Çështja e kufijve, Panariti: Mos e ktheni Kosovën në ground “Zero”!

471
Sigal

Deputeti i LSI-së, Edmond Panariti ka reaguar me anë të një postimi në Facebook në lidhje me çështjen e kufijve të Kosovës.

Panariti shprehet se do të ishte e pafalshme për Kosovën të devijonte kurs nga traseja e dialogut të deritashëm me Serbinë.

Njëherazi deputeti i LSI-së, shkruan se Shqipëria nuk duhet të jetë palë në dialogun Beograd – Prishtinë sepse ky është dhe mbetet dialog mes vendeve sovrane!

“Qëndrimi i diplomacisë tonë është mbështetja e dialogut në respekt të sovranitetit dhe integritetit të palëve”-thekson Panariti

Statusii plotë:

Mos e ktheni Kosovën në ground “Zero”!

Vetëm hedhja e tezës së “korrigjimit të kufijve” si premisë në dialogun Prishtinë – Beograd për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme, po i jep efektet e saj. Procesi i njohjeve të reja të Kosovës ka ndaluar! Po kështu ka ngrirë edhe antarësimi i saj në OKB dhe në organizmat e saj. Progresi drejt BE, po ashtu! I gjithë investimi i diplomacisë shqiptare nga të dy anët e kufirit, për zgjerimin e hartës ndërkombëtare të njohjeve të Kosovës, rrezikon të asgjesohet. Pse? Sepse kërkohet të krijohet një shtet i ri, me territor harte dhe ndofta flamur te ri. Nga kush? Nga Serbia! Kjo e kthen Kosovën në piken zero! Sepse procesi i njohjes do të fillonte nga e para, pa asnjë garanci për vijimësi dhe njohje të plotë të Kosovës . Madje kjo do të rriste dozën e mosbesimit ndaj një shteti i cili “ndërron formë” sa herë që ka lëkundje tektonike! Nuk po flas këtu për efektet “domino” që “korrigjimi”, lexo, ndryshimi i kufijve do të kishte në Ballkan. Por do të ishte e pafalshme për Kosovën të devijonte kurs nga traseja e dialogut të deritashëm me Serbinë. Shqipëria nuk duhet të jetë palë në dialogun Beograd – Prishtinë. Ky është dhe mbetet dialog mes vendeve sovrane! Qëndrimi i diplomacisë tonë është mbështetja e dialogut në respekt të sovranitetit dhe integritetit të palëve.