Çështja Tahiri, shton debatet dhe “shkatërron” punën në komisionet parlamentare

411
Opozita prej ditës kur Kuvendi rrëzoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, ka vendosur të flasë me një tjetër gjuhë
Që prej datës 25 tetor, kur mazhoranca rrëzoi Prokurorinë në Kuvend, duke mos lejuar arrestimin e Saimir Tahirit, tensioni mes forcave politike i ka kaluar caqet. Opozita pati paralajmëruar më herët se nuk do të qëndrojë e qetë përballë situatës së krijuar në vend, ku krimi dhe trafiqet e drogës i kanë zënë vendin qetësisë duke iu marr frymën qytetarëve. Skandali Tahiri tashmë ka zbritur në çdo komision parlamentar. Opozita e bashkuar, PD-LSI ka marr angazhim që në çdo mbledhje të komisionit t’i kujtoj përfaqësuesve të mazhorancës trafikun e drogës dhe faktin se ata janë mbrojtësit e flaktë të Saimir Tahirit dhe krimit në përgjithësi. Kjo ndodh çdo ditë. Ndodhi edhe ditën e djeshme në komisionin e ligjeve dhe atë të ekonomisë. Përfaqësuesit e opozitës në të dy komisionet, pasi debatuan me ata të mazhorancës dhe i kujtuan se janë mbrojtës të Saimir Tahirit, lanë karriget dhe u larguan nga salla e mbledhjeve. Mazhoranca vazhdoi e vetme të flas për çështjet në rend dite. E, kjo lëvizje mesa duket do të vazhdoi pa afat. Ka qenë vet lideri i PD-së, Lulzim Basha ai që urdhëroi deputetët pjesë e komisioneve të bojkotojnë çdo mbledhje, pasi më parë të kenë përsëritur akuzat kundër Tahirit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dy ditët e kaluara, ku anëtarët e PD-së kanë braktisur komisionet parlamentare, ku te Komisioni i Sigurisë u bashkuan edhe anëtarët e LSI. Shkak i debateve mes palëve është bërë krimi, ku deputeti i djathtë, Gent Strazimiri, ka deklaruar se në korridoret e Kuvendit sillet një i inkriminuar, që mbrohet nga socialistët, teksa e ka pasur fjalën për deputetin Saimir Tahiri, i cili akuzohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës. Edmond Spaho dhe Gent Strazimiri kanë qenë deputetët që kanë shpërthyer më shumë në komisionet parlamentare. Debate ka pasur edhe te komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave për shkak të çështjes “Tahiri”, gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2018. Deputetët e PD u larguan nga mbledhja pas debateve. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho akuzoi qeverinë si të inkriminuar. “Turp për ju që nuk hoqët imunitetin e Saimir Tahirit”, tha Edmond Spaho, anëtar i këtij Komisioni, që drejtohet nga socialisti Erion Braçe. Jorida Tabaku ngriti shqetësimin se buxheti i vitit të ardhshëm ka rreziqe të mëdha fiskale. Ajo paralajmëroi edhe ankimimin e buxhetit në Gjykatën Kushtetuese nëse miratohet me këto parametra. “Koncesionet rriten 30 %. Ky projektbuxhet ka rreziqe të mëdha fiskale. Ju s’keni përgjegjshmëri. Vini këtu e talleni me hashashin dhe drogën. Po fshihni shifrat e borxhi publik. Opozita do të vijojë betejën me Gjykatën Kushtetuese nëse ky buxhet miratohet kështu”, u shpreh Tabaku.
Sigal