CEZ, Basha: Presim nga Kuvendi votë konsensuale për hetimin ndërkombëtar

483
Partia Demokratike ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë në lidhje me aferën e CEZ. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi çështjen e CEZ si një megaskandal i dyshes Rama –Meta.
“Kjo është vjedhja e shekullit. Ky është pazar i ndyrë, korrupsion i padëgjuar. Qeveria Rama -Meta ia fali CEZ-it në tavolinë si mall skarco gjatë bisedimeve shumë të suksesshme që njoftoi asaj kohe ministri i Ramës. Qeveria shqiptare i kishte të gjitha letrat për të fituar 2 miliardë euro në arbitrazh. Por vendosi të kënaqte orekset e kompanisë debitore. Shqiptarët duhet të dinë se në marrëveshjen e negociuar në fshehtësi , dyshja Rama -Meta hoqi dorë nga të gjitha gjyqet civile. I akuzoj si ideues dhe autorë të kësaj marrëveshje, si dëmtues të interesit publik dhe shpërdorues të 600 mln euro të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Sipas tij marrëveshja e CEZ dhe skandali i DIA-s, janë të lidhura mes tyre. “Ka njerëz që mendojnë se marrëveshja kriminale e 31 korrikut 2014 me CEZ dhe skandali i aferës CEZ-DIA janë dy gjëra të ndryshme, por ato janë të lidhura dhe pjesë e një skandali të vetëm. Lidhja që i bën bashkë është klauzola e ndalimit të çdo kallëzimi, hetimi në proces dhe çdo hetimi të asaj që ka ndodhur gjatë qëndrimit të CEZ-it në Shqipëri. Kjo dhe kalimi në votim në heshtje i shërbyen varrosjes së një krimi të madh financiar”, deklaroi kreu i PD-së.
Më tej Basha tha se PD do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së megaskandalit dhe rikuperimit të dëmit që i është shkaktuar financave të vendit. Duke e konsideruar këtë aferë pazar të dy aleatëve në qeverisje, kryedemokrati kërkon konsensus në parlament për hetimin ndërkombëtar të akuzave të ngritura për aferën CEZ- DIA. Dhe duke qenë se kjo që po ndodh është një aferë kriminale, Basha kërkon sërish konsensus për ligjin e dekriminalizimit por pa dalë nga thelbi i këtij procesi.
Basha tha se Kryetari i Kuvendit , Ilir Meta është personi që ka lobuar për firmosjen e marrëveshjes së 31 korrikut 2014, pasi ka fituar shumë të mëdha nga kompania CEZ.
“ Përveç dorëheqjes së Ilir Metës, ne kemi paditur edhe vendosjen e klauzolës së Ramës që ndalon hetimin mbi aferën e CEZ. Gjithashtu kërkojmë zbardhjen e të gjitha padive që qeveria Berisha ka depozituar për kompanitë e CEZ”, vijoi Basha.
Sipas kryetarit të PD-së, qëndrimi i Ramës është më fyes për standardet e demokracisë.
“Gjithë Shqipëria zien, Rama nuk flet. Bën sikur nuk kupton. Nuk përgënjeshtron asgjë, madje duke i kënaqur kur sheh se e akuzojnë. Nuk del në skenë që të kërkojë hetim të skandaleve. Sillet sikur nuk është kryeministër. Ai ka kohë që ka humbur cdo ndjenjë të detyrës. Është rob i politikës së cicmiceve. Më e shumta që bën është hedh gurin dhe fsheh dorën sepse ka hallin e marrëveshjes kriminale. Hedhja e saj në erë do ta qelbte vendin. Ankthi i daljes në shesh të të palarave po e ndjek nga pas”, ka përfunduar fjalën para grupit parlamentar, Lulzim Basha. 
Sigal