Çështja Rama në gjykatë/ Kërkohet rihapja e hetimit që prokuroria e mbylli me një ndjesë…

426
Lëvizja Socialiste për Integrim i është drejtuar Gjykatës së Beratit, duke kërkuar rihapjen e hetimeve lidhur me Kryeministrin Edi Rama për thirrjen që bëri gjatë fushatës së fundit zgjedhore, ku i kërkoi punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhoheshin për mbledhjen e votave në favor të PS-së.
Seanca gjyqësore do të mbahet në 16 maj 2018 dhe pritet një vendim lidhur me kërkesën.
Çështja në fjalë u mbyll nga Prokuroria, pasi Kryeministri kërkoi ndjesë në rrjetet sociale, lidhur me thirrjen që kishte bërë.
Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, gjatë një mitingu elektoral në Berat, Rama duke iu drejtuar punonjësve të Policisë së Shtetit i bëri një thirrje që të lenë kapelet dhe të mbledhin votat për Partinë Socialiste.
Thirrja drejtuar një trupe të depolitizuar, që është një nga hallkat e rëndësishmë për mbarëvajtjen, sigurimin dhe parandalimin e akteve që cënojnë procesin zgjedhor, u konsiderua si një skandal. Kjo ishte hera e parë që një Kryeministër publikisht deklaronte një gjë të tillë dhe solli një reagim edhe nga organizmat ndërkombëtare.
Por padia e depozituar në Prokurori për të hetuar Ramën për muaj me rradhë u la në harresë, ndërsa Kryeministri u mjaftua me një ndjesë në rrjetet sociale, çka ishte argumenti zyrtar i përdorur më pas nga prokuroria për mbylljen e hetimeve. 


Sigal