Sigal

Kreu i Dhomës Evropiane të Tregtisë dhe Industrisë: Korrupsioni mbetet një pengesë serioze për ecurinë ekonomike

Korrupsioni ishte një nga shkaqet që Bashkimi Evropian nuk dha votën në 28 qershor 2018 për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë. Kryeministri Rama shumë herë, gjatë lotimit para 28 qershorit 2018 deklaroi se Shqipëria ka bërë hapa konkrete në luftën kundër korrupsionit, me zbatimin e vettingut në Gjyqësor, ku suksesi i luftës kundër korrupsionit matet me përjashtimin nga Gjyqësori të 56 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të marrë deri tani në Vetting.

Asnjë zyrtar i lartë i hetuar dhe dënuar për korrupsion

Edhe pse Shqipëria renditet në ndër vendet më të korruptuara, në të gjitha raportet e organizmave ndërkombëtare, çuditërisht, deri tani nuk kemi asnjë zyrtar të lartë të hetuar dhe të korruptuar. FMN dhe BB në të gjitha raportet për Shqipërinë për 2017-n kanë theksuar me të madhe se koncesionet dhe tenderët publike që jepen në Shqipëri, shumica e tyre zhvillohet pa transparencë, që lë të kuptohet se korrupsioni në to lulëzon. Madje, rasti më i fundit është letra që BE i dërgoi Shqipërisë, ku theksonte se koncesioni i dhënë për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e tokës publike një koncesionari të paracaktuar, pa garë, është mungesë e transparencës.

Christofer Leitel: Shqipëria tashmë duhet t’i kthehet nismave dhe luftës kundër korrupsionit në realitet

Qeveria shqiptare duhet të marrë masa që të forcojë zbatimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit për të marrë statusin e vendit kandidat. Ky apel vjen nga Christofer Leitel, President i Eurochamber, Dhomës Evropiane të Tregtisë dhe Industrisë. Sipas Leitel thekson se korrupsioni mbetet një pengesë serioze për ecurinë ekonomike të një vendi dhe Shqipëria tashmë duhet ‘ti kthej nismat në realitet. Reforma në drejtësi sipas Leitel është një hap i rëndësishëm edhe për ekonominë. “Janë disa vende të rajonit që aspirojnë integrimin dhe këto gjashtë vende nuk kanë pasur zhvillime në tregtinë e brendshme në dekadën e fundit.

Shqipëria si do të përballojë kompeticionet e forta në tregun evropian?

Christofer Leitel, President i Eurochamber, Dhomës Evropiane të Tregtisë dhe Industrisë me të drejtë ngre pyetjen: Pyetja ime është nëse këto vende nuk janë të afta për të pasur zhvillim të brendshëm si do t’i përballojnë kompeticionet e forta në tregun evropian? Kjo do të thotë që këto vende duhet të forcojnë marrëdhëniet tregtare mes tyre. E dyta, secili nga këto shtete që duan anëtarësimin në 2025 duhet të plotësoje 2 kritere, dhe këtë po e them shkurt, sundimi i ligjit dhe jo korrupsion. Nëse këto kritere nuk do të përmbushen atëherë nuk do të ketë anëtarësim, ta themi këtë qartë dhe premtimet për këto nuk janë të mjaftueshme. Gjithashtu unë jam i informuar që Shqipëria po ndryshon legjislacionin e saj dhe janë duke bërë rregulla më të mira. Të implementosh ligjet është një gjë dhe të jetosh dhe t’i transmetosh këto ligje në realitet është diçka tjetër dhe për këtë përfaqësues të bizneseve si këto të dhomave duhet të përfshihen dhe të japin kontributin e tyre për këtë”, shprehet Leitel.

Të rinjve duhet t’u jepet shpresa për të punuar në Shqipëri

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në BE ngre si shqetësim edhe faktin e largimit të të rinjve gjithmonë e më shumë nga vendi. Sipas tij duhet të veprohet sa më parë në mënyrë që të rinjtë e talentuar të gjejnë mundësin punësimi në vendin e tyre. “Shqipëria ka shumë të rinj të talentuar, të mbushur me shpresa, dhe ne duhet të përmbushim këto shpresa. Këta të rinj e shikojnë perspektiven e jetesës jashtë Shqipërisë dhe ne duhet tu bëjmë të mundur këto perspektiva brenda vendit. Aksesi i tyre në BE duhet të shikohet nga ata si një prej tyre por të tjerat duhet të jepen nga vendi ku ata kanë lindur dhe janë edukuar. Pse të mos u jepet një prospektivë për të ardhmen? Të rinjtë e duan këtë dhe nëse vend i tyre ua ofron atëherë ata nuk do të largohen. Nëse jo, ato do të thonë nuk kemi mundësi, nuk kemi shanse, në duhet të largohemi”, shton Leitel. Për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja Leitel këshillon që të zgjidhet problemi me të drejtën e pronës si dhe të krijohet një network për të afruar më shumë kompanitë e huaja me ato shqiptare “Sigurisht që po. Nëse ju nuk keni siguri për pronën tuaj ju nuk do investoni në të, ju nuk do të ndërtoni shtëpi. Dhe diçka që ju duhet të kuptoni është që siguria të jep besim, dhe besimi të jep investime dhe kjo është shumë e qartë”, shprehet më tej Leitel. Edhe pse rritja ekonomike në tre muajt e parë të këtij viti ka kenë 4.45% të dhënat e fundit tregojnë se investimet e huaja kanë pësuar një ulje të ndjeshme duke vënë në pikëpyetje ecurinë në vijim.