Çështja Tahiri dhe sulmi i politikës ndaj oficerit të antidrogës, Dritan Zagani

486
Partia Socialiste vazhdon të sulmojë ish-oficerin e antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani pas deklaratave të fundit të tij kundër Saimir Tahirit dhe Habilajve
Debati për çështjen Tahiri ka marrë përmasa të mëdha. Në këtë histori, ku Tahiri akuzohet se ka bashkëpunuar me vëllezërit Habilaj për të trafikuar drogë drejt Italisë, është investuar edhe një nga ish-oficerët e antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani. Teksa nisi të zbulonte skemën e veprimtarisë kriminale të grupit Habilaj, Zagani foli për emra konkretë bashkëpunëtorësh, madje ishte ai që publikoi për herë të parë përfshirjen e automjetit të ish-ministrit në trafik droge, teksa përdorej nga vëllezërit Habilaj. Por Zagani në këtë periudhë u arrestua për shpërdorim detyre dhe dekonspirim të informacioneve të policisë. Qëndroi për gati gjashtë muaj në paraburgim pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që caktoi për të masën e arrestit me burg. Çështja u transferua në Fier, për mos kompetencë. Po nga kjo gjykatë u ndryshua dhe masa e arrestit. Zagani duhej të qëndronte në shtëpi. Gjatë kësaj periudhe, ai është shprehur se ka marrë kërcënime të shumta. U detyrua të largohej jashtë vendit dhe të kërkoi azil politik. Pas skandalit “Tahiri”, Zagani u rishfaq sërish edhe më ashpër. Nga Zvicra ai ka nxjerrë informacione që e komprometojnë rëndë figurën e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Por deklaratat e tij janë shfrytëzuar nga politika. Të djathtët janë në mbrojtje të Zaganit. Sipas tyre, qeveria e ka akuzuar dhe më pas dëbuar Dritan Zaganin vetëm për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe klanin e tij të drogës. Reagimet e palëve kanë qenë reciproke. Pas PD-së, ka dalë me një deklaratë për shtyp Taulant Balla. Sipas tij Zagani nuk është njeri i besuar dhe se ndaj tij në vitin 2014 Krimet e Rënda, kanë vendosur arrest në burg. Ajo që nuk thuhet është fakti se gjykata nuk ka dhënë asnjë vendim dënimi ndaj Zaganit, por vetëm një masë arresti, e cila më pas është ndryshuar. Dhe, masa e arrestit nuk mund të konsiderohet dënim. Balla ka bërë reagimin pas një deklarate të dhënë nga kreu i PD-së Lulzim Basha. Në këtë debat u përfshi edhe deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili kundërshtoi Taulant Ballën. Sipas tij, Zagani nuk ka qenë asnjëherë i dënuar dhe se për të, gjykata e hoqi masën e arrestit me burg për mungesë provash. Debati për Saimir Tahirin tashmë është zëvendësuar me debatin për Dritan Zaganin. Është ky i fundit, që sikundër ka deklaruar edhe vet, ka prova të pakontestueshme që e implikojnë ish-ministrin e Brendshëm në trafikun e drogës. Zagani dhe Tahiri e kanë ndarë opinionin në dy grupe.
Sigal