ÇFARË PRISNI NGA ÇETA E REKTORËVE DHE DEKANËVE?

676
Sigal

Dr. Jorgo MANDILI

Profili virtuoz i një rektori dhe “Servum Pecus”

Duke parë rektorët, dekanët dhe akademikët e tjerë të strukur në lëkurën e vet, të heshtur dhe të trembur para akuzave dhe ironisë së kryeministrit, më duhej të gjeja një fjalë të vetme që të shprehte shumçka për atë gjendje të tyre të mjeruar. Dhe duke kërkuar, më adekuate m’u duk kjo fjalë latine “Servum Pecus”, që thuhet për njerëzit që kanë veti të lëpihen, të nënshtrohen, të skllavërohen, për njerëzit pa sedër, sahanlëpirës e pa dinjitet.

Ndërkaq, duke parë këtë çetë “Servum Pecus” (rektorësh e dekanësh), kujtesa më çoi tek një ngjarje në universitetin e Salamankës, Spanjë. Gjenerali Milan Astraj, në vitin 1936, në një fjalim që mbajti në Universitetin e sipërpërmendur, bëri thirrjen nekrofilike: “Viva la Muerte”(Rroftë Vdekja)! Dhe dikush prej ithtarëve të tij e kishte thënë këtë me zë të lartë nga salla e Universitetit. Kur gjenerali e kishte përfunduar fjalimin e tij, rektori Unamuno nxitoi e tha :”Posa dëgjova një britme nekrofilike dhe absurde në shkallën më të lartë “Rroftë Vdekja”!. Dhe unë që e kam kaluar jetën duke formuluar paradokse, që herë pas here shkaktojnë tek njerëzit një zemërim të pa përshkruar, duhet t’ju them si ekspert, se ky paradoks barabar është i neveritshëm për mua. Gjenerali Milan Astraj është sakat. Le të tingëllojë kjo britmë këtu pa kurrfarë ekuivokësh. Ai është invalid i luftës, si Servantesi. Për fat të keq, tani në Spanjë ka shumë sakatë. Dhe shpejt ata do të bëhen më shumë, në qoftë se Zoti nuk do të na vijë në ndihmë. Unë bëhem keq kur mendoj se gjeneral Milan Astraj do të jetë ‘kamerton’ i ndërgjegjes masive. Sakati i privuar nga madhështia shpirtërore e Servantesit, gjen zakonisht një ngushëllim famëkeq duke mbjellë rreth vetes shemtinë”. Ndërkaq, Milan Astraj nuk u përmbajt dhe thirri:” Abajo la inteligencia”(Poshtë inteligjenca “)! dhe falangistët, që ishin ulur në sallë, e kapën britmën e tij dhe filluan të ulërinin. Por Unamuno vazhdoi: “Ky është Tempulli i Intelektit. Dhe unë jam Profeti i tij Suprem. Kurse ju po i ndotni këto mure të shenjtë. Ju do të fitoni, sepse në anën tuaj është një forcë brutale. Por ju nuk do të mund të bindni asnjë. Që të bindësh dikë, duhet të zotërosh cilësi, të cilat juve ju mungojnë: Arsyeja dhe Drejtësia. Unë e konsideroj të padobishme t’ju bëj thirrje të mendoni për Spanjën. Unë përfundova”. (Cituar sipas Thomas. H(1961) The Spanish Civil Warren. New York, shqipëruar nga prof. Dr Afërdita Stefani).

Pas kësaj Unamuno do të vihej në arrest shtëpie dhe disa muaj më vonë do të vdiste.

Le të kthehemi tek “Servum Pecus”-i- ynë, tek ata që drejtojnë universitetet, ku studiojnë e mësojnë fëmijët e nipat e mbesat tona. A i patë se si rrinin? – sikur deshën t’i fshiheshin vetes, të mbledhur një grusht? Dhori Kule i skuqur në fytyrë, Myn(x)yri i nxirë si qymyri, të tjerë kokulur por…të gjithë si të… Asnjë kundërshtim, asnjë fjalë para breshërisë së akuzave të kryeministrit. Vërtet janë profesorë?! Apo profes’horra?! Akademikë apo akade’mykur? Ky, vërtetë është lidershipi akademik që duhet të rrezatojë Dije dhe Virtyt? Që duhet të drejtojë dhe menaxhojë të ardhmen e gjeneratës së re? A mund të lihen fatet e Universitetit tek ky “Servum Pecus”?!

