Çështja Tahiri, Prokuroria e Krimeve të Rënda: Kemi prova të mjaftueshme

523
Prokurorët e Krimeve të rënda pas një maratone të gjatë përballjeje me deputetët e së majtës, të cilët u munduan me të gjithë format të mbrojnë Saimir Tahirin, kërkuan që seanca për paraqitjen e provave shtesë të bëhej me dyer të mbyllura. Mësohet se brenda kësaj seance, e cila zgjati të paktën 60 minuta, deputetët janë njohur me disa prova të reja, të cilat janë grumbulluar nga prokurorët shqiptarë që prej vitit 2016. Sipas burimeve të besueshme, bëhet e ditur se prokurorët u kanë treguar deputetëve që kanë në përgjim prej vitit 2016, punonjës policie në qytetin e Vlorës dhe oficerë policie. Provat e treguara kanë qenë konkrete, ndërsa pas seancës asnjë prej deputetëve nuk ka mundur të thotë asgjë. Atyre u është kërkuar nga akuza të mos japin asnjë informacion rreth mbledhjes me dyer të mbyllura duke e konsideruar atë sekret. Në përgjim janë vënë edhe pjesëtarë të familjes Habilaj. Ndërsa ende nuk dihet me saktësi, se çfarë është thënë në ato biseda. Jo pak herë prokurorët thanë gjatë mbledhjes, se kanë bërë verifikime që as autoritete italiane dhe greke nuk i kanë që forcojnë bindjen e tyre. Në 2013 deputeti Saimir Tahiri duke pasur në pronësi një automjet të tij, ia kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj. Më pas ky automjet është ripërdorur nga deputetit Saimir Tahiri gjatë viteve 2013-2014. Ka rezultuar se deputeti me këtë automjet ka udhëtuar në Greqi. “Duke pasur parasysh që në asnjë moment, që nga 2013-prill 2017, kur realisht kishim një ministër tjetër të Brendshëm asnjëherë nga Policia e Shtetit nuk është dorëzuar material për aktivitetin e këtyre personave. Ne kemi krijuar bindjen e plotë që deputeti Saimir Tahiri është i përfshirë në këtë aktivitet. Ne sot nuk kemi ardhur për të marrë një mandat arresti, pasi arrestin e jep gjykata. Ne kërkojmë heqjen e imunitetit, që në çdo moment deputeti të jetë i ekspozuar ndaj një heqje lirie. Këtë aktivitet ata e zhvillonin në disa fshatra të Vlorës. Ne kemi kryer verifikimet në terren. Veprimet janë kryer në mënyrë sekrete, sepse në këtë aktivitet kishte edhe punonjës policie, të cilët krijonin kushte që këta persona të kryenin aktivitet të plotë. Nga verifikimet në terren na rezultoi se kryhej ky aktivitet. Gjatë hetimit mblodhëm prova se një grup personash për të cilët prokuroria ka marrë masa shtrënguese, ku përfshiheshin edhe dy punonjës policie të policisë Vlorë. Këta i krijonin mundësi grupit të kultivonin drogë pa shqetësimin e policisë. Gjatë 2017 arritëm të provojmë që në fshatin Babicë ishte e magazinuar një sasi e lëndës narkotike dhe e bërë gati për transport përtej brigjeve. Nga ana jonë kemi filluar kryerjen e veprimeve hetimore. Jemi kufizuar në hetime, sepse kishim informacione që edhe në këtë fazë kishte punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet dhe ka akoma, kryesisht punonjës të policisë Vlorë, për të cilët vazhdon hetimi. Kur Habilaj ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk ishte kthyer më morëm informacion që ky ushte arrestuar në Itali. Nga ana jonë kemi filluar një procedim tjetër kryesisht në lidhje me këtë aktivitet që vazhdonte që në 2013 dhe kemi filluar procedim për personat që ishin të publikuar në vendimin e drejtësisë italiane, ku ishin Habilajt dhe kemi regjistruar procedimin edhe për deputetin Tahir. Na rezultonte që kishte biseda komprometuese në lidhje me deputetin Saimir Tahiri, qoftë në pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal, por aty bëhej fjalë për dhënie dhe marrje”, janë shprehur prokurorët.
Sigal