CEZ-i, pas qeverisë, “karbonizon” edhe Edi Ramën

549
Sigal

Lajmi: Banorët e Komunave Maqellarë, Gjoricë e Shupenzë në rrethin e Dibrës bllokuan sot  rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë, në shenjë proteste ndaj ndërprerjes së energjisë nga kompania CEZ. Fillimisht banorët kanë protestuar pranë nënstacionit elektrik, duke e përshkallëzuar protestën deri në bllokimin e segmentit rrugor nacional. Ndërprerja masive e energjisë elektrike për këto zona duket se ka penalizuar edhe konsumatorët e rregullt të energjisë.

Lajmi: Banorët e fshatit Breg Lumë të Komunës Tërthorë në Kukës i janë rikthyer protestës në nënstacionin elektrik që furnizon gjithë rrethin e Kukësit. Shkak për protestën e tyre është bërë mungesa e energjisë prej disa ditësh, e cila është ndërprerë nga CEZ.

Lajmi: Qindra banorë të komunës së Kutallisë, fshatit Rëzë dhe Dronovicë protestojnë kundër ndërprerjeve të energjisë elektrike nga CEZ-i., pasi CEZ-i, në pamundësi që të vjelë lekët e disa klientëve, penalizon dhe terrorizon tërë popullsinë me ndërprerje të energjisë elektrike.

Lajmi: Me qindra qytetarë përditë po ankohen në zyrat e CEZ-it ” për mbifaturimin mujor dhe CEZ-i i vjedh, duke i detyruar qytetarët  që energjinë elektrike ta paguajnë me çmim dyfish, duke i mbifaturuar energji elektrike të pakonsumuar mbi kuotën e 300 kë/muaj. Përballë këtyre ankimeve të qytetarëve, përballë protestave masive të qindra e mijëra banorëve anekënd vendit qeveria hesht, asnjë gjykatë, asnjë prokurori nuk shqyrton asnjë padije, edhe pse bëhet fjalë për vjedhje dhe mashtrim të faturuar të CEZ-it ndaj popullit.

Lajmi: Shteti kohët e fundit uli çmimin e energjisë elektrike që KESH-i i shet CEZ-it nga 2.8 në 2.2 lekë KË/orë , dhe sipas deputetit socialist Arben Ahmetaj, në një deklaratë më 26 korrik 2012,  nga kjo ulje e energjisë elektrike, shteti i dhuron CEZ-it  mbi 200 milionë dollarë.  Që nga janari i 2012-s, ERE miratoi edhe rritjen e çmimit të shitjes që CEZ-i u shet energjinë elektrike popullit. Fitimet vjetore të CEZ-it, llogariten në 500 milionë euro, ndërkohë që humbjet e KESH-it janë mbi 300 milionë dollarë në vit.

Por e çuditshme është se hesht edhe opozita e PS-së. Opozita asnjëherë nuk është bërë pjesë e këtyre protestave të popullit, që të ndihmojë në zgjidhjen e hallit të tyre.  Opozita, veçse organizon çdo javë (tani në korrik janë me …pushime)  tryeza dialogu, për  hallet e mëdha të popullit.  Opozita, ka harruar, kësisoj, veprimin politik. Përveçse disa deklaratave sporadike  mediatike, opozita asnjëherë nuk ka detyruar qeverinë, CEZ-in, ERE-n që të japin llogari në parlament. Opozita, edhe pse ka qindra avokatë të saj, nuk e ka mbështetur protestën e popullit për vjedhjet dhe mashtrimet ekonomike me padije masive në gjykata dhe prokurori.  Përse hesht opozita? Përse nuk është edhe opozita pjesë e protestave popullore kundër vjedhjeve të CEZ-it? Ju kujtojmë një deklaratë (sporadike) të Ilir Beqja, eksponenti i larte socialist, datë 11 janar 2012, ditë e martë, me titull  ” CEZ, vjedhje me faturat e energjisë, denoncim në Prokurori”, deklaron: “Unë kam faturën e një biznesi që thotë, “energji e pamatur 20 mijë kilovatë’, që e çon faturën në 3 milionë lekë të vjetra. Kam edhe faturën e një familjari, që i çojnë 4 mijë kilovatë energji të pamatur. Shqiptarët po vidhen masivisht. Ministria është bashkëpronare e vjedhësit, enti nuk bën asgjë, unë po plotësoj dokumentacionin dhe do t’i drejtohem personalisht prokurorisë”. Mirëpo, padije në gjykatë nga Ilir Beqja nuk është bërë. Përse? Sepse, vërtet PS-ja  është “karbonizuar” nga CEZ-i, ndaj nuk mund të ballafaqohet politikisht dhe juridikisht me CEZ-in.  A mund të sqarojë publikisht Ilir Beqja, përse deri sot nuk e ka bërë padijen ndaj CEZ-it, sikurse u zotua publikisht? Apo, demagoi? Apo, u ndalua nga ndonjë urdhër i PS-së, që të heshtë? Që PS-ja hesht dhe nuk mbështet protestat e popullit ndaj vjedhjeve të hapura të CEZ-it, dy janë shpjegimet që duhet të japë vetë PS-ja. E para, mos vallë CEZ-i ka hedhur “vaj” në ingranazhet e oponencës së PS-së  dhe e ka “karbonizuar”  opozitën e PS-së, që të heshtë? E dyta, mos vallë PS-ja nuk i intereson politikisht që të mbështetë protestat e popullit ndaj vjedhjeve të CEZ-it?  Cila opozitë e ndershme, mund të heshtte përballë këtij skandali me viktimë popullin? Skandali që CEZ-i  mund të ketë ” karbonizuar: edhe PD-në, edhe PS-në, është një realitet politik.