“Çështja nacionale shqiptare nuk është problem i diplomacisë, por i politikës”

560
Sigal

INTERVISTA/ Kryetar i Lista për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj: “Qeveria të kërkojë që Çamëria të shpallet Zonë e Lirë,  midis Shqipërisë dhe Greqisë”

Diçka paradoksale është që shqiptarët, kudo që janë e që jetojnë, të festojnë në 28 Nëntor 2012 100 vjetorin e Pavarësisë, e ndërkohë, palët politike në Shqipëri të shkëmbejnë akuza-kundërakuza për një çështje kaq madhore, siç është marrëveshja me Greqinë për rishikimin e kufijve detarë, thua se jemi ende në vitin 1913! Koço Danaj, në intervistën për “Telegraf”, për herë të parë hedh një ide, që deri më sot, nuk është thënë, nga askush. Sipas zotit Danaj, qeveria shqiptare, duhet të rinegociojë marrëveshje të përcaktimit të kufijve, duke filluar nga Çamëria dhe duhet të kërkojë që Çamëria të shpallet Zonë e Lirë, midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka ardhur koha,- thotë zoti Danaj,- që qeveria të fillojë bisedime edhe me Kosovën e të tjerë, për bashkimin e trojeve shqiptare.  Kjo kohë tashmë ka ardhur në Histori. Në këtë kontekst, sipas zotit Danaj, diplomacia jonë në Ballkan është sipërfaqësore dhe deklarative. Historia, -thotë zoti Danaj,- duhet rishkruar, por duke thënë të vërtetën nga vetë ne shqiptarët, duke bërë autokritikën, ndryshe nuk mund të bëhemi vetëndërtues.

– A ka të drejtë qeveria dhe cilado qeveri që mund të vijë, të rinegociojë për një marrëveshje të përcaktimit të kufijve me Greqinë?

– Po, një qeveri kombëtare shqiptare, punën e parë që duhet të bëjë, është të hapë me Greqinë problemin e kufijve. Pse e them këtë? Në Greqi, në mënyrë kolonialiste dhe me gjenocid ekzistojnë territore të mëdha shqiptare. Çdo qeveri e përgjegjshme shqiptare duhet ta hapë këtë çështje dhe të kërkojë si hap të parë që Çamëria të shpallet Zonë e Lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. E dyta: Greqia ka shkelur Marrëveshjen e Potsdamit të 1945-s, mbi trajtimin e pakicave nacionale. Kjo marrëveshje është firmosur nga Truman, Stalin dhe Etli. Në këtë marrëveshje shqiptarët e Çamërisë trajtohen si minoritet, që ka luftuar kundër fashizmit. Greqia duhet t’i dëmshpërblejë ata në vlerën 5 miliardë euro. Por çdo qeveri shqiptare në radhë të parë, duhet të zbatojë Kushtetutën, domethënë të kërkojë bashkimin e trojeve shqiptare. Ky quhet patriotizëm Kushtetues. Bashkimin kombëtar e keni të sanksionuar në Kushtetutë. E për këtë arsye, një qeveri vërtet që ndjehet shqiptare, jo thjesht që emërtohet shqiptare, duhet të fillojë bisedimet me Kosovën për t’u bashkuar, bisedimet me  Maqedoninë, për Shqipërinë Lindore, bisedimet me Serbinë për Luginën e Preshevës, me Malin e Zi për Ulqinin dhe trojet e tjera shqiptare që nga Tuzi në Plavë-Guci.

– Po si mund të funksionojë?

– Këtë duhet ta bëjë diplomacia shqiptare, mendimi politik shqiptar. Sot, kur Marrëveshja e Ohrit ka “vdekur”, sot, kur edhe politikisht, shqiptarë dhe maqedonas janë ndarë mbi kritere etnike, sot  duhet thënë, se kjo krijesë është një dështim. Sot shqiptarët duhet të mendojnë për vete dhe jo të vazhdojnë të mbeten “Kurban”  i të tjerëve. Është shansi i fundit i shqiptarëve, që të jetojnë si komb dhe jo si banorë.

– Çfarë është Shqipëria natyrale sipas jush, që jeni ideatori kryesor i saj?

– Sipas Platformës, Shqipëria Natyrale, nuk është gjë tjetër, veçse Shqipëria e shpallur në 28 Nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës, me kufij nga Presheva në Prevezë dhe nga Durrësi në Shkup. Pra, kërkesa për Shqipëri natyrale, është në thelb kërkesa për zbatimin e një Akti Juridik, i cili u injorua nga mbledhja e ambasadorëve në Londër ne vitet 1912-1913. Ky injorim u bë në mënyrë më shumë se kolonialiste, u bë në mënyrë barbare. Jo vetëm që kjo mbledhje që u mblodh në 16 dhjetor 1912, pra 18 ditë më pas shpalljes së Pavarësisë, nuk e mori parasysh këtë akt juridik, por i trajtoi trojet shqiptare si plaçkë tregu. Vetë kryetari i mbledhjes, ish ministri i jashtëm britanik Edvvards Grey, e pranon një gjë të tillë në librin e tij “Memoires”,(Kujtime) të botuar në vitin 1927. Ja se çfarë thotë Grey në kujtimet e tij: “…. lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës, apo të ngushticave (Detroits), sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund t’i vendosnin Turqisë, duke prekur Maqedoninë. Çështja e rrezikut dhe e përplasjes ishte Shqipëria, ku dominimi turk u thye pas luftës. Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës. (Grey, Memoires, botime Payot, 1927 faqe 246)

Ata që kërkojnë bashkimin kombëtar konsiderohen ekstremistë, a janë të tillë?

