Çipi: Peticion online kundër koncesionit në truallin e Teatrit

74
Pas prezantimit të projektit të ri për Teatrin Kombëtar, regjisori Kastriot Çipi thotë se Teatrin do ta shpëtojnë vetëm qytetarët. Anëtar i Kryesisë së Sindikatës së Skenës dhe Ekranit, njoftoi dhe nisjen e një peticioni online nga shoqëria civile, ku kërkohet ndalimi i koncesionit mbi truallin e teatrit kombëtar. “Ky debat ka filluar para 20 vitesh, edhe në rastet e tjera që teatri ka qenë i kërcënuar e kanë shpëtuar qytetarët. Edhe sot e them që Teatrin do ta shpëtojnë qytetarët, duhet të ketë një organizim. Ajo që më gëzon është, se pashë një mesazh të fortë të Ylli Manjanit, që teatri nuk është i artistëve por i qytetarëve. Mora një mesazh tjetër, që shoqëria civile sapo ka ndërmarrë nismën për një peticion online ku kërkohet ndalimi i koncesionit mbi truallin e teatrit kombëtar. Shoqëria civile po merr flamurin e kësaj lufte nuk po ua lë artistëve dhe artistët duhet të gëzohen, nuk duhet të shqetësohen se po humbin protagonizmin”, u shpreh regjisori. Për Çipin, projekti i ri do të qëndronte në çdo cep të Tiranës, përveçse në truallin mitik të Teatrit. “Këtij arkitekti i është kërkuar të bëjë një ndërtesë që nuk ka lidhje me të vjetrën. I është kërkuar të bëjë një gjë të re që mund të ishte e bukur në çdo pjesë të Tiranës, po jo aty ku është trualli mitik i Teatrit Kombëtar dhe është vendlindja e të gjithë institucioneve të artit skenik shqiptar, përfshirë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve”, tha Çipi, duke shtuar se Rama i fyen të ftuarit dhe i përdor si dekor në funksion të tij.