CEZ i fik dritat Limos Dizdarit

539
Sigal

Ndërkohë që mbrëmë  në TOB jepesh koncerti me krijime të artistit të shquar

Lajmi duket i zakonshëm në pamje të parë: Prej 5 ditësh qendrës kulturore “Dea” në Ksamil CEZ-i famëkeq i ka prerë energjinë elektrike. Të mendosh se CEZ ka zhytur në terr më shumë se gjysmën e Shqipërisë, prerja e dritave një qendre kulturore nuk është ndonjë gjë e madhe. Mirëpo, t’i presësh dritat një artisti të madh virtuoz, sikurse është drejtuesi i kësaj qendre, Limos Dizdari, kjo është vërtet alarmante. Mbrëmë, Limosi telefonoi në redaksinë tonë për ta bërë publik lajmin, pasi më parë kishte telefonuar në dikasteret qendrore, madje dhe ministrit Haxhinasto, por nuk kishte gjetur zgjidhje. Arsyetimi ishte nga më absurdët: sikur “Dea” nuk i ka paguar faturat e dritave. I kam paguar faturat, në tha mbrëmë, Limosi. Ua paraqita dhe këtyre të CEZ-it në Sarandë, por ata janë krejt të shurdhër…

Koncerti

Ndërkohë në Tiranë mbrëmë në Teatrin e Operës dhe të Baletit jepej një koncert me muzikë të zgjedhur simfonike të dy autorëve: Frederik Shopen dhe… Limos Dizdari! Në atë koncert ishin mbrëmë edhe qeveritarë, deputetë etj., të cilët kanë duartrokitur artistët e mëdhenj. Por Limosi ishte në Sarandë, në Ksamil dhe ankohej se i kishin prerë dritat elektrike. Mendoni: Sonte në Tiranë luhet muzika ime në filmin “Koncert në vitin 1936”. Dhe mua në vitin 2012 më dukej vetja si në atë vit kur jepej koncerti i Tefta Tashkos dhe Lola Gjokës… Ironi më të madhe nuk gjen! Dhe Limosi qeshte me mllef, ngaqë nuk ulërinte dot. Ja ky është realiteti. Një realitet migjenian.

Artisti bohem

Limos Dizdari, me gjithë bashkëshorten e tij Adriana Dizdari, një painiste e njohur, jetojnë e punojnë në një prej qytezave më të largëta të Shqipërisë: në Ksamil. Duket si sureale, por atje, në atë qytezë fshat ende shumë larg zhvillimit, ku njerëzit kanë më shumë dëshirë të mbajnë një lopë apo një dele se sa të dëgjojnë muzikë klasike, Dizdari, i njohur për dhjetëra vepra klasike apo dhe të tjera në prodhimet kinematografike e festivalet në RTSH, etj.. Bën të paimagjinueshmen: Bën art. M’u në mes të Ksamilit në pjesën më të ngritur kodrinore nga ku duken vilat e milionerëve në Korfuz, Dizdari ka ndërtuar një sallë moderne për koncerte, të pajisur me një foni që do ta kishin zili të gjithë muzikantët në kryeqytet. Veç koncerteve dhe konkursit ndërkombëtar “Këngët e Tokës” që zhvillohet atje çdo vit, ajo sallë mund të shfaqë edhe filma e të shndërrohet në kinema. Dhjetëra fëmijë ndërkohë, mësojnë piano, violinë e vizatim, ndërsa në ambientet e kësaj qendre që quhet “Dea” piktorë të njohur mund të ekspozojnë veprat e tyre në galerinë që mban emrin “Abdurrahim Buza” apo të shfletojnë qindra libra në librarinë që mban emrin “Migjeni”. Një parajsë e vogël tokësore e rrethuar nga deti, ajri i freskët i Ksamilit, pëllumbat, por edhe lopët edhe delet e fshatit. “Po, është e vërtetë. Unë jam një artist bohem. I vetmuar, tashmë edhe pa drita!, na tha mbrëmë Limos Dizdari.