Çështja Rroshi, pikëpyetje të tjera mbi pastërtitë e certifikatave penale

426
Brenda tre ditësh Kryebashkiaku i dorëhequr i Kavajës Elvis Rroshi bëri dy deklarata krejt të kundërta në lidhje me një dënim të dhënë ndaj tij nga drejtësia italiane në vitin 1992. Fillimisht Rroshi deklaroi dorëheqjen si Kryebashkiak, pasi kishte mësuar nga avokatët e tij në mënyrë krejt të papritur se ishte dënuar. Por 3 ditë më pas, në rrjetet sociale Kryebashkiaku i dorëhequr, tha se kishte marrë dy certifikata penale, me emrat Ervin dhe Elvis Rroshi, në të cilat rezultonte se nuk ishte i dënuar. 

Në deklarimin e dytë, Rroshi tha se tërhiqej nga akti i dorëheqjes, pasi ai rezultonte i padënuar. E gjithë kjo situatë përveç humorit të shkaktuar dhe reagimeve pro dhe kundër, ngriti edhe disa pikëpyetje në lidhje me çështjen në fjalë. Por ekspertë të drejtësisë sqarojnë se situata të tilla ndodhin për shkak se në nenin 175 të Kodit Penal Italian është e sanksionuar e drejta për të mos u përmendur (diritto di non menzione). Më saktësisht në nenin 175 thuhet: “në rast se në dënimin e parë merret një masë dënimi jo më shumë se 2 vjet, apo një gjobë që nuk i kalon 516 euro, gjykatësi, duke patur parasysh lehtësirat e cituara në nenin 133, mund të urdhërojë që të mos përmendet dënimi në certifikatën penale që u jepet privatëve, jo për shkak të ligjit zgjedhor. 

Nëse i dënuari bën një krim tjetër, urdhri për të mos i përmendur dënimet e tij në certifikatën penale revokohet”. Ky nen, sipas ekspertëve të drejtësisë, aplikohet vetëm në rastet kur kërkesa për certifikatën penale kërkohet në mënyrë private nga individi. Por ky nen në Kodin Penal italian nuk aplikohet në rastet kur dokumentet kërkohen nga autoritetet zyrtare, në rastin konkret sikundër Prokuroria e Përgjithshme, ka kërkuar nga autoritetet italiane, apo kur dokumenti kërkohet si detyrim i ligjit zgjedhor. Dyshohet se Rroshi është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg në vitin 1992 nga Gjykata e Shkallës së Parë për minorenët në Campobasso, dënim ky që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit për minorenët. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme do të zbardhë të vërtetën mbi dënimin e Kryebashkiakut të dorëhequr, si dhe të vërtetën mbi certifikatat penale që publikoi, duke deklaruar edhe rikthimin në detyrë. 
Sigal