CIA: Shqipëria, rritje të prodhimit të kanabisit e pastrimit të parave

580
Agjencia Qendrore e Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara, në përditësimin e fundit të të dhënave mbi Shqipërinë, ka raportuar edhe për trafikun e paligjshëm të drogës. CIA, në publikimin zyrtar “The world facktbook”, shkruan se vendi ynë mbetet gjithnjë pikë aktive e kalimit të paligjshëm të drogave, si kanabis sativa, nga Azia jugperëndimore drejt Ballkanit. Po kështu sipas CIA-as, në një masë më të vogël nga Shqipëria kalon ilegalisht edhe kokainë që vjen nga Amerika e Jugut me destinacion Evropën Perëndimore. Të dhënat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane raportojnë se ka një rritje të prodhimit të kanabisit në vend si dhe një zgjerim të organizatave shqiptare të trafikimit në Evropë.

CIA e klasifikon Shqipërinë edhe si një vend ku kryhet lehtësisht pastrimi i parave i lidhur me trafikimin rajonal të narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe kalimit të paligjshëm të shtetasve të huaj. Përditësimi i fundit i të dhënave të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, është bërë në fillim të muajit gusht të këtij viti.

Edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, Shqipëria përmendej si vend problematik për sa i përket prodhimit të drogës dhe pastrimit të parave. Veçanërisht gjatë vitit të shkuar, prodhimi i kanabisit në vend arriti në shifra rekord, duke shkaktuar shqetësim në rritje në vendet fqinje si Italia, por në institucionet ndërkombëtare. Në mënyrë intensive, prokuroria italiane ka kërkuar goditjen e grupeve kriminale që kanë lidhje me mafien në vendin fqinj, ndërsa ka zbuluar se bëhet fjalë për një trafik që arrin në miliarda euro. 
Sigal