Çlirim Hoxha/ Amerikanët garantojnë Reformën në Drejtësi

477
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit Lu janë shprehur qartë dhe prerë për Reformën në Drejtësi, si reforma kyç që do të zgjidhi nyjën gordiane të luftës kundër korrupsionit. Kësaj reforme thelbësore po i vihen shkopinj nën rrota nga drejtësia dhe politika. Makinacione nga më të ndryshmet po shpiken ditën dhe natën në bashkëpunim me skutat e errëta të politikës së kalbur të këtij vendi, që ka 25 vjet që lëngon. Të gjithë ata që janë përlyer në afera të qelbura gjatë këtyre viteve të demokracisë, nuk do ta donin dhe nuk e duan Reformën në Drejtësi. Drejtësia shqiptare është e kapur nga korrupsioni, klientelizmi dhe paaftësia. Shqipëria është një shtet i falsifikuar në 80% të dokumenteve të saj arkivore e gjyqësore. Ka gjyqtarë dhe prokurorë që po përpiqen të sabotojnë reformën në drejtësi. Po përpiqen me lloj-lloj makinacionesh, pasi janë të ndërgjegjshëm, që janë zhytur në llumin e korrupsionit duke prodhuar padrejtësi në kurriz të të drejtit dhe “drejtësi” në favor të kriminelit dhe hajdutit. Reforma në drejtësi po sabotohet nga brenda sistemit aktual, me mbështetje politike.

 Asnjë politikan i kapur nga aferat nuk do lejonte që një gjyqtar apo prokuror që e mbron, të lëvizte nga pozicioni i tij. Çdo lëvizje prokurorësh apo gjyqtarësh, gjatë zbatimit të reformës, do të ishte me pasoja për politikanët e zhytur në batakun e llumit të luksit të pamerituar, të milionave që e kanë bërë ujin mullar. Nga ana tjetër çdo lëvizje prokurorësh apo gjyqtarësh përpara reformës nuk është gjë tjetër veçse një farsë për të krijuar idenë se sistemi po pastrohet nga brenda. Në fakt është e kundërta. Këto lëvizje, emërime dhe ç’emërime gjyqtarësh e prokurorësh, përpara zbatimit të reformës në drejtësi, nuk janë gjë tjetër veçse tymnaja kabaresh dhe justifikime për të ruajtur dhe mbrojtur pozicionet aktuale të drejtuesve. Veç kësaj, ato janë edhe shpresat e fundit të politikanëve të përlyer, të cilët i kanë gjetur fijet e shpresës për t’u mbrojtur nga furtuna e reformës. Por a do të ketë reformë në drejtësinë shqiptare?! Kjo është një dilemë që qarkullon sot në opinionin e gjerë. Ashtu siç po vijnë gjërat, reforma po sabotohet nga ata që kanë frikë prej saj. Dhe nuk janë pak, por një duzinë politikanësh dhe keqbërësish që rreken ta sabotojnë reformën.
 Shikoni cirkun e fundit që po shfaq opozita shqiptare. Thirrje për dhunë dhe shkatërrim, bllokim të investimeve dhe projekteve, protesta pa asnjë sens logjik?! Ki ishin deri dje këta qeratallarë kur fushat, kodrat, malet dhe liqenet e Shqipërisë zhvisheshin nga pyjet?! Ku ishin këta ‘Al Kapone’, që shqyen për së gjalli e për së vdekuri të gjithë industrinë shqiptare të gjysmë shekullit dhe e shkrinë në Elbasan, vetëm e vetëm për të mbushur xhepat e tyre të dhjamur?! Si merr guximin politika e vjetër të mbajë peng dhe nënë terror të gjithë vendin, vetëm e vetëm për të mbrojtur dhe ruajtur privilegjet e pamerituara?! Shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur, por frika e të korruptuarve, e vrasësve politikë, po përpiqet ta sabotojë këtë reformë përmes skenarit të destabilitetit. Më vjen keq se si nuk e kuptojnë dhe e tolerojnë partnerët tanë këtë situatë?! I vetmi dhe më i fuqishmi po tregohet ambasadori i SHBA, Donald Lu. Deklarata kundër të korruptuarve në drejtësi dhe politikë, janë sinjale të forta që vijnë nga Uashingtoni. Më të zbutur tregohen europianët në këtë drejtim, por më të prerë duhet të tregohen nëse ia duan vërtetë të mirën Shqipërisë. Druaj se ka europianë të lidhur me shumë fije interesash ekonomike në Shqipëri dhe që nuk janë shumë entuziastë për reformën në drejtësi, paçka se publikisht shprehen në favor të saj. Ndryshe ndodh me SHBA, që ka marrë hapa konkrete ndaj elementëve të korruptuar brenda drejtësisë dhe politikës. Koha nuk pret. Shqipëria po lëngon në shtratin e korrupsionit, Shqipëria po heq dhe vuan nga drejtësia dhe politika e pazareve të qelbura. Fshehja e opozitës pas shoqërisë civile dhe dalja e saj në skenë pasi i ra kallaji, tregon qëllimin e saj për të sabotuar dhe penguar reformën në drejtësi. Thirrjet e saj të dëshpëruara për të mbledhur në Parkun e Tiranës njerëz dhe për të penguar ndërtimin e këndit të lojërave, mund të jenë me pasoja, nëse mazhoranca do të sillte njerëzit e saj për ta mbrojtur ndërtimin e këndit të lojërave. Opozita shqiptare nuk po lë gurë pa lëvizur për ta sabotuar dhe penguar reformën në drejtësi, ndaj duhet që mazhoranca të jetë e vendosur dhe të bëjë të mundur zbatimin e kësaj reforme kaq shumë të domosdoshme për fatet e vendit dhe demokracinë. U takon aleatëve qeverisës PS-LSI që ta realizojnë këtë reformë dhe ta shpëtojnë vendin nga vonesat e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Sigal