Christopher R. Hill: PD nën drejtimin e Bashës ka sjellë një mënyrë tjetër të të bërit politikë

399
Sigal

 

 

Gazeta Telegraf/ Ambasadori Hill ishte
diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas rrëzimit të regjimit
komunist. Zoti Basha shprehu mirënjohjen e madhe për ndihmën e jashtëzakonshme
që ai dhe SHBA kanë dhënë për Shqipërinë në momente të rëndësishme të historisë
së saj, siç ishin vitet ‘90 kur Shqipëria la pas të shkuarën komuniste dhe iu
bashkua vendeve demokratike të botës.

 

Ambasadori Hill ka vlerësuar
ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri duke shprehur krenarinë që SHBA kanë
qenë bashkudhëtare të Shqipërisë në këtë transformim të madh. Shqipëria, tha
Hill i ka patur objektivat e qarta, anëtarësimin në NATO dhe në BE, ndërsa
shprehu kënaqësinë që Partia Demokratike ndonëse në opozitë nuk resht së
punuari për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europiane.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se pavarësia e Kosovës, anëtarësimi
në NATO dhe shume arritje të tjera të Shqipërisë do të ishin e pamundur pa
ndihmën e jashtëzakonshme të SHBA.

 

Një vend të veçantë në takim
zuri situata politike në vend, krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet.

Lideri i opozitës shprehu shqetësimin e rritjes dhe kultivimit të drogës, e
cila është shtrirë në të gjithë vendin. Kjo është pasojë direkte e
kriminalizimit të politikës dhe administratës.

Edi Rama promovoi në poste kyçe në administratë dhe futi në Kuvendin e
Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u
japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili u mundësua
me mbështetjen e madhe të SHBA.

Ambasadori Hill vlerësoi kontributin e zotit Basha në miratimin e këtij ligji
ndërsa theksoi se kriminalizimi ka ndikuar negativisht në imazhin e Shqipërisë
dhe është e pamundur që një vend të kërkojë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian
kur nuk ka një administratë dhe parlament të pastër.


Duke u ndalur tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare kryetari i Partisë
Demokratike, Lulzim Basha theksoi se ato janë të kërcënuara nga droga, krimi
dhe paratë e korrupsionit, gjë që është faktuar edhe në zgjedhjet e fundit.
Zoti Basha theksoi se ndonëse që në muajin maj Partia Demokratike ka propozuar
ndryshime në Kodin Zgjedhor për të garantuar lirinë e votës, deri tani
maxhoranca ka heshtur.

Reforma, theksoi zoti Basha, u
vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste
rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme e konsideroi kryetari i
Partisë Demokratike çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar
kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit
si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të
partive politike.

 

Shqipëria ndodhet në një
udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor, theksoi zoti Basha.
Ambasadori Christopher R. Hill duke vlerësuar lidershipin e zotit Basha dhe
rolin e  Partisë Demokratike në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe
demokracisë, theksoi se PD me zotin Basha në krye ka sjellë një mënyrë tjetër
të të bërit politikë e cila do ta shtyjë vendin përpara.