Konstitucionalisti Çlirim Gjata: Vetingu, pengesë edhe për e institucioneve të tjera të Drejtësisë, Kryeministri fle mbi dafinat e korrupsionit, mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë, shpartallimi i Kushtetueses dhe 4 deputetët që veprojnë si hajdut dyqanesh dhe jo si burra shteti. Faji i ndërkombëtarëve, giotina për gjyqtarët, ligji i ri antikushtetues për emërimet dhe hetimi i VKM për koncesionet

Jakup B. GJOÇA

GAZETAR I TELEGRAF

Çlirim Gjata, Konstitucionalist në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se projektligji “Për gjyqtarët dhe prokurorët” është antikushtetues, dhe se qeveria bind qartë se deri tani kryeprokurorja e Përkohshme nuk ka kompetenca ligjore të bëjë emërime, siç ka bërë. Zoti Gjata pohon se reformanë drejtësi, ka dështuar dhe kryeministri Rama e bëri me qëllim, për të mos funksionuar fare Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë, që të mos ketë asnjë organ kontrollues për ligjet që ai miraton. Zoti Gjata ushtron kritikë të ashpër kundër maxhorancës, që nuk kërkon kompromis të gjerë politik për zgjidhjen e kolapsit në drejtësi, por “Këta deputetët e kësaj maxhorance veprojnë si hajduta dyqanesh, dhe jo si burra shteti”. Zoti Gjata bën me përgjegjësi të madhe edhe faktorët ndërkombëtarë, të cilët ndihmuan qeverinë që këtë reformë në drejtësi ta bëjnë kështu, siç do qeveria. Zoti Gjata thotë se gjyqtarët tani ndodhen nën presion të madh psikologjik nga maxhoranca, nuk guxojnë të japin  dot vendime kundër qeverisë, sepse, ndryshe, vettingu i kontrolluar nga qeveria do t’u presë kokën dhe karrierën.

 

-Zoti Gjata, ju si jurist, si e vlerësoni projektligjin “Për Gjyqtarët dhe Prokurorët”?

– Është një projektligj antikushtetues. Njësoj si u bë emërimi i kryeporokurores së Përkohshme, në mënyrë antikushtetuese, kështu kërkon edhe ky ligj, që po e miratua nga parlamenti, në mënyrë antikushtetuese do t’u japë kompetenca kryeprokurores së Përkohshme dhe KLD-së të emërojnë. I vetmi ndryshim është se ky projektligj do 84 vota, dhe PS-së do t’i duhet t’i blejë votat në parlament. Deri tani u dëftua që PS-ja nuk i ka 84 vota, nuk ka konpromis me opozitën, nuk ka marrëveshje politike për këtë. Pra, po tentohen të blihen votat, në kuptimin më të keq të fjalës shqiptare, për ta miratuar këtë ligj. Politika shqiptare, sidomos në 2 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe në këto votime të tanishme, i blen votat, në zgjedhje parlamentare votat i blejnë nga qytetarët, tani i blejnë në parlament. Ky është niveli më i ulët i  mjerimit politik, ku ndodhet politika shqiptare.

– Pse ju e cilësoni antikushtetues projektligjin “Për gjyqtarët dhe prokurorët”?

– U bë gjithë kjo reformë në drejtësi, u votua me 140 vota në parlament, u bënë 40 ligje, u ngrit Vettingu, pritet në ngriohen organet e tjera të reja të Drejtësisë, ndërsa me këtë projektligj, na thonë, të rikthehemi në korrikun e 2016-s. Tani t’i pyesim: Zotëri, a e betë vetë reformën? A parashikuat këto institucione të reja? Hartuat vetë edhe procedurat sesi do të ngrihen këto institucione të reja, kriteret, mënyra, gjithçka. Pse keni ngecur tani dhe nuk i ngrini institucionet e reja? Por, fillimisht, duhet të thoni: Këtu gabuam dhe pse gabuam! Gabuan në mënyrën e ndërtimit të reformës së re në sistemin e ri të drejtësisë. Njësoj si në 1998-n gabuan dhe u korruptua sistemi i drejtësisë 100 % dhe tani u detyruan të ndërtojnë një sistem të ri kushtetues të drejtësisë, vetëm pas 16 viteve. Kjo përbën një turp,asnjë shtet nuk është sjellë kështu me drejtësinë. Kanë kaluar 2 vjet nga ndryshimet kushtetuese dhe këta dështuan totalisht, për të ndërtuar sistem të ri të drejtësisë.

