Çfarë (s) i mungon politikës shqiptare

433
Sigal

Pas 23 vitesh, politikës shqiptare i mungon ajo që është dukuria e veçantë në politikën moderne botërore, kohezioni 

Megjithëse, në dukje politika shqiptare, të qartëson mendimin se, është pjekur dhe është bërë më e përgjegjshme duke fituar eksperiencën e duhur, sërish  gabohesh. Politikës shqiptare dhe aktorëve të saj, edhe pas 23 vitesh i mungon gjëja më kryesore, që është dukuria e veçantë në politikën moderne botërore, që është kohezioni.  Ky  komponent  i politikës, në vendet e zhvilluara, mbetet nga elementët kryesorë që vendos ndryshimin. Në politikën shqiptare, në dy dekadat e fundit, mungesa e kohezionit nuk është e vështirë të zbulohet, mjafton të verifikosh  rezultatet e zgjedhjeve të 23 Qershorit, pa përmendur ato të kaluarat. Lehtësisht konstaton se pas dy forcave të mëdha politike PD dhe PS, renditet forca politike me ngjitje të paimagjinueshme LSI. Po ti lexosh me kujdes, konstaton se, tek programet e të gjitha forcave politike nuk ka shumë dallime esenciale. Por në veçanti pas tre partive që vendosin fatin e qeverisjes vjen një grup tjetër prej rreth forcash politike me 1 deri 2 për qind të votave secila prej tyre dhe më pas një grumbull prej rreth dhjetë minipartish që arritën të shkëputin rreth 0,7 për qind të votave secila prej tyre. Këto të fundit, nuk kanë specifika të veçanta programore dhe personazhe në jetën  politike në Shqipëri, dhe së fundi mbeten disa parti që nuk marrin asnjë votë. Rezultatet konstatojnë se kemi të bëjmë me tre grupime partish, që e kanë të nevojshme rritjen e seriozitetit, përmirësimit të programeve të tyre dhe rritjen e kohezionit e bashkëpunimit. Rast i LSI-së, mbetet unikal, pasi, kjo parti pasi 5- fishoi votat e shqiptarëve, u rreshtua jo  papritur përkrah Partisë Socialiste i dha shqiptarëve shansin të provojnë kësaj here qeverisjen  tërësisht të majtë. Kjo parti e vogël, ka arritur të marrë numër pothuajse të njëjtë votash në të tëra rrethet e vendit. Ky tipar e bën këtë parti të ngjashme me forcat e mëdha politike në vend. Ky është një element tipik kohezioni, element që i mungon pjesës më të madhe të partive të vogla. Vihet re dukshëm se LSI-ja, ka marrë 10 deputetë në 23 Qershor, ndërsa republikanët me 2 për qind kanë marrë vetëm një deputet, ndërsa socialdemokratët edhe pse me numër votash diçka më pak se republikanët, nuk kanë arritur të marrin asnjë deputet. Ky është një shembull  “deformimi”, i rezultatit të zgjedhjeve, pasi në rast të një përpjesëtimi të thjeshtë raporti midis  këtyre tre partive dhe përfaqësimi i tyre në parlament do ishte ndryshe. Një ndikim të dukshëm në  “deformimin” e zgjedhjeve solli edhe dukuria e koalicioneve. Koalicionet u formuan me nxitim, pa piketuar me specifika mënyrën, llojin dhe masën e kontributit të secilës forcë politike në aleancë pa përcaktuar gjithçka duhet. Këto aleanca nuk janë gjë tjetër veçse amalgama jetëshkurtra, pa përfitime të ndjeshme nga palët në minorancë në koalicion. Pra, bëhet fjalë për parti që edhe pse të vogla duhet të jenë serioze dhe jo të luftojnë që të jenë në koalicione vetëm për karrige drejtori në ndonjë dikaster. Statistikat tregojnë se, shumica e partive të vogla nuk janë përfaqësuese të interesave të votuesve të tyre, por janë thjesht subjekte për të përfituar fonde. Shqiptarët në zgjedhjet e fundit, treguan qytetari, qetësi dhe dëshirë për normalitet. Ata shkuan në zgjedhjet e  23 Qershorit 2013 me mendimin se, nga këto zgjedhje duhet të fitojë Shqipëria dhe ata  të kenë një përfaqësim të drejtë në parlament. Shqiptarët u pa qartë se votuan vetëm dy partitë e mëdha. Kjo, pasi ata e kanë kuptuar se partitë e vogla duhet akoma të përshtaten  kohezionit dhe pastaj të kenë përfaqësim në Parlament. Kohezioni detyrimisht duhet të jetë dominant në politikën shqiptare, tek partitë e vogla dhe ato të mëdha. Kjo dukuri do të bënte balancimin dhe përcaktimin e shtresave shoqërore duke u nisur nga platformat dhe pikëpamjet e tyre mbi zhvillimin e vendit.