“Çështja Doshi”, zbardhet dëshmia e Berishës në Prokurori: Kisha dijeni për ngjarjen

454
Ish-¬kryeministri Sali Berisha pranon se ka pasur dijeni muaj më parë se deputeti Tom Doshi të ngrinte publikisht akuzat se ndaj tij ishte përgatitur një atentat kriminal për ta eleminuar fizikisht. Gjatë dëshmisë që Berisha ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda më 9 mars të 2015, ai ka thënë se disa persona e kanë njoftuar për këtë ngjarje, por pa dhënë emra. Ish-¬kryeministri ka thënë para prokurorëve se nuk ka pasur dijeni për atentatin që mund t’i bëhej deputetit tjetër, Mhill Fufit dhe se për këtë ishte informuar nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka. 

Sipas dëshmisë së publikuar nga portali “Syri.net”, Berisha pranon njohjen me disa prej personave të përfshirë në akuzat e deputetit Tom Doshi. Gjithashtu, Berisha mohon të ketë takuar personalisht Tom Doshin, përveç faktit të njohur publikisht në seancë plenare. Gjatë dëshmisë që Berisha ka dhënë pak muaj më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, fillimisht ai ka dorëzuar një deklaratë para organit të akuzës dhe më pas i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.
Dëshmia e Berishës në Prokurori:
Pyetje: Pas këtij momenti, a jeni takuar me deputetin Tom Doshi?
Përgjigje: Asnjëherë nuk jam takuar me Tom Doshin përjashtu rasteve kur kemi replikuar në seancë dhe atë herë që isha para një muaji në Parlament.
Pyetje: Në lidhje me Mhill Fufin, a keni komunikuar me të në lidhje me sa kishit marrë dijeni?
Përgjigje: Jo, nuk kam komunikuar fare me të për këtë çështje. Kam qëndrim tjetër ndaj kërcënimit, nuk e përfill nuk merrem me të.
Pyetje: A i njihni shtetasit Agron Kuliçaj dhe Agim Rama?
Përgjigje: Të dy këta unë i njoh mirë. Me Agim Ramën takohem çdo fundjavë dhe me Agronin takohem rreth dy herë në javë. Me Agimin janë takime familjare ndërsa me Agronin janë takime pune.
Pyetje: A e njihni shtetasin Durim Bami, nëse po në çfarë rrethanash?
Përgjigje: Unë nuk e njoh këtë person.
Pyetje: A e njihni shtetasin Ymer Lala?
Përgjigje: Emrin e tij e kam të dëgjuar pasi ky është një person me precedentë penal dhe emrin e tij e kam dëgjuar në informacionet e policisë por nuk e kam njohur asnjëherë personalisht.
Pyetje: Shtetasin Ylli Xhaxhollari, Fatjon Skënderaj dhe Eugen Beçi a i njihni?
Përgjigje: Shtetain Ylli Xhaxhollari nuk e njoh absolutisht, as Fatjon Skënderaj nuk e njoh por mazhoranca e kanë përdorur këtë shtetas për tia faturuar këtë ngjarje opozitës pasi ky shtetas para shumë vitesh ka qenë shofer i Partisë Republikane dhe i nxorrën këto argumenta për të akuzuar opozitën. Ka disa muaj që ata (mazhoranca) deklarojnë se Tom Doshi është deputet i Partisë Demokratike, gjë që nuk është e vërtëtë dhe këto janë faktë të padenja. Ndërsa Eugen Beçin e kam dëgjuar në media si Prokurori i Krimeve të Rënda.
Pyetje: Mund të na thoni se në çfarë rrethanash u vutë në dijeni për këtë ngjarje?
Përgjigje: Nuk mbaj mend kush më ka vënë në dijeni, ka qenë më shumë se një njeri që ma ka thënë këtë. Duhet të ma kenë thënë persona që nuk më kujtohen.
Pyetje: Në shpejgimin tuaj thatë “jam informuar nga këta të mijtë”, a mund të na thoni se nga cilët persona konkretisht jeni vënë në dijeni?
Përgjigje: Kam pyetur shtetasin Edi Paloka i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar të PD.
Pyetje: Ju shpjeguat se vëllai i Mhill Fufit ka shkuar dhe ka takuar Ilir Metën, a e dini se kush është vëlla i i Mhillit dhe si quhet?
Përgjigje: Jo nuk ja di emrin por mund të them që për këtë gjë jam informuar rreth një javë ose dy javë përpara se Toma ta bënte publike çështjen e tij.
Pyetje: Në lidhje me deklaratën që ju keni bërë në shtyp, dhe ka lidhje me këtë ngjarje, a ju ka takuar ndokush në lidhje me këtë?
Përgjigje: Jo, nuk më ka takuar askush për këtë ngjarje.
Pyetje: Keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar.
Sigal