Çmenden italianët, 10 ton drogë helmojnë Ankonën

71
Vjollca KUTA

Kufiri i shqyer me lejen e krerëve të policisë, 10 ton drogë shqiptare çajnë detin drejt Italisë 
Vija bregdetare shqiptare dhe daljet e lumenjve në det, janë kthyer në “mole” prej nga nisen skafet e drogës
Letra konfidenciale e “Europol” për Ramën dhe Tahirin: Prej 2 vitesh, Shqipëria po eksporton më shumë ngarkesa hashashi, se sa ngarkesa me bimë medicinale 
Ditën e djeshme, policia italiane njoftoi me shqetësim e alarm të madh gjithë botën, se kishte kapur 10 tonë drogë shqiptare në Portin e Ankonës të ngarkuar në një kamion, të nisur nga bregdeti shqiptar, “nën hundën” e policisë shqiptare. Këtë lajm, policia shqiptare e mohoi, duke akuzuar për mashtrim policinë italiane. Edhe nëse e mohon policia “Tahiri”, kjo nuk ndryshon gjë, por rëndon situatën. Po cili është realiteti i këtij trafiku që shumica kapet në Itali? 
Letra e “Europol”, drejtuar Edi Ramës dhe Saimir Tahirit
Mjafton të kujtojmë një fakt, që provon se droga shqiptare trafikohet lirshëm nga kufiri shqiptar për në vendet e rajonit e të BE. Fakti është ky: Në një informacion, dërguar disa ditë më parë nga “Europol”, në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Kryeministrisë Shqiptare, në mënyrë konfidenciale ministrit Saimir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama, përveç alarmit për drogën që niset nga kufiri tokësor, ajror e detar i Shqipërisë për në Itali, Mali të Zi, Greqi, Turqi, Kosovë e Maqedoni dhe nëpërmjet tyre kalon në vendet e BE dhe shtete të tjerë, përdoret edhe një krahasim diskreditues, nëpërmjet të cilit, kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri, i thuhet: “Prej 2 vitesh, Shqipëria po eksporton më shumë ngarkesa me hashash, se sa ngarkesa me bimë medicinale”. Kjo është plotësisht e vërtetë. Ndërsa deri 4 vite më parë, në zona mblidheshin bimë medicinave, të cilat dërgoheshin për eksport, pas vitit 2014, në krejt zonat e vendit u mboll hashash, ku banorët u punësuan ose u bënë “ortakë” nëpërmjet tokave me bandat e mbjelljes dhe kultivimit të drogës. Krahasimi që bën “Evropol”, rezulton totalisht një realitet që vazhdon. Përditë, në të gjithë vijën kufitare detare, nisen ngarkesa hashashi prodhim shqiptar. Policia shqiptare e “çunave” të Saimir Tahirit, kap ndonjë “qese” hashash, që sipas burimeve nga brenda policisë shqiptare, në më të shumtën e rasteve, thuhet se i inskenon me agjentët e saj policorë, duke i paraqitur këto “kapje” si ‘aksione shembullore anti-drogë”! Por, “çuditërisht” policisë i “shpëtojnë” ngarkesa nga 100, 200-500 kilogramë drogë e deri në 1 dhe 10 ton që kalojnë nëpër postblloqet e policisë në rrugët nacionale, që ngarkohen në mes të fshatrave e qyteteve, që çohen buzë detit e në grykëderdhjet e lumenjve Vjosë, Shkumbin, Drin e Seman, ngarkohen në skafe e gomone dhe nisen lirshëm drejt Italisë, Greqisë, Malit të Zi. Po kështu edhe nga kufiri tokësor, prej nga nisen jo më çanta, por kamionë të ngarkuar me drogë. Ndërsa policia “çuditërisht” nuk i zbulon dot, nuk i kap dot, nuk i gjurmon dot… Kjo histori vazhdon përditë. 

Ja lajmi i djeshëm i policisë italiane për 10 ton drogë të kapur në Ankona
“Një kamion me 10 ton kanabis sativa është kapur në portin e Ankonës. Kamioni ishte nisur nga Durrësi dhe po transportonte hekur. Në pranga është vënë shoferi shqiptar, i cili është dërguar në qeli. Siç bëhet e ditur sasia rekord e kanabisit është kapur në datën 18 shkurt, gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia e dogana, sepse kamioni që transportonte hekur kishte disa probleme me dokumentet. Droga është zbuluar gjatë kontrollit me qentë e antidrogës. Policia bën të ditur se droga kishte si destinacion një qytet të veriut të Italisë, ku më pas do të ndahej dhe do të shitej. Bëhet fjalë për 10 milionë doza që do të shiteshin në të gjithë Italinë e Veriut. Hetimet në lidhje me këtë super-trafik janë duke vazhduar, ndërsa nga policia shqiptare nuk ka të dhëna për këtë sasi droge”.

Ja mohimi që i bëri policia shqiptare: Policia italiane gënjen!
Sqarim për mediat: Në lidhje me një lajm të publikuar në medien online, dhe konkretisht duke iu referuar një shkrimi të publikuar në një media të shkruar në Itali, se janë sekuestruar në Ankona 10 ton Kanabis që vinte nga Shqipëria si dhe është arrestuar drejtuesi i kamionit, Ju sqarojmë se: Lajmi është tërësisht i pavërtetë. Nuk ka asnjë komunikatë zyrtare nga autoritetet italiane ligj-zbatuese që të shprehet për sekuestrimin e kësaj sasie lënde narkotike dhe arrestimin e shtetasit shqiptar. Policia e Shtetit ka komunikim të vazhdueshëm dhe shkëmbim informacioni në kohe reale me autoritetet policore italiane, të cilat kanë konfirmuar ,se lajmi është i pavërtetë. Policia e Shtetit mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme të ofrojë informacion zyrtar për cilindo që e kërkon atë”.
Raporti i SHISH: krerët e policisë, menaxher të kultivimit dhe trafikut të hashashit
Qindra denoncime me emra, funksione e zona konkrete të krimit të kultivimit të hashashit nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim, janë bërë qysh prej fillimit të vitit 2016 e deri sot, lidhur me faktin që menaxhues, mbrojtës por edhe përfitues të kultivimit të drogës në Shqipëri, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë drejtues të Policisë së Shtetit të çdo grade e funksioni, që nga zyrtarë të lartë në kupolën e Ministrisë së Brendshme, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, drejtorë policie të qarqeve, shefa komisariati rrethesh, drejtues postash policore në qytete, shefa krimesh e deri kryeinspektorë e inspektorë policie zonash! Ky skandal u provua me arrestimin disa drejtuesve e inspektorëve të policisë në Krujë, Korçë, Berat, Kukës, Elbasan, Gjirokastër etj, për mosraportim të parcelave të drogës, për pjesëmarrje në kultivimin e saj, për dekonspirim aksionesh të policisë duke njoftuar më parë kultivuesit, për dhënie tokash të tyre me qira ndaj kultivuesve të drogës etj. Aq shumë janë zhytur drejtues e punonjës të policisë në krimin e kultivimit të drogës, sa ka nisur edhe transportimi i saj me makinat e aksioneve dhe të drejtuesve të policisë