– Përse politika gaboi në këto 2 vite për ta ndërtuar sistemin e ri të drejtësisë?

– Nuk gaboi, por e bëri qëllimisht, që kryeministri Rama ta kapte drejtësinë. Reforma në drejtësi nuk bëhet me ligje të votuara duke blerë vota, pa kërkuar konsensusin e opozitës. Këta deputetët e kësaj maxhorance veprojnë si hajduta dyqanesh, dhe jo si burra shteti. Burrat e shtetit bëjnë kompromise politike, që ta kapërcejnë këtë krizë të madhe në drejtësi.

Mos vallë ky projektligj që përmendëm, meqë kërkon votim të cilësuar me 84 vota, është mundësia e fundit që bën maxhoranca për ta patur nën kotroll të gjithë sistemin e drejtësisë,?

– Kryeprokurorja e Përkohshme, edhe pse nuk ka kompetenca kushtetuese, deri tani ka bërë emërime dhe shkarkime, në kundërshtim me ligjin. E ka në mënyrë të ndaluar kategorike, që kryeprokurorja e Përkohshme të bëjë lëvizje të prokurorëve. Nuk i lejohet as të marrë masa, sepse duhet t’i bëjë Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Ky ligj, kërkon t’ja ligjërojë kryeprokurores këto shkelje të ligjit që ka bërë deri tani. Atëhere, pse deri tani ia keni lejuar kryeprokurores të bëjë ato lëvizje në prokurori, kur pohoni, që është ky projektligj, që kërkon tja japë kompetencat kushtetuese? Pra, ky projektligj qartazi na thotë, se deri tani kryeprokurorja nuk kishte kompetenca ligjore të bënte emërime, as vlerësime. Por çështja nuk është edhe aq për ta kapur drejtësinë. Qeveria e ka kapur që tani drejtësinë me kryeprokuroren e Përgjithshme, me organet e Vettingut, të cilat operojnë me ndihmën e çmuar të institucioneve të varura nga kryeministri, duke filluar që nga SHISH, ILPDKIPK, të cilët të gjithë janë emëruar vetëm nga kryeministri Rama, nga DISK, nga Institucioni i Pastrimit të Parave. Gjithçka që informon vettingun viojnë nga organet e varura të kryeministrit.

– Çfarë ka bërë të mundur deri tani me reformën në drejtësi?

– Ka eleminuar tërësisht Gjykatën Kushtetuese, eleminimin e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që nuk kemi një mekanizëm për zëvendësimin e menjëhershëm të atyre anëtarëve të këtyre gjykatave, qoftë edhe të përkohshëm. Pse kryeprokuroren e zëvendësoi me të Përkohshme, në mënyrë antikushtetuese? Ndërsa anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë nuk i zëvendësoi menjëherë.

– Pse nuk e ndërtoi këtë mekanizëm të menjëreshëm zëvendësimi?

– Sepse nuk i intereson kryeministrit Rama, të cilit i intereson që Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë të mos ekzistojnë fare. Kryeprokuroren e Përkohshme e përdor edhe si masë frikësimi, qoftë për kundërshtarët politikë, qoftë për gjithçka tjetër, për bizmenmenët, për ju gazetarët dhe median. Ndërsa Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë nuk mundet do ta përdorë kaq lehtë. Kryeministri Rama thotë, më mirë të mos i kemi fare Gjykatat, sesa t’i kemi, qoftë edhe formalisht. Vettingu tani është bërë pengesë edhe për ngritjen e institucioneve të tjera të Drejtësisë, atëhere kryeministri fle mbi dafinat e abuzimeve e të korrupsionit. Kështu kryeministri mund të bëjë, qoftë edhe me ligje, çfarë të dojë, sepse nuk ka asnjë institucion të drejtësisë që e kontrollon. Për këtë ligj që kërkon ta miratojë me ngutje e në mënyrë antikushtetuese, detyrohet, sepse janë bosh gjykatat.