Krahasoni profilin e tyre me profilin dinjitoz të rektorit Unamuno kur iu përgjigj gjeneralit frankist: “Unë jam profeti suprem i Tempullit të Intelektit. !” Ky Tempull i intelektit dhe qytetarisë është kthyer në një “Rrjepore gjigante” të xhepave të studentëve dhe prindërve të tyre nga çeta e babëzitur “Servum Pecus”. Prandaj dhe nuk kundërshtojnë, nuk revoltohen, por pranojnë çdo akuzë të kryeministrit, madje dhe çdo ironi e ofezë të tij. Sa të neveritshëm! Sa të pështirë!

Vini re se çfarë ndryshimi ekziston midis dy reagimeve dhe qëndrimeve. Krahasoni këta sahanlëpirës, servilë e shërbëtorë të Padronëve pa asnjë background shkencor e akademik të certifikuar ndërkombëtarisht me Unamunon e ditur! Sapienta est potential. – thuhet kur duhet të çmohen të diturit Dituria është forcë, energji. Ajo të bën personalitet! Përse vallë ky ndryshim? Përgjigja merret menjëherë në qoftë se i kthen sytë tek Profili i tij moral, profesional dhe intelektual”. Rektori Unamuno ishte filozof, shkrimtar, eseist, historian dhe profesor. Dini ju gjë se nga kanë ardhur këta anonimatë para se të hynin në tempullin e diturisë dhe intelektit? Nga partitë? Nga mentorët e tyre apo duke blerë të gjitha vështirësitë drejt rrugëtimit akademik?

E, pra, i pari, Unamuno, i përket asaj shtrese shoqërore, që ka luajtur një rol vendimtar në formimin e botës mendore – intelektualëve, të cilët që kur dolën në skenën shoqërore, e shpallën veten martirë të sakrifikuar për interesat e njerëzimit, të veshur me misionin fisnik për të përmirësuar njerëzimin nëpërmjet ideve e mendimeve të tyre. Të gjithë intelektualët i janë përmbajtur një linje mendimi, e cila do të bëhej lajtmotivi i bindjes se tyre: “E Vërteta, Liria, Virtyti “.

Të dytët nuk e njohin këtë linjë mendore. Ata kanë lajtmotiv “tjetër :” Para, Pushtet, Famë. Këta i përkasin asaj shtrese të pasurish, të cilën Russoi e ka përcaktuar në këtë mënyrë: “Është klasa e pasur që iu heq bukën e gojës fëmijëve tanë. Të pasurit janë ujqër të uritur që pasi kanë shijuar mishin e njeriut, nuk dinë çfarë të bëjnë me ushqimet e tjera… Urrej të mëdhenjtë, urrej rangun e tyre, ashpërsinë e tyre, paragjykimet e tyre, meskinitetin dhe të gjitha veset e tyre. Frytet e Tokës na takojnë të gjithëve, ndërsa Toka nuk i përket askujt. Njeriu ka lindur i lirë dhe kudo është i lidhur me zinxhirë “.

Dhe çfarë prisni prej tyre? Reforma? Dituri? Virtyt? Shkencë? Më kot shpresoni….Shikoni pasurinë e tyre me llogari bankare për çdo pjesëtar të familjes, shtëpi, vila, makina luksoze, udhëtime, pushime e fëmijë me studime në perëndim. A mundet çeta “Servum Pecus” të mendojë një minutë për studentët, për departamentin, fakultetin, universitetin? A kanë ndonjë projekt zhvillimi dhe veprimi për transformimin e institucioneve të tyre nga një “vrimë e zezë” e intelektit dhe qytetarisë, ku e kanë katandisur, në një institucion në funksion të zhvillimit, në një institucion që të gjenerojë intelekt dhe qytetari? Nëse qeverisja e brendshme e universiteteve bie në duart e “profesorëve” sharlatanë, të papërgjegjshëm, të korruptuar e pa moral, atëherë do të mbizotërojë dembelizmi mendor, vegjetimi intelektual e “menopauza shkencore”.