– Ekstremistë nuk janë ata që kërkojnë të ringjallin Shqipërinë Natyrale, por ata që duan të përjetësojnë Vilajetet Neootomane. Ekstremistë nuk janë ata shqiptarë, që njohin gabimet apo përgjegjësitë e të parëve të tyre, por ata që këto gabime e përgjegjësi i përdorin në funksion të marrjes, apo ruajtjes së pushtetit. “Ekstremist nuk ishte Bruti, ekstremist ishte Kasi”. Pathosi ynë është vërtetë indinjata, por detyra jonë më e madhe, është denoncimi i mashtrimit politik dhe vetëmashtrimit të “Turmës” partiake. Atë ditë që do ta bëjmë këtë, po atë ditë fillon ringjallja e Shqipërisë natyrale. Jezu Krishtit ju deshën tre dite që “të kryqëzohej dhe të ngjitej në qiell”. Ne na duhen tre vjet, tre muaj, tre ditë, tre orë, tre sekonda për t’u kthjelluar dhe për të kthjelluar të tjerët. Nuk mund të jetojmë gjatë si komb, vetëm duke qenë bashkëkohës teorikë të kombeve europiane, pa qenë bashkëkohës historike të tyre.

–  Mendoni që ka ardhur momenti politik që  diplomacia shqiptare ta ketë prioritet të saj këtë çështje?

– Nuk ka ardhur, ka kohë që ka kaluar. Por jo diplomacia, por tërë politika shqiptare, pozitë plus opozitë. Çështja nacionale shqiptare nuk është problem i diplomacisë, por i politikës, i tërë shoqërisë, dhe i mbarë kombit shqiptar. Ai që nuk është për vete, nuk mund të jetë për të tjerët. Por, edhe kur është për të tjerët, është në rolin e mercenarit, por jo të partnerit

– A duhet të korrigjohet historia?

– Absolutisht po, historia me atë që ja kemi bërë vetes dhe historia me ato ngjarje që të tjerët na i kanë bërë ne.

– Si duhet shkruar historia?

– Po: Korrigjimi i historisë kombëtare në këtë prag 100 -vjetori, kundër falsifikimeve që me shumë ja kemi bërë vetes, se sa na i kanë bërë të tjerët. Le ta çojnë deri në fund falsifikimin e saj edhe politikanët e sotëm. Rëndësi ka që shqiptarët të fitojnë ndërgjegjen dhe vetëdijen e këtij falsifikimi. Po fituan këtë, falsifikimi merr fund nesër. Prandaj, ta shndërrojmë “Turmën” partiake në shqiptarë modern të shekullit te 21-të. Atyre, që po  përgatiten të festojnë 100- vjetorin e Shqipërisë Natyrale të 28 Nëntorit 1912, teksa shijojnë Vilajtetet neotomane të 29 Korrikut 1913, 9 shtatorit 2001, 17 shkurtit 2008, ne duhet të kemi kurajon t’u themi: Zotërinj, Shqipërinë Natyrale ne shqiptarët e kemi shijuar vetëm një herë. Kur? Atë ditë që e “varrosën” të parët tanë, atë ditë që larguam nga Shqipëria, kryeministrin e parë të saj, Ismail Bej Vlorën, atë ditë që vramë në Selanik, ideologun e saj, Hasan Bej Prishtinën, atë ditë që vramë pabesisht ideologun e Bujanit, Hajdar Beg Dushin etj., etj.. Ky është një “Gur Sizifi” . Atë mund ta mbajnë në kurriz vetëm ata që thonë të vërtetën. Vetëm ata që ndjehen shqiptarë. Po nuk u bëmë vetëkritikë, nuk do të bëhemi dot vetëndërtues. E kaluara është një stazh që duhet njohur mirë, për ta ndërtuar sa më të bukur të ardhmen.

Diplomacia shqiptare dhe Ballkani

Sipërfaqësor dhe deklarativ, me përjashtim të deklaratës së Panaritit në Prishtinë. Mungon prognoza dhe analiza. Ja për shembull: Ngjarjet e fundit në Maqedoni. Në pamje të parë, në Maqedoni duket sikur ka krizë qeveritare. Por, analiza e ftohtë e ngjarjeve, fakteve të vitit të fundit, homazhet e dëshmorëve të UÇK-së në Sllupcan, me pjesëtarë të Ushtrisë, reagimi kërcënues i VMRO-DPMNE, mbështetja që Filip Riker i dha këtij veprimi nga ana e shqiptarëve, paraqitja nervoze e ligjit për rezervistët maqedonas të vitit 2001, takimi i Riker për Marrëveshjen e Ohrit, mbështetja që Menduh Thaçi i dha Ali Ahmetit dhe ajo që Cervenkovski i dha Gruevskit etj., dëshmojnë për një problem më të madh, se një krizë qeveritare. Më në fund, edhe SHBA-të janë të bindur se ky shtet artificial nuk mund të funksionojë më kështu. Nacionalizmi arrogant i Gruevskit është bërë i padurueshëm edhe për SHBA-të.

 – Faleminderit!