– Pse ndërkombëtarët, të cilët bashkëhartuan reformën në drejtësi dhe monitoruan zbatimin e saj, përse nuk flasin për vettingun, që bëhet pengesë, për institucionet e reja që nuk ndërtohen, edhe pse janë tejkaluar 2 vite afatet kushtetuese?

Ndërkombëtarët kanë pjesën e tyre shumë të madhe të fajit  në të gjitha këto dështime që po ndodhin në drejtësi, sepse ndërkombëtarët ndërhynë fort që kjo reformë në drejtësi, të bëhej kështu siç u bë. Në të gjithë punën e saj, faktori ndërkombëtar është me qeverinë. Kështu ndodh kudo dhe gjithnjë, sidomos në vendet e pazhvilluara, siç është Shqipëria. Ndërkombëtarët janë me qeverinë, sepse me atë punon.

– Ku është faji i ndërkombëtarëve?

– Faktori ndërkombëtar mbajnë qëndrim të njëanshëm në reformën e drejtësisë. Në përplasjen e madhe që ndodhi midis maxhorancës dhe opozitës, si përplasje e qartë politike, duke marrë si shembull rastin e votimit të kryeprokurores së Përkohshme, në çdo përplasje politike, faktori ndërkombëtar mbajti anën e qeverisë dhe e mbajti fare hapur. Ky ishte një gabim shumë i madh dhe ja ku është dështimi i reformës. Nuk duhet të keqkuptohemi, pse faktori ndërkombëtar nuk mbështeti thjesht opozitën, por duhet të kishte mbështetur drejtësinë. Mirëpo, tani faktori ndërkombëtar nuk del dot nga kjo llucë që përgatit vetë. Nuk mundet dot faktori ndërkombëtar të pranojë që u bë gabim reforma në drejtësi, sepse ka OPDAP, ka EURALIUS. Ku është cilësia e tyre? Ku ështe gjenialiteti i tyre kushtetues, që të bënim këtë reformë. Por më bën përshtypje të keqe, që ata tani heshtin dhe nuk flasim që jemi i vetmi vend në Botë pa Gjykatë Kushtetuese, pa rend kushtetues. Dhe, më e keqja, ne tani kemi gjykata totalisht të frikësuara.  Shkoni në Gjykatë Administrative, asnjë gjyqtar nuk guxon dot që të japë një  vendim kundër qeverisë.

Pse janë të frikësuar gjyqtarët?

– Po thonë, se kanë vettingun, i cili mund t’u këpusë kokën pa shkak, me urdhër nga lart.

– A nuk i leverdis qeverisë, që të zgjatë pa mbarim kolapsi në drejtësi, edhe kur nuk miratohen dhe shtyhen pa afat projektligjet, që kërkojnë 84 vota? Derisa ka këtë justifikim dhe nuk do që të gjejë rrugët e kompromisit dhe të konsensusit?

– Patjetër. Nuk i shërben opozitës, por politikës i shërben ky kaos pa rend kushtetues, pa institucione të drejtësisë.  Lojën politike e luan qeveria, e luan maxhoranca. Regani ka thënë: Qeveria është problemi. Qeverisë, po I hoqe organet e kotrollit të demokracisë, që janë organet e drejtësisë, Gjykata Kushtetuese e me rradhë, dakort janë qeveritarët, nuk ka problem për gjumin e tyre. Si mendoni ju, që një kryeministër perëndimor nuk do të dëshironte që të qeveriste pa institucionet e drejtësisë? Ku ta gjejnë, por aty problemi është se demokracia tradicionale është bërë e tillë, që nuk e bëjnë dot, e kanë të pamundur të paralizojnë institucionet e drejtësisë dhe të bëjë qeveria çfarë ligje që dëshiron, që i leverdisin asaj. Njeriu është abuziv nga natyra, pra, detyrimisht do kërkojë të abuzojë. Janë organet e kontrollit, institucionet e drejtësisë që nuk e lejojnë dot.