Dhe universitetet do të katandisen, ashtu siç i kemi sot “ngrehina të rrënuara”, që në mënyrë metaforike mund t’i krahasosh me ca karroca të vjetra, që i kërcasin të gjitha pjesët, që duke i tërhequr nga kuaj të drobitur shërbejnë vetëm për një gjë: për Asgjë!

Në botën euro-atlantike, universitetet përfytyrohen si makineri moderne të sofistikuara, që gjenerojnë intelekt e qytetari. Kush janë ata që i drejtojnë këto makineri moderne? Përgjigjen për këtë pyetje e ka dhënë G. Humboldi, njeriu që revolucionarizoi arsimin gjerman dhe krijoi universitetin e parë të lirë të Berlinit. Sipas tij një ”numër njerëzish të formuar në mënyrë të plotë”. Duke nënkuptuar një profesor me integritet të plotë shkencor e profesional si edhe me një moral të lartë; profesor, i cili e ka dhunti, prirje të brendshme, përjetim e përkushtim punën, hulumtimin e kërkimin shkencor. Është pikërisht ky profesorat i përgjegjshëm, i ndërgjegjshëm dhe i përkushtuar për misionin që ka ndaj shoqërisë – garanti i një Universiteti të Lirë, që siguron konkurrence të ndershme, meritokraci rigoroze, liri akademike, autonomi financiare e angazhim në shoqëri. Kur në gjirin e universitetit ekziston një frymë e tillë, atëherë dhe vetëm atëherë, sigurohet hapësira e nevojshme dhe e domosdoshme për një karrierë produktive si për studentët ashtu dhe për profesoratin. Një profesorat i tillë, studentët e interesuar dhe të motivuar për dijen dhe shkencën, të lirë dhe të pavarur për vetëformimin e tyre, nëpërmjet “mësimit e kërkimit shkencor”, i edukon e i përgatit të aftë intelektualisht për të zotëruar me efikasitet idetë dhe informacionin, për t’u orientuar e vepruar në situatat jetësore dhe për të krijuar vlera të reja për shoqërinë, madje për më tepër, të përcaktojnë edhe standarde të reja kudo ku ata do të militojnë në komunitete të ndryshme të shoqërisë, duke garantuar kështu zhvillimin dhe progresin e vazhdueshëm të saj.

Si mundet universiteti të transformohet në një institucion të tillë? Përgjigja e kësaj pyetjeje na orienton drejt disa pyetjeve të tjera:

A duhet rishikuar koncepti universitet?

A mund të edukohen si tani kaq shumë njerëz?

A është e mundur të garantojmë cilësinë?

A ka profesione që për arsye të theksimit praktik, thelbësor nuk meritojnë studime universitare?

Është kjo arsyeja që sot po përpunohet një koncept e filozofi e re për rolin parësor që po luajnë dhe që duhet të luajnë universitetet në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të një vendi, ku “cilësia e universiteteve dhe e kërkimit shkencor konsiderohen të barabarta me efektet që japin teknologjitë moderne dhe format e avancuara të drejtimit dhe menaxhimit”, për përgatitjen e mendjeve cilësore duke i dhënë përparësi kreativitetit individual e kolektiv, me aftësi e shprehi intelektuale, për të zotëruar me efikasitet idetë dhe informacionin e akumuluar dhe për tu orientuar dhe vepruar në situata të reja problemore, për një përshtatshmëri maksimale në përballimin me sukses të tregjeve të punës apo profesioneve të reja të pa mendueshme gjatë shek 21-të.

A mundet kjo çetë “Servum Pecus” të garantojë këtë mision té edukimit universitar…?