më fjalët duke bërë apel të fortë e të prerë ndaj politikanëve shqiptarë, kur deklaroi se “korrupsioni në gjyqësor është ndër më kritikët në shoqëri dhe i barazvlefshëm me talljen e qytetarëve të vendit”. “Është folur shumë për gjyqtarë të korruptuar, por shumë pak janë ndjekur penalisht. Mua nuk më pëlqejnë hamendësimet dhe thashethemet. Të jesh gjyqtar do të thotë të kesh një nga punët më me dinjitet në shoqëri dhe në fakt, kjo reformë duhet të mbrojë të gjithë ata që e bëjnë punën e tyre me ndershmëri e integritet”, ka deklaruar Vlahutin. Nga ana tetër, ka vijuar ambasadorja, reforma në drejtësi duhet të synojë që prokurorët të bëjnë punën e tyre, duke hetuar punonjësit e drejtësisë të përfshirë në afera korruptive, pavarësisht se kush janë ata. “Kjo reformë duhet të nënvizojë qartë dhe të ndajë prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm nga ata që kanë sjellje kriminale dhe që janë duke shfrytëzuar burimet publike dhe qytetarët. Kjo duhet të jetë një reformë e thellë dhe pa kompromis”, ka thënë Vlahutin. Nga dokumenti analitik që kanë përpiluar të gjithë ekspertët së bashku, ka vijuar ajo, është e qartë se do të ketë nevojë për amendamente në Kushtetutë. “Dhe për këtë, unë jamë shumë e kënaqur që anëtarët e opozitës janë bërë tani pjesë e këtij komisioni të posaçëm parlamentar, sepse reforma në drejtësi në Shqipëri duhet të qëndrojë mbi çdo interes tjetër, qoftë ky interes privat apo politik”, ka thënë Vlahutin. Ajo ka mirëpritur kthimin e opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar, duke u shprehur e sigurt se anëtarët e saj do të japin mbështetjen e tyre të plotë. “Kjo nuk është një reformë politike, ajo udhëhiqet nga ekspertiza. Pra, nuk ka vend për negociata politike për angazhime nga më të ndryshmet apo për veto të caktuar, sepse nuk mund të ketë asgje të tillë kur ne flasim për sundimin e ligjit dhe dhënien e drejtësisë”, është shprehur Vlahutin. Drejtësia, ka theksuar ajo, ose jepet, ose nuk jepet dhe politika nuk duhet të ketë të bëjë fare me të. “Është pikërisht cilësia dhe qartësia që do të bëjnë diferencën dhe do të lënë mënjanë çfarëdo vagullsie, ndaj puna e grupit tuaj të punës është tejet e rëndësishme”, ka shtuar ambasadorja e BE Vlahutin.
Sigal