– Ju si mendoni, kaosi i rendit kushtetues në Shqipëri është i qëllimtë?

– Unë mendoj që kjo u bë me qëllim dhe në këtë moment dhe në këtë moment të kaosit të rendit kushtetues, qeveria mund të bëjë çfarë të dojë.

– Mund të na jepni një shembull abuziv të  qeverisë me ligjet, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese?

– Shëmbulli më i pastër është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar. A ka turp më të madh, që qeveria të bëjë ligj, që këtë punë publike të përcaktohet me ligj, që ta marrë vetëm kjo kompani, e pastaj parlamenti ta votojë qorrazi, sepse kështu i urdhëron kryeministri. Dhe këtë shklelje kaq flagrante të Kushtetutës, të të gjitha ligjeve nga qeveria nuk ka më institucione të drejtësisë që ta kontrollojë, sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

– A mund të fshihet përgjegjësia individuale penale e ministrit, e kryeministrit që hartoi këtë ligj, pas votimit të ligjit nga parlamenti, nëse ligji vlerësohet si antikushtetues?

– Kjo është ajo që luhet këtu, sepse përgjegjësia individuale e ministrit dhe e kryeministrit është përgjegjësi propozuese, jo vendimmarrëse. Ata e çojnë projektligjin në parlament dhe vendos parlamenti. Dhe dihet, që deputeti nuk përgjigjet para ligjit për vendimet që merr, me përjashtime të rralla, që i përmban edhe Kushtetuta. Pse e voton parlamenti këtë ligj? Le ta bëjë qeveria me vendime të saj. Qeveria nuk e bën, sepse e di, që nesër do të përgjigjet penalisht. Bashkia ta bëjë, ministria e Kulturës ta bëjë. Ligjin për Teatrin e çuan ta votojnë në parlament, për të shpëtuar lëkurën e tyre nga përgjegjësia penale, sepse e dinë që e shkelin ligjin dhe Kushtetutën me të dyja këmbët. Kjo nuk është demokratike, nuk është demokraci. Kjo të çon në regres. Kjo të çon në reformat e regjimit monist para 1990-s.

– A ka mundësi Kodi ynë Penal, të hetojë, të gjykojë koncensionet, që jepen me VKM apo edhe me ligj, kur ato janë në dëm të interesave kombëtare?

– Po, ka mundësi, por deri sa kohë kryeprokurori i Përkohshëm u shërben vetëm interesave të qeverisë, për sa kohë, që me qëllim nuk ngrihen institucionet e reja të drejtësisë, sa kohë që vonohet të ngrihet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, SPAK, Prokuroria Speciale, që do hetojë korrupsionin e qeverisë, Byroja Kombëtare e Hetimit, Gjykata Speciale e Hetimit, për sa kohë shtyhet dhe nuk ngrihen këto, është totalisht e pamundur që të hetohet korrupsioni i qeverisë. Prandaj zvarritet pa afat dhe me qëllim kjo reformë në drejtësi. E, ndërkohë, që kërkojnë me ligj të reja, të rikthejnë sistemin e drejtësisë të para 2016-s. Duan ta rrëzojnë tërësisht këtë reformë të drejtësisë, edhe pse edhe kështu është faqe e zezë e demokracisë. Si thoni ju, kryeprokurorja e Përkohshme që u zgjodh nga qeveria, do të mundë të hetojë shefat e saj politikë që e mbajnë në karrike në mënyrë antikushtetuese?

– Ju, si mendoni, a ka zgjidhje, ky kolaps ku ka rënë reforma dhe sistemi i drejtësisë?

– Zgjidhja duhet të vijë vetëm nga politika. Drejtësia nuk mundet ta zgjidhë dot. Fakti që është bllokuar nga organet e vettingut ngritja e e organeve të reja të drejtësisë. Vettingu, e bën punën e vet, pavarësisht, si e bën, keq, apo mirë, që është histori tjetër. E dimë tani, që vettingu punon me dy standarte, që zvarritet kaq shumë vite, kur shumë mirë mund ta bënin shumë më shpejt, e megjithëkëtë, zgjidhja e vetme duhet të vijë nga politika. Kjo zgjidhje kërkon burrëri shtetërore. Jo blerje votash. Jo hajdutllëqe, jo xhepista. Maxhorancën e kemi një hajdute xhepistash. Ka future duar në xhepat e shqiptarëve, nuk mund të nëjë dot më burrëri shtetërore.

