Çipa me ambasadorin polak: Promovim i vlerave turistike të Sarandës në Poloni

532
Sigal

SARANDË- Kryebashkiaku i Sarandës, z.Stefan Çipa, ka takuar në mjediset e Bashkisë së Sarandës ambasadorin polak të akredituar në Shqipëri, z.Marek Henryk Jeziorski. Frymës së ngrohtë të takimit i është shtuar edhe shqipja e pastër letrare e ambasadorit polak që shoqëroi gjithë takimin dhe shënimin në librin e përshtypjeve të bashkisë. Z.Çipa i ka shprehur mirëseardhjen dhe ka paraqitur një ekspoze të resurseve të Sarandës, por edhe një falenderim se gjatë sezonit turistik të këtij viti, nga më të suksesshmit, nga 48 mijë vizitor turist të huaj, vetëm 30 mijë ishin polak. Kjo do të thotë se, Saranda afrohet përherë e më shumë me vendin e quajtur Perëndimi i Lindjes. Z.Çipa ka paraqitur mes shifrave dhe komenteve të gjitha arritjet dhe synimet për të ardhmen, çka është përforcuar dhe nga dy operatorët turistik të Sarandës të kontaktuar me turizmin polak, Arben Çipa e Fatos Demiri, se, viti që vjen do të sjellë një prurje në rritje prej 50% të turistëve polak në Sarandë. Gjithashtu, Kryebashkiaku Çipa ka kërkuar iniciativa me konkretizim të promovimit të vlerave turistike të Sarandës në Poloni, çka është mbështetur dhe premtuar nga ambasadori polak Jeziorski. Gjithashtu, z.Jeziorski është interesuar, edhe për reformën territoriale, interesim që ka marrë përgjigje nga z.Çipa se, duhej bërë më e reduktuar, pasi vendi ka nevojë për decentralizim fiskal. Duhet bërë dhe nuk duhen kundërshti për këtë, ka theksuar z.Çipa, pasi Shqipëria është vend i vogël dhe parcelizimet, qofshin politike, qofshin administrative e dëmtojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe shërbimin ndaj qytetarit. Duket se me këtë mendim ka qenë edhe ambasadori polak që ka sjellë përvojën e Polonisë në këto procese. Takimi miqësor ka vijuar edhe me dhurimin nga ana e operatorit turistik Arben Çipa veprat letrare të Lefter Çipës, Sandri e Akri Çipës si dhe një CD të polifonisë labe himarjote.

Agron MEMA