– Çdoni të thoni me burrëri shtetërore?

Të mblidhen burrat e shtetit e të thonë: Erdhëm këtu ku erdhëm. E pranojmë këtë gabim që kemi bërë. Hajde të ulemi e të bëjmë një kompromis të madh, të përbashkët, historik, i cili do fillonte me dispozitat kalimtare kushtetuese për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurores së Përgjithshme, me konsensus me të votuar  dhe të gjenin metodat për të ngritur në mënyrë urgjente organet e reja të drejtësisë. Dhe, e dyta, çlirimin e drejtësisë nga ajo frika psikologjike që ata kanë. Që nuk punojnë dot. Në çështjet e thjeshta individuale ka kërcitë korrupsioni si kurrë ndonjëherë në drejtësi, sepse nuk i kontrollon më askush gjyqtarët e prokurorët. Organe nuk ka, ku do ankohen qytetarët? KLD-ja rri kot, nuk ka më kompetenca kontrolluese. Në çështjet që kanë të bëjnë me institucionet shtetërore, midis shtetit dhe individit  dhe çështjet penale ka një frikë të tmerrshme psikologjike. Nuk guxon askush . Shtyhen pa fund seancat gjyqësore, sepse gjyqtarët mendojnë se nesër, pasnesër do përplasen ata në vetting dhe do kenë ata probleme. Prandaj, në këtro kushte zgjidhja e reformës në drejtësi kërkon kompromis të madh dhe burrëri shtetërore.

Mendoni se ekziston vullneti politik për kompromis të madh për të gjetyr zgjidhjen e kolapsit ku ka mbëritur reforma në drejtësi?

– Sa ka takat, kjo maxhorancë ta bëjë këtë kompromis politik, nuk e besoj. Ja tani, qeveria nuk i ka votat as për atë ligj për gjyqtarët dhe prokurorët. Përse nuk ulet dhe të kërkojë kompromisin politik të opozitës? Por që qeveria të kërkojë kompromisin politik për zgjidhjen e ngërçit e kolapsit të reformës në drejtësi, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen si kryeministër, e të krijohet një qeveri antimafie, e përbashkët, që t’i zgjidhë të gjitha këto çështje.

– Po afati që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë, që deri në qershor 2019 të ketë përfunduar reforma në drejtësi, a mund të shërbejë  si presion për një kompromis të madh politik?

– Duhet ekspert për çshtjet e BE-së të flasë më shumë për këtë pyetje. Por mua, as BE-ja nuk ma mbush mendjen, që na thotë: Shty afatin këtu, shtyj afatin atje. Për mendimin tim, do të ishte më mirë të hapeshin negociatat, sepse do vinte një kontroll më i madh nga BE-ja në një drejtim të caktuar. Ne përfitojmë nga kulisat, nga konjukturat e përditshme të BE-së. Tani, çfarë nga BE-ja kur ambasada e saj në Tiranë blen vilë 1.6 milionë euro në vendin më të varfër të Europës! A nuk i kishim deri tani ekspertët e BE-së në reformën në drejtësi? Dhe çfarë na bënë deri tani? Asgjë! Pse nuk flet tani ambasadorja e BE-në në Tiranë Vllahutin e të thotë pse kemi mbetur pa Gjykatë Kushtetuese? Po të duan ata, e kishin zgjidhur, nuk do katandiseshim që të kemi kaos të rendit kushtetues.  Nuk na marrin shumë seriozisht.

– Po nuk u arrit kompromisi i gjerë politik për reformën në drejtësi, deri ku mund të arrijnë gjerat?

– Nuk e di. Zgjidhja është vetëm politike. Nëse nuk duan kompromis të gjerë politik, atëhere, nuk ka më lojë. Nuk ka më shah.

-Faleminderit.